Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Kulisat në KED/ Si po abuzohet ndaj kandidates Zhaklina Peto për të favorizuar Sonila Bejtjen

Kulisat në KED/ Si po abuzohet ndaj kandidates Zhaklina Peto për

Zhaklina Peto është një nga emrat e kandidatëve për anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Por ata që po ndjekin emërimet e shpejta në këtë Gjykatë, u befasuan dje pas një njoftimi të KED (Këshillit të Emërimeve në Drejtësi) se “kandidatja Zhaklina Peto është tërhequr nga gara”.

“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi vijoi me shqyrtimin e gjetjeve në procedurën e verifikimit për kandidatin për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019 vendosi: Përfundimin e procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes, së kandidaturës së Zj. Zhaklina Peto, për shkak të tërheqjes nga kandidimi, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese” – thuhet në njoftimin e KED.

A është tërhequr vërtetë Zhaklina Peto? Apo KED ka shpërndarë për publikun një lajm të rremë duke vënë seriozisht në dyshim besueshmërinë e kësaj strukture? Nëse po, përse e ka bërë një gjë të tillë?

Për të kuptuar këtë dhe bashkë me këtë, një pjesë të kulisave politike për emërimet e reja në drejtësi, DITA e ka ndjekur këtë rast nga fillimi:

Peto është rrëzuar dy herë nga KED, rrëzim që nuk e lejon emrin e saj të shkojë në Presidencë për vijimin e procedurës. Në të dy rastet, ajo është ankuar në Gjykatën Administrative. Kjo e fundit, pasi ka parë dokumentacionin, me vendim të formës së prerë ka detyruar KED të rimarrë në shqyrtim rastin.

Pas vendimit të Administratives, KED e njoftoi Peton ditën e hënë që të vinte të mërkurën, për të paraqitur relacionin dhe argumentet e mbrojtjes, duke mos i lënë kohën që dikton ligji për t’u përgatitur. Po edhe sikur Peto të përgatitej për më pak se një ditë, sërish nuk do mundej.

Sepse ditën e shtunë, Peto është konfirmuar me Covid, siç shihet nga testi që gazeta disponon. Për t’ia vërtetuar këtë KED-it, Peto ka paraqitur raportin mjekësor të mjekut pas simptomave dhe konfirmimin e testit pozitiv.

Si pasojë e situatës shëndetësore të rënduar, në mënyrë të arsyeshme dhe konform të drejtës sime, KED duhet të shtynte procesin për 14 ditë”, është shprehur Peto. E kontaktuar nga DITA, ajo tha se përveç kësaj lajmin, që ditën e mërkurë duhej të paraqitej përpara KED, e ka mësuar nga media.

KED ka detyrimin të njoftojë kandidatin për datën e mbledhjes dhe jo të lajmërojë sot për nesër në media”, tha Peto dhe shton: “Kjo është një shkelje e hapur e ligjit, përpos ironisë e cinizmit, KED në mënyrë joobjektive e të paarsyeshme, nuk pranon të shtyjë procesin për një periudhë të përshtatshme në proporcion me situatën time shëndetësore, duke më vendosur në një pozicion të papërshtatshëm apo të pamundur për të ushtruar të drejtat e mia”.

Po përse e rrëzon KED kandidaten Peto? KED e akuzon zonjën Peto për mospagimin e detyrimeve tatimore për një automjet.

KED i është drejtuar tatimeve në lidhje me këtë pretendim dhe përgjigja është mohuese: Nuk ka shkelje nga kandidatja  Por këtë shkresë të tatimeve Relatorja e KED, Miranda Andoni nuk e ka pasqyruar në relacion. Sipas Petos kjo shkelje është e qëllimshme.

“Me qëllim e ka drejtuar Këshillin në një vendimmarrje të gabuar, duke kryer kështu veprën penale të fshehjes së dokumenteve zyrtare me qëllimin e rrëzimit dhe përbaltjes së figurës dhe integritetit të kandidates” – thotë Peto.

Apeli Administrativ i jep të drejtë. I njohur me dokumentacionin e mësipërm Apeli rrëzoi vendimin e dytë të KED të 23 nëntorit, që riskualifikoi Peton. Sipas Apelit, KED nuk kishte zbatuar detyrat e caktuara nga Gjykata e Apelit Administrativ në vendimin e parë.

Ndër këto detyra të paplotësuara, ishte moskryerja e një hetimi të thelluar administrativ mbi dy konkluzione të kundërta, mbi pasurinë e Petos.

Loja në passkenë për të “zhdukur” Peton

Në dukje përjashtimi i zonjës Peto nga KED është “procedurial”, por në të vërtetë është një lojë politike për të zgjedhur në kushtetuese një emër tjetër. Në garë me zonjën Peto është kandidatura e zonjës Sonila Bejtja që është shqyrtuar nga KED.

Nga ajo që shkruajnë mediat, zonja Bejtja është e preferuara e kreut të shtetit për në Kushtetuese, por ka një ngërç.

Nëse Zhaklina Peto shqyrtohet nga KED dhe dërgohet në presidencë, për shkak të pikëzimit ajo del përpara zonjës Bejtja, çka do ta vinte Metën në pozitë të vështirë sepse do di duhej të zgjidhte publikisht kandidaten më të dobët. Me skualifikimin e zonjës Peto, Presidenti ka vetëm një kandidaturë.

Shihet se skualifikimi i Petos nuk ka rezultuar i lehtë pas vendimeve të Gjykatës Administrative, derisa sot KED duket se ka humbur durimin në përpjekjen për të bërë lojën e Metës. Ka njoftuar publikisht “tërheqjen e Petos” nga kandidimi.

Si ka mundësi që një kandidate kaq luftarake që ka fituar dy herë në Gjykatën Administrative, u tërhoq kaq papritur? KED thotë se është bazuar në një letër që kandidatja Peto u ka nisur dje lidhur me pamundësinë për t’u paraqitur me shkak COVID-in.

Në fakt nuk ka tërheqje nga kandidimi të Petos dhe kjo dallohet në letrën e saj edhe nga një jurist me formim mesatar. Ose KED është thjesht amatoresk në interpretimin e letrës së saj, ose KED e keqlexon me dashje tekstin.

Në të dy rastet nuk është duke ushtruar përgjegjësitë që i ngarkon ligji dhe procesi i reformës në drejtësi, më saktë leva kyçe e kësaj reforme, kthimi i besimit të publikut tek drejtësia.

Vetë Peto e vë në dukje këtë paradoks mbi “tërheqjen” e saj, duke thënë:

“Jam e befasuar. Unë i paralajmërova se do ta konsideroja dorëheqjen në rast se do vazhdonin me këtë paligjshmëri duke shkelur nenin 6 të konventës të të drejtave të njeriut. Unë nuk kam shprehur vullnetin. Që të japësh dorëheqjen sipas ligjit duhet të shprehësh vullnet të thuash unë po jap dorëheqjen. Ta konsiderosh është ta mendosh”. Dhe shton me ironi “Kjo është gracka në të cilën ranë elitat”.

Një nga juristët e Reformës, në kushte anonimati pasi iu vu mbrëmë në dispozicion letra e Petos dhe njoftimi i KED pas saj, u shpreh:

Nga njoftimi zyrtar duket që mezi e kanë pritur këtë hap të saj; ose nuk kanë lexuar dot mes rreshtash, ose nuk kanë dashur. Sidoqoftë, bie erë amatorizëm; janë dëshmuar mediokër në frymë dhe në vendimmarrje. Nuk është puna tek një kandidate, nuk duhet lejuar një nivel i tillë në KED, as në  institucionet e reja të drejtësisë. Ndryshe do kthehen shumë shpejt në strofulla parazitësh”.

Peto thotë se do t’i drejtohet për herë të tretë Gjykatës Administrative pas këtij njoftimi të rremë të KED. Kjo do pengojë dërgimin e një kandidature të vetme nga KED, te Presidenti, atë të Sonila Bejtja. Me gjasa do të jetë KED e re ajo që do të vendosë për të dyja këto kandidate.

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016./gazetadita

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore