Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Aktualiteti

Raporti ndërkombëtar/ 15 grupet mafioze shqiptare që u kthyen në lider të narkotrafikut me Amerikën Latine

Raporti ndërkombëtar/ 15 grupet mafioze shqiptare që u kthyen

Të dhënat e shpërndara sot nga raporti i Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, në lidhje me trafiqet e grupeve shqiptare të krimit të organizuar, janë jo thjeshtë tronditëse, por ai tregon një trend që tashmë ka kulmuar në krijimin e një mafia reale shqiptare të kokainës. Një mafia që financon, organizon dhe më pas tregton sasi të mëdha kokaine që përkthehen në shifra marramendëse parash, që përfundojnë më pas në skutat e lavazhit dhe investimeve “qorre”.

Sipas raportit, grupet shqiptare, që janë shumë të njohura në vend kanë poste kyçe në pika të rëndësishme europiane, që nga porti më i madh i Botës, Roterdam, por edhe në pika të tjera të kontinentit.

"Në periudhën 2008–2009, kur Shariç po çante përpara në Amerikën Latine, shqiptari Arbër Çekaj vajti në Ekuador dhe hapi një kompani për tregtinë e bananave.232 Doli se ishte një biznes aq i frytshëm, saqë brenda pak viteve Çekaj u bë trafikanti më i madh i drogës në Shqipëri, duke e fshehur drogën në ngarkesat me banane që i eksportonte në Evropë", thuhet në raport.

Shumë shpejt të tjerë filluan të ndjekin shembullin e Shariçit dhe Çekajt, pasi kapjet e ngarkesave me drogë nga policia, arrestimet, dhe artikujt e lajmeve tregojnë se ka një angazhim gjithnjë e më të madh të kriminelëve nga Ballkani perëndimor në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine.

Në raport përmenden grupe të famshme, madje të lidhura edhe me politikën, siç është grupi Bajri në Shkodër, një eksponent i së cilës, para dy javësh u lirua nga Prokuroria e Shkodrës.

Raporti ndërkombëtar/ 15 grupet mafioze shqiptare që u kthyen

Pjesë nga raporti

Kemi rreth 15 grupe kriminale shqiptare në vendet e Beneluksit që kanë krijuar lidhje me tre apo katër grupe shqiptare të krimit të organizuar me baza në Amerikën Latine, duke patur akses direkt në tregun e shitjes me shumicë të kokainës.

Një grup me madhësi mesatare në Hollandë ka rreth 10 deri në 15 anëtarë. Ndonëse këto grupe preferojnë të punojnë me persona të njohur (nga i njëjti fis, apo nga e njëjta krahinë), këto kohët e fundit është vënë re një tendencë për formimin e grupeve multi-etnike.

Në shtator 2018, dy nga krerët e klanit Bajri u arrestuan në Roterdam për trafik droge, kontrabandë armësh, prostitucion, zhvatje, organizimin e lotarive të paligjshme, dhe lojëra fati pa leje. Po kështu, në gusht 2019, policia italiane arrestoi 17 persona që ishin pjesë e një rrjeti shqiptar për trafikimin e gati 200 kilogramëve kokainë nga Holanda në Itali. Zyrtarisht, numri i shqiptarëve në Holandë është shumë i vogël – rreth 1,200.

Raporti ndërkombëtar/ 15 grupet mafioze shqiptare që u kthyen

Sidoqoftë, mendohet se ka shumë më tepër shqiptarë që jetojnë ilegalisht në këtë vend duke përdorur pasaporta të falsifikuara të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian (veçanërisht nga Italia dhe Greqia), ndërsa shumë të tjerë jetojnë atje për një kohë të shkurtër.

Sipas një studimi nga një prokuror, mund të ketë afro 40,000 shqiptarë në Holandë. Shumica e tyre janë mbledhur rreth Amsterdamit dhe Roterdamit, por ka edhe një komunitet të madh në Limburg, në jug të vendit.  Kjo zonë, që është shumë pranë Belgjikës dhe Gjermanisë, është bërë bazë e kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura, dhe llogaritet se ky aktivitet mund të sjellë rreth 200 milionë euro në vit.

Për shembull, gjatë operacionit Shqipëria, në maj 2019, u arrestuan 30 persona të dyshuar në zonën e Limburgut, dhe 25 prej tyre ishin shqiptarë. Grupet që zhvillojnë aktivitetin e tyre rreth zonës së Limburgut duket se janë të mirëorganizuar dhe të mirëinformuar.

Raporti ndërkombëtar/ 15 grupet mafioze shqiptare që u kthyen

Përdorin eksperiencën e fituar në Shqipëri për rritjen e kanabisit (që në fakt e mësuan nga hollandezët). Kjo duket se është një prirje e përgjithshme. Ndërkohë që autoritetet shqiptare po godasin kultivimin e kanabisit në vendin e tyre, grupet shqiptare të krimit të organizuar e kanë transferuar përvojën e tyre jashtë vendit, jo vetëm në Hollandë, por edhe në Belgjikë, Britani, dhe Turqi. Duket se grupet shqiptare i kanë xhepat plot me para, ose kanë akses në fonde të mëdha, duke parë numrin e shtëpive që kanë blerë me para në dorë në zonën e Limburgut.

Një prokuror nga Limburgu thotë se: “Është e çuditshme sa të zotë janë në gjetjen e pikave të dobëta në shoqërinë tonë. Dinë si të përdorin dokumente identifikimi false për të marrë shtëpi me qira në mënyrë të paligjshme. E dinë si të shfrytëzojnë noterët holandezë, janë në gjendje të përdorin agjencitë e pronave të paluajtshme për të blerë shtëpi; përdorin metoda shumë të rafinuara, dhe e dinë shumë mirë si të veprojnë.

Grupet shqiptare nuk konsiderohen si të dhunshëm, dhe nuk tërheqin vëmendjen e të tjerëve, pasi kjo do t’i prishte punë. Sipas një prokurori, edhe kur arrestohen, shqiptarët nuk bëjnë fjalë, dhe shpesh gjatë procesit gjyqësor “nuk e hapin gojën fare”.

"Holanda është vend tërheqës për grupet kriminale nga Ballkani, falë pozicionit të saj dhe pikave të rëndësishme të transportit, si porti i Roterdamit, dhe aeroporti Schiphol. Duke qenë një nyje me famë botërore për transportimin e mallrave që prishen shpejt (veçanërisht lule, fruta dhe perime), kompanitë hollandeze janë mësuar që të punojnë me shpejtësi për transportimin e volumeve të mëdha me mallra. Por nga ana tjeter, kjo shpejtësi dhe efikasitet në punë do të thotë se shumë nga konteinerët nuk kontrollohen. Kjo është situatë ideale për trafikantët e drogës", thuhet në raport.

Shtirja e grupeve në trafikimin e kokainës

Raporti, thekson në detaje mënyrën e shtrirjes së grupeve shqiptare në trafikimin e kokainës me Amerikës Latine. Sipas kësaj organizate, krimi i organizuar shqiptar luan rolin e hallkës lidhëse.

 “Një sërë grupesh shqiptare të krimit të organizuar janë përfshirë në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në Evropë. Këto grupe luajnë rolin e hallkës lidhëse ndërmjet karteleve të Amerikës Latine dhe grupeve mafioze italiane, dhe – ashtu si u përmend edhe në rastin e Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të Beneluksit – po përfshihen gjithnjë e më shumë në shitje me pakicë.

Grupet shqiptare më të suksesshme kanë akumuluar deri më sot rreth një dekadë eksperiencë dhe kontakte.  Zakonisht ato përbëhen nga 15 deri në 20 anëtarë, janë fleksibël, përshtaten shpejt, kanë lidhje të forta politike, mbështetje të fortë financiare, dhe kanë reputacion të mirë kriminal për sigurimin e mallrave me cilësi të lartë dhe çmime të favorshme.

Këto grupe veprojnë në mënyrë pak a shumë autonome, por mund të bashkërendojnë aktivitetet e tyre në rrjete më të gjera kriminale kur shihet e përshtatshme. Grupet shqiptare që veprojnë në Amerikën Latine konsiderohen më të sofistikuara se ato që operojnë vetëm brenda territorit shqiptar, apo që kanë lidhje vetëm me ndonjë grup kriminal në vendet fqinje”, theksohet në raport.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore