Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Vitore Tusha përfundon në SPAK, manipuloi KED për të zgjedhur noteren e Saliut

Vitore Tusha përfundon në SPAK, manipuloi KED për të

Vitore Tusha, e cila drejton Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, pas largimit të Adrian Dvoranit nga Meta, ka përfunduar në SPAK, pas eliminimit të një numër kandidatësh që kanë dërguar dokumentet për tu bërë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Eliminimi është kryer në mënyrë apriori, duke shkelur të gjitha ligjet dhe Kushtetutën, vetëm me qëllimin që të dërgonte në tryezën e Presidentit për të miratuar si anëtare të institucionit që interpreton ligjin themeltar të shtetit, Sonila Bejtjen, e njohur si notere e Berishës, dhe që nuk plotëson kriterin bazë për të garuar për këtë rol; qenia si magjistrate.

Sonila Bejtja, bashkëshortja e gazetarit Andi Bejtja, një mbështetës i hapur e publik i opozitës, në qëndrimet publike, ka qenë një kundërshtare e hapur e reformës për drejtësi dhe kritike e ndërkombëtarëve që monitorojnë të gjithë procesin e në radhë të parë vettingun.

Tusha, për të nxjerrë si kandidate të kualifikuar Sonila Bejten, ka eliminuar një sërë juristësh që plotësojnë të gjitha kriteret për të qenë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Pedagogia e Fakultetit të Drejtësisë të UT-së, Prof. Dr. Zhaklina Peto, e cila ka kërkuar të jetë pjesë e Kushtetueses pas vakancës së krijuar nga largimi prej vettingut i Besnik Muçit, vakancën e  presidentit Meta, është eliminuar nga gara dhe ka kërkuar drejtësinë nga SPAK.

Gjatë procesit të shqyrtimit të kandidatëve nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ky i fundit ka vendosur për moslejimin e kandidimit, duke skualifikuar një numër kandidatësh, në shkelje të rëndë të procedurës, shkelje këto që janë evidentuar nga Gjykata Administrative e Apelit, e cila ka shfuqizuar 2 vendime të KED, ku njëri prej të cilit kthen në garë kandidaten Peto dhe i kërkon Këshillit të Emërimeve në Drejtësi shfuqizimin e vendimit dhe respektimin e procedurave në përputhje me ligjin.

Në kushtet kur krijimi i Gjykatës Kushtetuese mbetet një prioritet urgjent dhe mjaft i rëndësishëm dhe kur institucionet ndërkombëtare po i bëjnë presion politikës dhe institucioneve të pavarura për të bërë efektive këtë Gjykatë, vihet re se institucioni përgjegjës për përzgjedhjen e anëtarëve, pra KED po e zhyt në paligjshmëri procesin dhe kjo po konstatohet tashmë edhe nga gjykatat kompetente.

Por pavarësisht vendimeve të Gjykatës Administrative të Apelit, në mënyrë të çuditshme, që në fakt duket sikur është e qëllimshme, KED është në shkelje të vazhdueshme të ligjit.

Ndaj ky fakt ka detyruar kandidaten Zhaklina Peto të kërkojë procedim disiplinor në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, për relatoren e çështjes, njëkohësisht anëtare e KED, Miranda Andoni. Peto kërkon përjashtimin e saj nga  procesi i verifikimit dhe vendimmarrjes, për sa kohë që pas kërkesës së procedimit të saj në ILD, Andoni gjendej në kushtet e konfliktit të interesit me kandidaten Peto.

Por të premten e shkuar më 20 nëntor, Kryetarja e KED Vitore Tusha, me një vendim të paprecedentë, vendosi mos-pranimin e kërkesës për përjashtim të anëtares dhe relatores së çështjes Miranda Andoni për konflikt interesi, duke injoruar tërësisht dispozitat e nenit 241, të ligjit 115/2016 Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë, i cili thekson se: Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi mbajnë përgjegjësi disiplinore për shkeljet disiplinore gjatë ushtrimit të detyrës si anëtarë të Këshillit. Procedimi disiplinor mund të fillojë në çdo kohë, sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

Në bazë të kësaj dispozite, anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi mund të procedohen njësoj si gjyqtarët dhe prokurorët, dhe në këtë rast institucioni që e bën këtë vlerësim është vetëm ILD-ja.

Tusha, e cila në KED është vetëm e barabartë ndërmjet të barabartëve mendon se anëtarët e KED nuk mund të procedohen, duke i cilësuar të “paprekshëm” ndonëse Ligji 115/2016, në nenin 241 e përcakton qartë këtë.

Tusha nuk pranon as heqjen dorë dhe pa-përshtatshmërinë e relatores Miranda Andoni, për shkak të Konfliktit, ndërkohë që shkronja (b) e nenit 224 të ligjit 115/2016 thekson detyrimin e anëtarit të KED-së të heqë dorë nga pjesëmarrja në procesin për verifikimin e kushteve ligjore, vlerësimin e kritereve profesionale dhe në renditjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese……b) kur ekzistojnë mosmarrëveshje ndërmjet tij, bashkëshortit/bashkëjetuesit të tij ose ndonjë të afërmi të tij me kandidatin.

Vetë anëtarja relatore ndaj së cilës është bërë procedimi, gjendet tashmë në kushtet e konfliktit të interesit me ankuesin që ka bërë ankimin, dhe jo vetëm për hir të dinjitetit të saj, por mbi të gjitha sipas dispozitës detyruese të ligjit ajo duhet të japë vetë  dorëheqjen, dhe tashmë ajo rrezikon edhe procedimin penal për shpërdorimin e detyrës.

Por kreu i KED, Tusha, me një shpejtësi marramendëse, ka nxituar të mbajë mbledhjen e radhës sot më date 23 Nëntor 2020, në ora 11.00, por tashmë po sot përpara kësaj mbledhjeje, kandidatja Zhaklina Peto ka regjistruar një kallëzim penal në SPAK kundër relatores anëtare Miranda Andoni dhe vetë zv. Kryetares të KED Vitore Tusha, të cilat tashmë bashkarisht gjenden haptazi në konflikt interesi me kandidaten Peto. 

Përjashtimi i relatores Miranda Andoni dhe Vitore Tushës nga shqyrtimi i kandidaturës të Zhaklina Peto, nuk e bllokon procesin e ngritjes së gjykatës kushtetuese, pasi në rregulloren e KED, Këshilli mund të ushtrojë vendimmarrje edhe me 5 anëtarë, por në këtë moment nuk dihet nëse Zv Kryetarja Tusha dhe relatorja Andoni do të pranojnë të heqin dorë nga procesi administrativ i kandidates Peto.

Në fakt ajo që bën çudi në vendimet e KED ndaj kandidates Peto të cilat u shfuqizuan nga Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, është informacioni se Znj. Peto në bazë të raportit të ILDKPKI dhe institucioneve të tjera kishte kaluar me sukses kriterin e pasurisë, figurës dhe integritetit dhe atë profesional dhe se nga kontrolli i ILDKPKI në lidhje me pasurinë u konstatua se: “Deklarimi është i saktë në përputhje me ligjin;Ka burime financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë; Nuk ka kryer fshehje të pasurisë;Nuk ka kryer deklarim të rremë;Kandidati nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesit”.

Ky rezultat i ILDKPKI tregon se kandidatja ka kaluar me sukses procesin e vettingut dhe se ky vendim është përfundimtar dhe se ajo nuk do të vetohet më për periudhat e shkuara.

Gjithashtu, ajo ka marrë vlerësime pozitive nga të gjitha institucionet e tjera publike të përcaktuara në ligj për verifikimin e kandidatëve për anëtarë të gjykatës kushtetuese. Në aspektin profesional ajo plotëson të gjitha kriteret e përcaktuara në nenin 125 në  të Kushtetutës i cili përcakton se 4 Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë arsim të lartë juridik, të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, nëpunës të nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës.  

Vitore Tusha dhe anëtarë të tjerë të KED, kanë kualifikuar në fakt një kandidaturë, e cila nuk plotëson kriterin kryesore atë profesional, siç është Sonila Bejtja.

Paligjshmëria e KED ka kompromentuar rëndë procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Kushtetueses, dhe po zgjat pafund një proces kaq shumë të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë dhe qytetarët.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore