Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Si po vepron Vitore Tusha si “kamikaze”, për të vendosur Sonila Bejten në Kushtetuese

Si po vepron Vitore Tusha si “kamikaze”, për të vendosur

Vitore Tusha është anëtare e Gjykatës Kushtetuese që në marsin e vitit 2008. Është e emëruar në këtë post nga Presidenti i kohës, Bamir Topi.

Në vitin 2017, Tushës i mbaron mandati i anëtares së institucionit që intepreton ligjin themeltar të shtetit dhe që atëherë ajo ka qenë një ushtruese e detyrës, por që realisht pikërisht në këtë kohë pati aktivitetin më të madh në zhvillimet politike në vend.

Pasi qe një propozim i Ilir Metës për kreun e KLSH-së dhe nuk pati marrë pëlqimin e mazhorancës ajo mbeti në Kushtetuese duke qenë edhe drejtuese e një institucioni pa anëtarë.

Prej disa muajsh ajo drejton këshillin e Emërimeve në Drejtësi, pasi zëvendësoi Ardian Dvoranin.

Në këtë detyrë, Tusha tregoi një zell për të përkrahur qëndrimet dhe synimet e Metës dhe grupimit të tij politik për Gjykatën Kushtetuese.

Flagrancën më të madhe në këtë detyrë, Vitore Tusha e tregoi me insistimin, duke shkelur të gjitha rregullat për të kualifikuar një kandidate për në Gjykatën Kushtetuese që nuk plotëson asnjë kriter për tu bërë anëtare e këtij institucioni.

Është fjala për Sonila Bejten, noteren dhe gruan e Andi Bejtes, vartësit të Shkëlzen Berishës.

Bejtja, “vlerat” që ka në CV ka pikërisht lidhjen me familjen Berisha dhe qëndrimet që ka mbajtur publikisht kundër vetingut dhe ndërkombëtares së OMN-së.

Ajo nuk ka asnjë eksperiencë pune si magjistrate ç’ka është një nga kriteret thelbësore për tu bërë anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Por, Vitore Tusha, mirë që pranon Sonila Bejten të hyjë në garë, pra e klasifikikon duke shkelur çdo ligj, por e la vetëm, në mënyrë që Ilir Meta të mos ketë alternativë tjetër për të zgjedhur, ngaqë nuk plotëson asnjë kriter.

E këtu Tusha, pikërisht si një kamikaze e familjes Berisha, për të çuar gruan e vartësit të tij, ka përjashtuar nga kandidimi një dyzinë kandidatësh, duke falsifikuar edhe gënjuer opinionin publik për gjithçka.

Kjo që në fillim të procesit kur u përjashtuan nga kandidimi juristë që plotësonin më shumë kritere sesa Sonila Bejtja.

Ndërkaq, një kalvar i gjatë ndodhi me Zhaklina Peton, një kandidate për në Kushtetuese që nuk ka lejuar që vullneti të jetë në dorën e Vitore Tushës.

Madje ka shkuar edhe në SPAK dhe Gjykatën Administrative, e cila i dha të drejtë zonjës Peto. Tusha, në njoftimin e KED për mbledhjen e djeshme thekson se Zhaklina Peto nuk u pranua si kandidate pasi u tërhoq nga kandidimi.

Zhaklina Peto, ka hedhur poshtë këtë njoftim, duke e cilësuar të pavërtetë.

“Në lidhje me vendimin e djeshëm të KED, dua të nënvizoj se kjo është shkelja e tretë proceduriale që KED bën për kandidaturën time, por në këtë rast shkelja nuk ka njohur asnjë limit. Ajo është strukturuar dhe është zbatuar vetëm për të përmbushur një axhendë, sepse  në këtë procedurë mua me janë mohuar të gjitha të drejtat për të realizuar mbrojtjen time në përputhje me të drejtat që parashikon Kushtetuta , ligjet, aktet ndërkombëtare duke përmendur këtu nenin 6 të Konventës për të Drejtat e Njeriut për një proces të rregullt ligjor”, thekson zonja Peto.

Ajo njofton se duke qenë se është e sëmurë me Covid 19, nuk mund të mbledhur aktualisht dokumentacionin që kërkon KED por ky fakt nuk u konsiderua nga KED  (duke injoruar gjithë aktet normative të shpalluar nga Këshilli i Ministrave në situaten e pandemisë nga Sars Cov – 2).

Siç thekson zonja Peto ajo thekson ka sfiduar KED duke i thënë se ajo largohet vetëm nëse KED pranon që ka shkelur të gjitha ligjet e rregulloret për kualifikimin për Gjykatën Kushtetuese. E thekson më pas ajo, pikërisht qëndrimi i KED se Zhaklina Peto u tërhoq, “tregon se vetë KED ka pranuar që ishte në paligjshmëri.  Jam duke menduar se ndoshta gjykata do të mund ta sqaronte përsëri rastin”.

Të gjitha këto zhvillime tregojnë se Tusha ka bërë gjithçka, pa u kujdesur për ligj, për procedurë, për Gjykatë Administrative, për SPAK ku ka shkuar deponimi i Petos, për humanizëm ngaqë kemi të bëjmë me një njeri në gjendje jo të mirë shëndetësore, të prekur nga pandemia e tmerrshme, vetëm e vetëm që të çojë në tryezën e Ilir Metës Sonila Bejtjen si kandidate e vetme.

Këtë e bën pasi nuk mban asnjë përgjegjësi si profesionale e ligjore ngaqë ka 3 vjet që i ka mbaruar mandati Kushtetues. Thjesht i shërben qorrazi si kamikaze Zenit dhe klanit të tij...

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore