Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Me Rëndësi

Intervista për  Shqip/ Ziadin Sela: Ja pse e refuzoj qeverinë me Ali Ahmetin dhe roli i Ramës në negociata

Intervista për  Shqip/ Ziadin Sela: Ja pse e refuzoj qeverinë me

Nuk ka asnjë dilemë Ziadin Sela; shqiptari që luftoi trup me trup me Zoran Zaevin në marsin e 2016-n në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, ku rrezikoi jetën pas sulmit të paramilitarëve të Nikolla Gruevskit.

Siç bëri atëherë kur u kthye një faktor kyç për rrëzimin e Gruevskit, u largua nga qeveria, pikërisht për të mos qenë një parti-fasadë.

Edhe sot ai mendon që edhe pse ka rritur deputetët e saj në 12, do të qëndrojnë në opozitë, pasi e shikon si një akt jetik për të shpëtuar demokracinë. Pikërisht për këtë srtategji, negociatat me Gruevskin, apo Ali Ahmetit, Ziadin Sela, kreu i “Aleancës Shqiptare”,  flet në një intervistë për “Shqip”, ku analizon edhe rolin e Tiranës zyrtare dhe Edi Ramës, për zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, por edhe më tej.

Sela në intervistën e tij, flet edhe për bashkëpunimin e ngushtë me Albin Kurtin dhe komenton ngritjen e degëve të tij në Prishtinë dhe Tiranë...

Zoti Sela, tashmë u krijua  qeveria e re e Maqedonisë sipas marrëveshjes LSDM- BDI dhe BESA. Pse Aleanca nuk u bë pjesë e një marrëveshje të tillë?

Në momentin që po e realizojmë këtë intervistë shumica e re qeverisëse nuk është krijuar akoma. Maqedonia e Veriut është republike parlamentare dhe si e tillë ndërtimi i institucioneve e bashkë me këtë edhe të qeverisë është kompetencë e parlamentit dhe deputetëve dhe jo e kryetarëve të partive. E vërtetë është se ka një marrëveshje paraprake mes kryetarit të LSDM-së, z. Zoran Zaev dhe kryetarit të BDI-së,  z. Ali Ahmeti për krijimin e një shumice të re parlamentare, por tani fjalën e kanë deputetët në parlament.

Çdo ditë po shtohen zërat se shumica e brishtë prej 62 deputetësh, e dakordouar mes dy kryetarëve të sipërpërmendur dhe marrëveshja e arrirë po has në rezistencë tek disa deputetë të kësaj shumice. Për pasojë ngelet të shohim në ditët në vazhdim shumica e dakorduar ndërmjet dy kryetarëve do ta krijojë qeverinë, apo z. Zaev do t’i digjet mandati për të udhëhequr qeverinë për katër vitet e ardhshme.

Sa i përket pozicioneve të Aleancës në këtë marrëveshje ne kemi qenë të qartë që në fillim. E para zgjedhjet janë të kontestueshme nga ana jonë sepse verdikti i qytetarëve është i manipuluar dhe i vjedhur  si pasojë e një inxhinjeringu zgjedhor që e bëri qeveria e LSDM-BDI dhe si të tilla s’kanë legjitimitet as njëra e as tjetra.

Nga ana tjetër, kryeinstrumenti i këtij inxhinjeringu manipulativ zgjedhor, Komisioni Shteteror Zgjedhor u ka dhënë legalitet këtyre zgjedhjeve. Në këtë situatë ne i kemi lënë hapësirë oponencës tonë BDI-së dhe z.Ali Ahmeti që të mbajnë të vetmin premtim zgjedhor që kishin (të rrejshëm kuptohet siç e dëshmoi edhe marrëveshja Ahmeti-Zaev) për kryeministër shqiptar.

Kemi shkuar edhe më tej duke i thënë disa herë publikisht që ta bëjë kryeministrin shqiptar dhe për këtë ka edhe përkrahjen e 12 deputetëve tanë. Mendoj se tanimë që u vërtetua mashtrimi dhe premtimi i rrejshëm i z.Ahmeti, BDI do të duhet të shkojë në opozitë.

Intervista për  Shqip/ Ziadin Sela: Ja pse e refuzoj qeverinë me

Keni thënë që kjo qeveri është mashtruese; e para BDI që mashtroi për kryeministrin shqiptar dhe më pas LSDM që tha se BDI duhet të jetë në opozitë. Më kë në fakt e keni më shumë inatin me Ahmetin apo Zaevin?

Me asnjërin prej tyre s’kam inate, por kam dashuri për shqiptarët. Kam parasysh të kaluarën e tyre, jam i përgjegjshëm për ardhmërinë e tyre, kuptohet për aq sa më takon, e ju takon të gjithë shqiptarëve, për të përparuar me demokracitë dhe civilizimin perëndimor. Shoqëria shqiptare këtu në Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur rotacion pushteti që nga viti 2002. Janë 18 vite në pyetje.

Demokracia pa ndryshim e humb kuptimin dhe shnëdrrohet vetëm në një pluripartizëm, defakto monizëm me të gjitha karakteristikat që e shoqërojnë atë, që për shqiptarët s’është i panjohur, sepse e kanë paguar çmimin e kësi lloj sistemesh anti-demokratike më shumë se cilido popull tjetër në rruzullin tokësor.

Enver Hoxha qeverisi 40 vite me Shqipeerinee, Ali Ahmeti po arrin gjysmën e mandatin që Enveri pati! Mashtrimi nuk ka të bëjë me ato çështje që ju apostrofoni, sepse në të vërtetë është marrëveshje paraprake e arrirë mes tyre dhe jo mashtrim.

Marrëveshje për të ngritur tensionet ndëretnike dhe që të dy të arrijnë më lehtë te votuesi. Njëri te votuesi maqedon, e tjetri te ai shqiptar. Si e spjegoni  ndryshe faktin që me gjithë “kundërshtitë  e mëdha” arritën marrëveshje në afat rekord, vetëm tre ditë pasi z.Zaev mori mandatin për t'u bërë kryeminister?  Akrobacizma të tilla z. Ahmeti i ka bërë në çdo cikël elektroal herë me Nikolla Gruevskin, e herë me Zoran Zaevin.

Herë- herë shqiptarët i kanë paguar edhe me gjak pasojat e marrëveshje -mashtrimeve të tilla paraelektorale. Mashtrimi real është manipulimi i zgjedhjeve sepse ne asnjëherë nuk pretendojmë që Zaevi, apo dikush tjetër nga partitë maqedonase ta dërgojë BDI-në në opozitë.

Këtë duhet ta bëjnë shqiptarët dhe kësaj radhe ata e bënë, e dërguan në opozitë BDI- në. Por vullneti i tyre u manipulua nga KSHZ, u frikësua dhe u shantazhua nga forcat policore të të dy këtyre partnerëve, u ble nga oligarkët qe si për rregull i prodhon defakto-monizmi i z.Ahmeti.

Përtej batutës, zoti kryetar, më mirë 32 deputetë shqiptar të bashkuar bashkë në një qëndrim apo 19 në pushtet e 12 në opozitë. Përse nuk mund të behet bashkë faktori politik shqiptar?

Çdoherë përtej batutës, siç e theksova edhe më lart asgjë të mirë nuk sjell për qytetarët defakto-monizmi. Një bashkim i tillë shqiptarët do t’i kthente prapa në kohë në monizëm dhe jo drejt vlerave ku duhet të hapërojnë. Në demokracitë liberale, vlerë është llogaridhënia dhe vetshërimi i sistemit demokratik nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të drejta. Një mundësi e tillë e bashkimit, do e varroste demokracinë brenda shqiptare akoma më shumë.

Lind pyetja logjike, kush do e përfaqësonte qytetarin  shqiptar që do të ndjehet i papërfaqësuar nga një shumicë 32 deputetësh të bashkuar në qeveri?  Mos harroni se në demokracitë e mirëfillta, edhe opozita është organ i sovranitetit të popullit, po aq sa edhe qeveria.

Të zhbësh opozitën nëpermjet thirrjeve të tilla për bashkim, s’është gjë tjetër veç të shtypësh këtë pjesë të sovranitetit të popullit. Fatkeqësisht thirrje të tilla për bashkim të spektrit politik shqiptar i gjen kudo. Janë analistë e politikanë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut që e kërkojnë tek politikanët në Kosovë dhe anasjelltas. Janë politikanë nga Kosova që e kërkojnë, në Shqipëri janë analistë e politikanë që e kërkojnë, siç janë edhe në Maqedoninë e Veriut.

Kjo flet se sa të papjekur jemi ne në atë që quhet demokraci dhe të papërgjegjshëm për pasojat që lëmë pas. Pa vetëdije e shprehim shumë publikisht një infantilizëm politik, një bashkim si forme. Dhe nuk jemi aspak të vetëdijshëm që në emër të kësaj terësisë dhe të formulës, të gjithë si një i vetëm të bashkuar për pasojee do të kishim, shtypjen veç e veç të gjithsecilit prej nesh si qytetar.

Linja bashkëpunimi nga ana tjetër ndërmjet këtyre faktorëve politkë që ju i quani me numër 32 mendoj se është e domosdoshme në menyrë që njeherë e përgjithmonë t’i japim fund pabarazisë dhe diskriminimit sistematik që po na ndodh ne shqiptarëve këtu.

Intervista për  Shqip/ Ziadin Sela: Ja pse e refuzoj qeverinë me

Duket se keni një betejë “eterne” me Ali Ahmetin, një betejë që duket ua la stafetën Arbën Xhaferi nga partia që ju i përkisnit, deri kur do të zgjasë kjo “luftë”?

Me vjen keq për keqinterpretimin që i bëni filozofisë dhe veprimtarise politike të  z.Arbën Xhaferi. Po në të njëjtën mase gaboheni kur konstatoni së unee kam ndonjë betejë të përjetshme dhe të pafund me z. Ali Ahmeti.

Beteja ime dhe e partisë që përfaqsoj është betejë kundër një sistemi politik hibrid që synon të ndërtojë një shtet mono-etnik, në një realitet binacional. Ështe e orientuar kundër eksploatimit dhe diskriminimit  dhe assesi kundër ndonjë emri të përveçëm. Herë- herë krijohet përshtypja e gabuar e një beteje me emra të përveçëm , por ata s’jane qëllimi i kauzës sonë, janë vetëm pengesa që vështirësojnë arritjen e së drejtës që prodhon paqen. Dhe këtë e bëjnë në emër të paqes që na boshatis trojet, e që mban gjallë projektin për deshqiptarizim të Maqedonisë së Veriut.  

Përtej propagandës, a mund të realizohet ndonjë herë ideja e një kryeministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut?

T'i hysh analizës së një ideje që s’është as ide, është e vështirë në këndvështrimin tim. Nuk mendoj se ia vlen të harxhosh energji me një anti-ide dhe anti-kauzë. Në ish- Jugosllavi, komunistët jugosllavë si strategji veprimi karshi shqiptarëve kishin të ashtuquajturin përfaqësim simbolik të shqiptarëve në kuader të Federatës.

Për këtë elitë politike siguronte trajtim maksimal dhe elitar, ndërsa për shqiptarët siguronin marrëveshje ndërshtetërore për shpërngulje të tyre në Anadoll. Ishin në numër të konsiderueshëm postet publike. Sinan Hasani për shembull, një periudhë ishte edhe president i shtetit Jugosllav, dhe ne ndërkohë që shqiptarët një punësim të thjeshtë nuk e realizonin në institucionet e shtetit.

Kjo elitë politike shqiptare thjesht ishte mbulesë për diskriminimin etnik që ju ndodhte shqiptarëve. Më të zëshmit kundër “nacionalizmit dhe irredentizmit” shqiptar, ishin po këta shqiptarë. Ka shumë ngjashmëri sjelljeje politike nga ajo kohe edhe sot në Maqedoninë e Veriut.

Shoh për shembull këta oponentët e mi, për të lëpirë një kockë më shumë nga qeveria, dalin e më akuzojnë mua për nacionalizëm, njësoj siç bënin dikur komunistët shqiptarë peër të treguar besnikëri ndaj padronit të tij sllav.

