Dy ditë më parë, pranë Ambasadës Italiane, përballë TVSH, dy makina u përplasën në një aksident të frikshëm rrugor. Ngjarja ishte tepër e rëndë, pasi 2 kalimtarë të rastit shpëtuan për më pak se 1 sekond nga vdekja e sigurtë.
Aksidenti u shkaktua nga një makinë e tipit BMW, version 750 LI, e cila me një shpejtësi mbi 150 km/orë hyri me të kuqe dhe përplasi një makinë Skoda. Kjo e fundit po vinte nga rruga e Liceut Artistik në drejtim të Kryeministrisë.
Shoferi i BMW-së që shkaktoi aksidentin ishte i riu Stiverjan Dashi, ku në rrjetet sociale shihet dëshira e tij për makina të shpejta. Para aksidentit të rëndë, i riu ka postuar disa foto në rrjetet sociale, ku shfaqet para makinës së tij luksoze.
I riu “i paprekshëm” nga policia, shihet se bën një jetë luksoze, ku pushimet i kalon në Dubai dhe Mykonos. Në rrjetet sociale ai tregon se është edhe një frekuentues i kazinove.
Nuk dihet pse ngjarja u tentua të mbahej e fshehtë nga Policia, ku rallëherë nuk u bën publike as rrethanat e aksidentit dhe as drejtuesi i automjetit BMW që po lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara në mes të Tiranës.
Çdo gjë në heshtje!
Mbetet për tu parë se çfarë mase është marrë ndaj drejtuesit të mjetit, të riut Stiverjan Dashi që për pak desh gjakosi rrugët e kryeqytetit nga shpejtësia e makinës.
Fatmirësisht nga ky aksident shpëtuan dy qytetarët, por edhe të aksidentuarit të cilët patën dëmtimet të lehta edhe pse goditja ishte e frikshme. Qytetari që drejtonte Skodën, quhej Dritan Telhaj. Ai hyri me semafor jeshil, konform rregullave të qarkullimit, ndërkohë që edhe dy qytetarët po kalonin vizat e bardha konform rregullave.
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.