Vendi jonë shquhet për ligjet të mira që janë “çertifikuar” nga organizmat botërore, por se ajo çfarë çalon në Shqipëri është mos zbatimi i tyre, duke i ikur shprehjes së famshme: ligji është i barabartë për të gjithë.


Precedentët e mos zbatimit të ligjit janë të pafund, por ne po përmendin rastin e Caci Dhamos nga Libofsha e Fierit dhe të biznesmenit Arben Reli, që të dy të akuzuar për të njëjtën vepër penale, por që “Maliqi” ka vendosur ta zbatojë ndryshe ligjin.


Caci Dhamo u dënua nga Gjykata për ndërtimin e një çatie për kotecin e pulave dhe gjyqi zgjati pa fund.



Caci Dhamo në mes të dy mureve që akuzohet se ka ndërtuar pa leje


E kundërta ndodh me biznesmenin Arben Reli, i cili është denoncuar për ndërtim pa leje në hotelin e ndërtuar në resortin në Moravë të Korçës. Emisioni “Fiks Fare” e denoncoi faktin që një pjesë e objektit të këtij resorti ishte ndërtuar pa leje dhe kjo vuri në lëvizje policinë. Fillimisht biznesmeni Reli ishte zhdukur dhe u shpall në kërkim. Më pas ai u paraqit në policinë e Korçës dhe prokuroria e këtij qyteti e la për t’u hetuar në gjendje të lirë, edhe pse akuza për ndërtimin pa leje u faktua nga emisioni “Fiks Fare”.


Në bazë të Kodit Penal, “ndërtimi i kryer pa leje, në shkelje të rëndë të lejes ose në kushtet e një lejeje të shfuqizuar në tokën në pronësi të vet, dënohet me burgim deri në një vit”.


Ky është minimumi i dënimit, por Kodi parashikon në nenin 199/a  se nëse “Po kjo vepër, e kryer në tokën publike ose shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Po kjo vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda apo e kryer për qëllime fitimi, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet”.


Pra këto janë “çudirat” që sjellin standarde të dyfishta të zbatimit të shtetit ligjor, ku një biznesmen për të vepër penal hetohet i lirë, për ndërtim pa leje të një pjese të resorit, ndërsa qytetari i thjeshtë  arrestohet për çatinë e kotecit të pulave.