 Realisht problemi në Maqedoninë e Veriut nuk është mungesa e një kryeministri shqiptar, por mungesa e kryeministrit, i cili do të jetë i tillë për të gjithë, pa marrë parasysh përkatesinë etnike qe ai ka.

Ju me pyetni a do të realizohet ndonjëherë “ideja”!?  Për mua është vetëm një mashtrim elektoral, e në qoftë se nuk do të ishte mashtrim elektoral, përsëri s’është ide, por vetëm një post publik, asgjë më tepër e as më pak.

Në fund të fundit, demokracia është vullnet shumice. Kryeministri, rezultat i një minimumi prej 61 deputetësh dhe jo prej 32 deputetësh, të cilët edhe po u bënë bashkë rreth këtij posti dhe jo ideje, do të kenë një kryeminister që flet shqip dhe marionetë në duart e partisë politike maqedone- partnere në bashkëqeverisje, për shkak se këtij 32-shi perballë, do t’i qëndronin ose 44 ose 41 deputetë maqedonas

 Pra simbolika të tilla nuk na duhen,mbulesë për diskriminimin sistemor që u bëhet shqiptarëve këtu në Maqedoni jo se jo. Në qoftë se ndonjëherë Maqedonia e Veriut do të ketë rregullim tjetër kushtetues, atëherë po që ka kauzë dhe ide, atëherë po që do të kishim kryeministër shqiptar me një shumicë deputetësh shqiptarë që i qëndrojnë pas në shërbim të shqiptarëve dhe jo marionetë e dikujt tjetër.

Tema reale sot në Maqedoninë e Veriut nuk është kryministri, por krimi dhe korrupsioni që ka kapluar shoqërinë shqiptare, mungesa e lirisë dhe e sigurisë në shtëpitë e tyre, pa perspektiva ekonomike dhe mungesa e shpresës,migrimi dikur në Anadoll e sot në Perëndim.

Temë reale janë mbi shtatëdhjetë mije shqiptarë pa nënshtëtesi në Maqedoninë e Veriut, edhe pse janë këtu shumë përpara se Maqedonia të ishte shtet e të kishte shtetësi për vete. Temë reale, janë mbi një mijë nxënës shqiptarë gjashtë e shtatë vjeç të cilëve nuk lejohet mësim në gjuhën shqipe dhe mësojnë në gjuhë maqedone. E shume çështje të tjera.

Zoti Sela, ju jeni një politikan i gjeneratës së re edhe pse keni vite në politikë i provuar edhe si kryetar i Strugës. E kjo ideja e rinovimit të elitës politike është një refren në gjithë botën shqiptare, por që kur bëhen zgjedhjet ngec....

Pak më herët e përmenda se shqiptaret dhe në përgjithësi ish-vendet e bllokut të Lindjes janë me moshë të re në doktrinën që quhet demokraci. Ka më shumë imitime të shëmtuara të shprehjes së vullnetit të lirë të qytetarit, sesa shprehje e njemendtë e vullnetit te tij. Edhe sot, jo më larg se një muaj, në Maqedoninë e Veriut fituesin e percaktoi jo ai që votoi, por ai që numeroi, njëjte sipas logjikës së famshme staliniane.

Zgjedhjet e lira dhe përfaqësimi i mirfilltë janë instrumente pa të cilët demokracia nuk realizohet. Kur zgjedhjet s’jane të lira përfaqësimi s’është i vërtetë. Prandaj ngec ajo që ju e quani rinovim i elitës politike shqiptare.

Shkak tjetër i ngecjes është mirëqenia ekonomike. Jam ithtar i definicionit që :”Një shtet është demokratik po aq sa e ka të zhvilluar shtresën e mesme ekonomike të saj.” E kur jemi te kjo shtresë ekonomike që e mban në jetë demokracinë e një vendi, ne si botë shqiptare na mungon, ose më saktë e kemi të syrgjynosur në perëndim.

Në Maqedoninë Veriore për shembull, sipas një studimi të Bankës Botërore (përpara pandemisë së koronavirusit),  27 përqind e numrit të përgjithshëm të popullatës jeton në varfëri të thellë, 35 përqind e saj, në prag të varfërisë, e të dyja bashk bëjnë 62 përqind të numrit të përgjithshëm të popullatës.

Me fjalë të tjera, 62 përqind e votuesve nuk mendojnë dot me kokë, por me stomak, për përzgjedhjen që duhet të bëjnë në mënyrë që mekanizmi vetshërues i demokracisë të jetë në veprim me efekt rinovimin në vazhdimësi të skenës politike.

Ky mekanizëm vetshërues që është qytetari dhe votuesi, është kushti themelor për demokracitë liberale, armiku kryesor dhe që pengon rrëshqitjen e demokracive drejt totalitarizmave dhe izmave tjera, që demokracitë hibride prodhojnë dhe kanë prodhuar në të kaluarën. Elitat politike të instaluara në pushtet gjatë kësaj periudhe pak ose aspak nuk kanë punuar për të rritur këtë mirëqënien ekonomike të qytetarëve.

Ata janë të vetëdijshëm se ky do të ishte fundi i karrierës së tyre politike dhe për të mbijetuar të varferojnë sa më shumë, që të blejnë sa më lirë, ditën e zgjedhjeve.

Në demokracitë perëndimore, revolucioni industrial ishte një gurthemel i fortë i ktyre demokracive. Aty u ngjiz shtresa e mesme ekonomike, e për pasojë edhe mendimi kritik i munguar në demokracite tona hibride. Ne na duhen ndryshime politike me qëllim nxitjen e  mobilizimit të shoqërisë, të rrisim mirqënien ekonomike, atëherë rinovimin e kastës politike s’ke pse e kërkon sepse vjen vetvetiu.

Zoti Sela, ju jeni diplomuar në Tiranë në mos gaboj dhe jeni pjesë e gjeneratës që provoi edhe një bashkëjetesë normale mes shqiptarëve. Si mendon që “mbrothtësia” e faktorit shqiptar që Arben Xhaferi e ideoi para disa vitesh mund të realizohet?

Fatkeqësisht ideja e z. Arbën Xhaferi është një ide e hedhur vetëm në letër sot e kësaj dite. Asnjë hap konkret nuk eshte marrë nga elita politike që të jetësohet kjo ide. Shqiptarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre në zgjedhje, por një Kuvend gjithshqiptar i këtyre përfaqësuesve të zgjedhur s’është parë akoma.

Ne çalojmë në segmentet kryesore të të qenurit komb, përveç që flasim një gjuhë, që kemi troje (e s’po them një territor, sepse e kemi të ndarë në shumë shtete)  ne nuk kemi ekonomi të përbashkët që është kusht themelor për të merituar epitetin komb, Kosovën dhe Shqipërinë asgjë s’e pengon të ndërtojnë edhe këtë element të kombit, por nuk bëhet.

Në qoftë se kufijtë e vendosur ndërshqiptarë pengojnë të kemi një ekonomi të përbashkët çfarë e pengon kulturën e përbashkët mes shqiptarëve, përveç një orari kulturor të hedhur në letër nga z. Rama, unë nuk shoh se po ndodh gjë tjetër. Ne jemi akoma te thirrjet bashkohuni, bashkohuni, bashkohuni, në vetën e dytë shumës, sepse vetën e parë njëjës dhe shumës e kemi harruar. Dhe thirrjet për bashkim, janë aty ku nuk duhet të bashkohemi, aty ku është e dëmshme.

Ja p.sh nuk mund të kërkosh rinovim të skenës politike, e në të njëjtën kohë të kërkosh të bashkohesh me atë që duhet të rinovohet. Por shpresë ka, e shqiptarët çdo herë kanë ditur të gjejnë shtigje të reja, ndaj dhe unë mendoj se ajo që shqiptarët i pret në këtë dekadë janë ndryshimet politke pozitive që mes të tjerave do e jetësojnë edhe mbrothsinë gjithëshqiptare.

Nëse ju në zgjedhjet e ardhshme do të ishit në vend të Ali Ahmetit, por natyrisht me një parti maqedone në koalicion, a mendoni se do të ketë ndryshim rrënjësor, do të thotë si do ta bënit ndryshe?

Natyrisht që po, sepse qasjen ne e kemi ndryshe. Vullneti politik i popullit shprehur në zgjedhje asesi nuk duhet të të rrëshqasë tek individi funksionar partie, por duhet konvertuar në ligje, të cilat do i bëjnë më të barabartë shqiptarët, në ndryshime kushtetuese që do t’ju heqin përkohësinë në të drejta shqiptareve dhe do ju japin atë që ata janë në këto troje, përjetsinë. Kur dolëm fillimisht në skenën politike ne e futem si koncept kushtëzimin në raport me kërkesën që e kishin partitë shqiptare deri asokohe.

Ishte pikërisht kushtëzimi nga ana jonë që bëri realitet sjelljen e ligjit për gjuhën shqipe, ligj që BDI, për 14 vite pushtet nuk e kishte sjellë. Tani shoh se kanë mësuar fjalën kushtezim, por kushti i tyre vazhdon të jetë i mbrapshtë, sepse kushtëzojnë për pozicione personale dhe jo për mirëqënien e popullit që ata përfaqësojnë.

Ne kemi program dhe platformë që i jep fund të gjithë formave të pabarazisë që janë gjeneruar gjatë këtyre tre dekadave.  

Cili është mendimi juaj për rolin e Tiranës në negociatat në Maqedoninë e Veriut?

Formal dhe simbolik ashtu siç kanë qenë çdo herë. Krijon pershtypjen se sa herë që Tirana zyrtare merr ndonjë iniciativë për zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut e bën më shumë për PR dhe nevoja elektorale të brendshme, sesa për kujdesin që ajo duhet ta tregojë për shqiptarët këtu.Gjatë gjithë këtyre viteve, vetëm një gjë është pozitive këto vitet e fundit. U janë mbyllur dyert politikanëve shqiptarë nga Maqedonia, të cilët sa herë që mëkatonin këtu, shkonin në foto-sesion te kryeministri i Shqipërisë për t’i larë mëkatet.  

Në plan rajonal, fatkeqësisht Tirana zyrtare vazhdon të luajë rolin e zjarrëfiksit dhe vetëm të faktorit të stabilitetit, gjithmonë mbi kurriz të shqiptarëve, sepse ata e vuajnë këtë lloj qasjeje, ndërsa ata që më së paku, kanë të drejtë për të bërë  zjarrvënësin, serbët e bëjnë mjeshtrisht këtë pune dhe çdo ditë përfitojnë terren diplomatik karshi nesh.

Intervista për  Shqip/ Ziadin Sela: Ja pse e refuzoj qeverinë me

Zoti Sela, ju keni raporte të afërta me Albin Kurtin, i cili hapur kërkoi të votohet Aleanca në Zgjedhje. Vetëvendosja ka hapur edhe zyra në Maqedoninë e Veriut. Këtu në Tiranë ka degë, mos po shkohet drejt një rrjeti të ri politik shqiptar në treva?

Përkrahja ka qene reciproke, njëjtë publikisht në zgjedhjet e fundit në Kosovë, unë e kam mbeshtetur  z. Kurti dhe Vetëvendosjen. Ndryshimi është vlerë themelore e demokracisë për shumë çka. 

E vërtetë është që ne kemi raporte të mira me Vetëvendosjen dhe z. Kurti, raporte të cilat nuk do të ndikohen nga paralajmërimet për hapje të zyrës së Vetëvendosjes në Maqedoninë e Veriut, përkundrazi ky vendim do të intesifikojë akoma më shumë bashkëpunimin tonë .

Komunikimi dhe rrjetet ndërshqiptare të çfarëdo natyre, qofshin, individuale dhe politike (përjashto këtu vetëm krimin), do ju sjellin mirëqenie shqiptarëve dhe si i tillë për ne është e mirëseardhur çdo iniciativë që shqiptarëve ju ndërton ura komunikimi.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore