Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Thirrja e Ali Ahmetit në Hagë, një presion politik para negociatave për qeverinë e re?

Thirrja e Ali Ahmetit në Hagë, një presion politik para

Thirrja e Ali Ahmetit si dëshmitarë në Gjykatën Speciale të Kosovës, ka ndodhur pikërisht në ditët kur po zhvillohen kulisat e bisedimeve për qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut.

Edhe pse Ali Ahmeti, në deklaratën e bërë në faqen e tij në rrjetin social, ku e ç’dramatizon situatën duke e prezantuar si një udhëtim i thjeshtë ku do të tregojë versionin e tij për UÇK-në e Kosovës, çështja duket më e komplikuar se kaq.

Kjo ngaqë siç është bërë e ditur nga njoftimi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, kur u bë e ditur ngritja e akuzës ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit, theksohet se të akuzuar priten të jenë edhe persona të tjerë, drejtues të rëndësishëm të UÇK-së.

Ali Ahmeti, kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, ka qenë pjesë e kupolës drejtuese të UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.

Ahmeti, si një pjesëtar i lëvizjes politike të rezistencës në vitet ‘90 LPK, u emërua më pas si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe pikërisht kupola drejtuese e UÇK-së është objekt i hetimit të Prokurorit të Dhomave të Specializuara.

Prokuroria Speciale ka thirrur për të dëshmuar në dy vitet e fundit disa nga komandantët e rëndësishëm të UÇK-së, që nga komandanti Azem Syla dhe krerët e njësive rajonale të formacionit ushtarak të shqiptarëve të Kosovës.

Mjafton, një veprim shtrëngues i prokurorit special për Ahmetin gjatë ose pas dëshmisë për të komplikuar edhe më rolin e tij si lider politik.

Ahmeti, pas shkrirjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës themeloi Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, e cila në vitin 2001 zhvilloi një luftë guerile në Maqedoninë e Veriut, çka detyroi autoritetet e Shkupit, me ndërmjetësimin ndërkombëtar të firmosin Marrëveshjen e Ohrit.

Ushtria Çlirimtare Kombëtare është amnistuar nga ligji i parlamentit të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që disa nga luftëtarët e saj u vranë pabesisht nga policia maqedonase çka shkaktoi një përçarje mes luftëtarëve dhe Ahmetit.

Ndërkohë që njoftimi i akuzës ndaj Hashim Thaçit ndikoi që të ndërpritet samiti i Uashingtonit i paralajmëruar më 27 qershor, duket se edhe ftesa për Ahmetin ka një konotacion politik.

Ahmeti ka njoftuar se mund të bëjë një koalicion me nacionalistët e VRMO-DMPNE, pra ish-partinë e Gruevskit, nëse Zaev nuk kërkon falje për fyerjet ndaj shqiptarëve.

Por dihet se ndërkombëtarët, në veçanti BE ka investuar shumë në 2017 për largimin e Gruevskit nga pushteti dhe ardhjen e Zaev. Ky i fundit arriti të firmosë paktin e Prespës që ndryshoi edhe emrin e shtetit.

Duket se Zaev është edhe sot një investim politik i Bashkimit Europian, e nuk është çudi që edhe ftesa e Hagës për Ahmetin të jetë edhe një “mekanizëm politik”.

©?Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore