Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

A ndodhet i izoluar Hashim Thaçi prej kthimit nga Haga?

A ndodhet i izoluar Hashim Thaçi prej kthimit nga Haga?

Hashim Thaçi, dje gjatee takimit me kreun e opozitës së Shqipërisë, Lulzim Basha, kritikoi kryeministrin e Kosovës, Abdullah Hoti, duke i kërkuar që të mos marrë pjesë në dialogun teknik që Bashkimi Europian po vijon të ndërmjetësojë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

I kthyer nga Haga, Presidenti i Kosovës, nuk se ka pasur ndonjë takim me institucionet e tjera dhe mediat kritike me të në Prishtinë e cilësojnë si izolim këtë status të Thaçit që prej fund javës së shkuar.

Por pikëpyetja në këtë rast shtrohet nëse vetë Presidenti ka kërkuar takim dhe dy institucionet e pushteteve të tjera në Kosovë; pra legjislativi e ekzekutivi nuk i janë përgjigjur, apo Thaçi ka pritur që Osmani e Hoti t’i shkojnë në Presidencë.

Deri më tani nuk duket se ka pasur një ftesë formale e rrjedhimisht injorim apo refuzim të qeverisë dhe Kuvendit për tu takuar me kreun e shtetit të Kosovës.

Thaçi, duket se ka pritur një peligrinazh në zyrën e tij, gjë që s’ka ndodhur. Madje ka pasur zhvillime edhe më të papritura ndaj tij. Kryeministri Avdullah Hoti ka shkuar në dialogun e iniciuar nga BE pa asnjë kontakt me Thaçin. Ndaj dy ditë para se të kthehej nga Haga, një këshilltar i Presidentit e ka sulmuar fort kreun e qeverisë së Kosovës.

Adil Behramaj, këshilltar i Presidentit ka qenë i pari që ka akuzuar Avdullah Hotin. Ja ç’shkruante, ai në faqen e tij në rrjetet sociale.

 “Avdullah Hoti i paska thur lavde qasjes së tij në dialog me Serbinë, duke thënë se është në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës. Shumë mirë. Edhe ne të njëjtën gjë duam. Por, pak burrëri dhe mençuri duhet të kesh. Të ulesh me nxitim dhe kokë në vete përballë Vuçiçit dhe Lajçakut në tavolinën e dialogut, në momentin që presidenti i shtetit që ti e përfaqëson merret në pyetje atje nga Gjykata Speciale, nuk është as etike dhe as e mençur. Edhe në versionin e dukshëm kjo qasje është në interesin më të keq të Republikës së Kosovës. Mirë mund t’u duket vetëm burokratëve të BE-së, që janë të zënë duke e lexuar atë librin me “Kosovo and Metohija”. Aq i plogësht sa u shfaqe në Bruksel, herën tjetër nuk është çudi nëse ta lexojnë edhe ty, meqë “razumesh” mirë!”, shkruante Behramaj.

Por këto kritika i ka vijuar në vetën e parë edhe Hashim Thaçi, dje gjatë takimit me Lulzim Bashën, duke bërë të ditur se nuk duhet të zhvillohet asnjë seancë teknike e dialogut me Serbinë, por vetëm sesione të negociatave politike për njohje të ndërsjelltë.

Siç mësohet ambasadat e Gjermanisë dhe Francës në Kosovë i kanë ndërprerë kontaktet me Thaçin, që prej kohës kur Presidenti i Kosovës ka nisur sulmet ndaj BE-së, kur ka deklaruar se Europa nuk mund ta zgjidhë çështjen e njohjes së Serbisë.

Por prej 24 qershorit, Thaçi, pra që kur u publikuar akuza ndaj tij prej Gjykatës Speciale, nuk ka pasur një komunikim ndërmjet tij dhe Avdullah Hotit. Ç’ka do të thotë që ka një zhvillim i cili mbetet ende i pasqaruar. Vetë, Kryeministri i Kosovës, po vepron sikur Thaçi të mos ekzistojë, kurse kreu i Kuvendit Vjosa Osmani, ka një marrëdhënie të ndërprerë me Thaçin më keq se Albin Kurti.

Ndërsa në Prishtinë kanë qenë për vizitë zyrtare dy nga politikanët kryesorë të Tiranës: kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, realisht asnjëri nuk ka ndikuar që ta qepin faktikisht këtë marrëdhënie të prishur, që publikisht është dhënë mesazhi që është normale.

Koha Ditore, një media opozitare ndaj Thaçit hapte gazetën sot se Hashim Thaçi është izoluar. Ndoshta, termi është pak i ekzagjeruar, por që realisht presidenti i Kosovës ka një vështirësi komunikimi me dy pushtetet e tjera. Dhe kjo duket qartë, por që vijimi mund të hapë një hendek edhe më të madh.

©?Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore