Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Përse kasta e vjetër politike në PD duhet mbajtur sa më larg?!

Përse kasta e vjetër politike në PD duhet mbajtur sa më

Ka një reagim viral në rrjet ndaj një tendence që është vënë re nga ana e Partisë Demokratike për të thirrur disa figura të së shkuarës së saj në pushtet, si pjesë e strukturave garantuese dhe mbikëqyrëse të procesit të shoshitjeve të kandidaturave për deputetë.

Vihet re në këto reagime që normalisht nuk janë uniforme dhe kanë natyrisht subjektivizmat e pritshme, pasi bëhen nga njerëz që kanë mish e kocka, mendime e qëndrime të tyret, një rezultante e përgjithshme.

Rezultante që duket si një dëshirë apo ide e bërthamës më racionale të atyre që mbështesin opozitën dhe duan rikthimin e saj në qeverisjen e vendit.

Kjo rezultante konsiston në idenë se më mirë sesa rikthimi i emrave të vjetër, PD-së i vyen më shumë një promovim i figurave të reja, të freskëta, normalisht me përvojë intelektuale, por me më sa më pak përvojë politike, sidomos në qeverisjet e shkuara.

E parë me ftohtësi, ky objektiv, apo synim, qoftë edhe ide, është mjaft racional, progresiv dhe i shëndetshëm për shoqërinë.

Pasi ndërsa shoqëria, e pa inkuadruar në partitë politike prej vitesh kërkon me ngulm një rinovim të klasës politike, këtë reflektim e kanë edhe ata që identifikohen si mbështetës të Partisë Demokratike.

Prej 48 orësh, këtë rezultante e shikon në qëndrimet e mjaft personave që kanë një qëndrim të qartë opozitar, duan largimin e Edi Ramës dhe urojnë PD-në të vijnë në pushtet që e quajnë kauzë të tyre. E pikërisht nga vështrimi apo analizimi i këtyre qëndrimeve kemi ardhur tek ky përfundim që tashmë është shumë i qartë.

Njerëz që dalin hapur dhe flasin prej vitesh kundër qeverisë e mazhorancës aktuale, që duan pasi edhe kanë votuar për PD-në, madje edhe rregullisht, kërkojnë një rinovim të klasës politike që Partia Demokratike do të sjellë para zgjedhjeve parlamentare.

Është një zhvillim i rëndësishëm, që ja vlen të identifikohet e komentohet gjithashtu.Realisht, aksioni që Lulzim Basha nisi me një proces të brendshëm në parti për të propozuar, shoshitur e analizuar kandidaturat për deputetë, si dhe për zgjedhjen e emrave që do ta vëzhgojnë këtë proces, ka ngjallur një debat vibrant.

Një debat që është shumë herë më mirë sesa proceset që prodhohen nga “lart” siç ka ndodhur në 2004-2005 me KOP apo edhe me zhvillime të tjera.

Pra ka një sens, një sentiment, një lëvizje që ushqen në mënyrë natyrale një rritje të opozitës jo nga e kaluara, por tek e ardhmja. Fundja kështu ndodh me të gjitha forcat që kërkojnë të vijnë në qeverisje jo thjesht me propozimet ideore, por edhe ato njerëzore.

Dhe kjo ndjenjë, përpara, se të hapet në shoqëri, ka lindur dhe ushqehet brenda Partisë Demokratike.

Nuk ka emër tjetër, veçse natyrshmëri pozitive për të parë tek e ardhmja, nuk ka emër tjetër veçse kuptim i vibracionit që vjen nga shoqëria për një rinovim rrënjësor të klasës politike në vend.

Dhe këtë rinovim, duket e kërkojnë të vërtetë, jo thjesht me zëvendësimin e emrave me pjesëtarë dinastish familjare, por me zëra që ushqejnë mendimin por edhe aktivizimin qytetar e thuaje edhe militant.

Ky zhvillim që po vihet re këto 48 orë, nuk është gjë tjetër veçse ogur i mire i një procesi që duhet të ecë deri në pranverën e ardhshme, që natyrisht kërkon edhe mbështetjen e rëndësishme nga lidershipi, që duhet të bëhët zëdhënës i sinjaleve që vijnë nga njerëzit.

PD, por jo vetëm ajo, opozita, e jo vetëm ajo, por edhe PS, mazhoranca e të gjithë forcat politike nuk humbin nga një rinovim i grupimit përfaqësues, por e freskojnë këtë ambient kënete politike 30-vjeçare që vetëm e ka rënduar ambientin; ka hapur një “malarje politike” që s’ka kininë që e shëron; kërkon bonifikim rrënjësor.

Dhe në këtë proces, ka edhe një trend europian edhe botëror. Qoftë duke marrë modelet e fqinjëve tanë, në Itali, Greqi, Francë e kudo, që po synohet të rifreskohet klasa politike, duke larguar sa më shpejt e sa më prerë kastën e vjetër, e për të nxjerrë një brez të ri politik.

Largimi i kastës së vjetër politike duhet të ndodhë edhe në Shqipëri, sidomos të atyre që janë akuzuar se përfshirë në korrupsion, ndryshe nuk qarkullojnë elitat politike.

Fundja, është normale për këdo që të largohet nga politike pas një përvojë dy mandatesh, pasi nuk ka ç’të japë, sidomos kur nuk ka sjellë një ndryshim epokal. 

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore