Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Aktualiteti

Fiks Fare/ Resorti Montrelux në Korçë që përuruan ministrat, pa leje ndërtimi!

Fiks Fare/ Resorti Montrelux në Korçë që përuruan

Një nga resortet në qytetin e Korçës, i cili u "përurua" edhe nga disa ministra të kabinetit Rama, është ndërtim pa leje! Fiks Fare faktoi me zë, figurë, por edhe me dokumente, se mijëra metra katrorë ndërtime në këtë objekt, të ndërtuara pas vitit 2017, janë bërë pa asnjë leje nga organet kompetente. Dhe, askush prej institucioneve, nuk ka reaguar, duke miratuar në heshtje këto ndërtime. Madje, kanë lejuar që për të njëjtin objekt të ketë dy emra, ku qendra turistike "Morava Resort" me vendime false mori emrin "Montrelux". Dhe pasi ndryshoi emrin e qendrës turistike, Arben Rreli, i arrestuar dhe proceduar disa herë për ndërtime pa leje në Tiranë, filloi të ndërtojë pa leje edhe në Moravë.

Si u tjetërsua "Morava Resort"

Fiks Fare udhëtoi drejt malit Moravë në Korçë, pikërisht në pikën turistike "Morava Resort", një investim i nisur vite më parë. Godina kryesore, ka qenë para viteve '90 shtëpi pushimi. Më pas u privatizua sipas ligjeve dhe disa biznesmenë filluan të investonin. Në vitin 2009, pika mori emrin "Morava Resort", sipas një dokumenti në Qendrën Kombëtare të Biznesit, me dy ortakë që kishin secili 50 përqind të aksioneve.

Deri në vitin 2011, në "Morava Resort", kanë investuar të dy ortakët, Arben Rreli dhe S.B. Në këtë vit, një nga ortakët Arben Rreli, bëri një falsifikim dokumentesh dhe tentoi të nxjerrë lejen e objektit në komunën Drenovë vetëm në emrin e tij. Këtë dokument fals, ai e përdori në komunë! Por, ortaku tjetër, S.B, bëri një deklaratë po në Komunën Drenovë, ku ndaloi çdo procedurë për lejen e ndërtimit.

Ndërkohë, në vitin 2017, Arben Rreli rifilloi punimet pa dijeninë dhe pa miratimin e ortakut tjetër, në fshehtësi, edhe pse objekti është i përbashkët. Por, babëzia vijon më tej. 11 vite pas hapjes së "Morava Resort", Arben Rreli, krijon një tjetër shoqëri po në këtë biznes, me emrin "Montrelux", ku ai është aksioner me 100 përqind. Sipas dokumentit në QKB, ky biznes e ka zyrën qendrore të shoqërisë në qendrën turistike "Mali i Moravës". Pra, ai mbivendosi bizneset. Dhe, duke i ndryshuar emrin, anashkaloi ortakun tjetër.

Në vitin 2018, sipas dokumenteve nga Bashkia e Korçës, Arben Rreli aplikon në Bashkinë e Korçës për të bërë meremetime në resort. Në këtë dokument, i cili bën fjalë për "punime riparimi në kompleks turistik", Arben Rreli thotë se pronar është vetëm ai. Madje, përdor emrin "Morava Resort", kur në fakt rezulton se me këtë emër ai ka vetëm 50 përqind të aksioneve!

Ndërtimet pa leje, pas 2017-ës

Fiks Fare vëzhgoi zonën në fjalë, në lidhjet me ndërtimet e reja. Sipas disa dokumenteve zyrtare nga Bashkia e Korçës, Arben Rreli ka bërë një deklaratë për punime të brendshme dhe sistemime. Në sistemin e-leje ka vendosur edhe disa fotografi të "Morava Resort". Por, dy vite më pas, sipas një vëzhgimi të Fiks Fare, rezulton se janë bërë punime shtesë. Megjithëse nuk ka leje ndërtimi, në kompleks janë bërë ndërtime të reja, që nga themeli. Madje, biznesi është "përuruar" edhe nga eksponentë të qeverisë Rama.

Disa javë pas këtij përurimi, në momentin që Fiks Fare bëri vëzhgimin, dhjetëra punëtorë vazhdonin të punonin, duke hedhur beton, llaç, tulla, por edhe çati. Veranda që ndodhet para objektit është ndërtuar në vitin 2019 pa asnjë leje. Ligji përcakton qartë se, ndërtimet pa leje, duhet të prishen nga IMT! Madje, edhe kryeministri Rama ka qenë i qartë në daljet publike, duke i bërë apel policisë: ndërtimet pa leje, të hetohen njësoj si vrasjet.

Bashkëshortja e pronarit: 14 dhoma të reja

Pas vëzhgimit në terren, gazetarët e Fiks Fare biseduan edhe me bashkëshorten e z.Arben Rreli, në lidhje me ndërtimet e reja. "Dhomat e reja do të jenë në shërbim të kazinosë. Do të jenë 14 dhoma. Duhet të blejmë brand-in e kazinosë" tha ajo. Megjithëse biznesi "Montrelux" është i dubluar me "Morava Resort", gruaja e pronarit thotë se po tentojnë që të bëjnë brandin e tyre me emrin "Montrelux". "Brand-in duam të bëjmë tonin, Montrelux. Normalisht pretendojmë për 5 yje, por që të vijë ai të më bëjë 5 yjet, për momentin unë e kam deri në 4 që mund ta marr. Po do bëhet edhe pistë helikopteri, do merren makina me qira, kuaj për në verë" thotë ajo.

Në momentin që Fiks Fare e pyet zonjën nëse punimet e reja kanë apo jo lejet ndërtimi, ajo thotë se këtë informacion duhet t'ia merrim Benit. "Patjetër që duhet t'i kemi marrë, se Beni si bën pa i marrë! Dhe këto që më kërkove mua do t’ia kërkosh Benit" thotë ajo.

Fiks Fare/ Resorti Montrelux në Korçë që përuruan Fiks Fare/ Resorti Montrelux në Korçë që përuruan Fiks Fare/ Resorti Montrelux në Korçë që përuruan Fiks Fare/ Resorti Montrelux në Korçë që përuruan

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore