Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Tendera dhe abuzime/ Si shpëtoi drejtori i Burgjeve, Agim Ismaili

Tendera dhe abuzime/ Si shpëtoi drejtori i Burgjeve, Agim Ismaili

Një raport auditues i Kontrollit të Lartë të Shtetit, siguruar nga Gazeta Shqip i ka rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë tërheqjen e vërejtjes me paralajmërim shkarkimi për drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Agim Ismaili, për shkeljet e gjetura sidomos me procedurat e tenderave.

Burimet thanë se gjatë hartimit të raportit pati dyshime se dy prej audituesve kanë bashkëpunuar për të fshehur e zbutur abuzimet dhe përgjegjësinë e drejtpëdrejtë të Agim Ismailit, Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve në këto shkelje.

Për këtë qëllim, burime të gazetës Shqip pohojnë se dy auditues nga grupi prej gjashtë të tillë u zëvendësuan. 

Auditimi përfshiu përputhshmërinë e aktivitetit të Drejtorisë së Përgjithshme, me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi lidhur me zbatimin e kritereve në planifikimin e buxhetit, mbështetur në ligjet vjetore të buxhetit dhe udhëzimeve të Ministrisë së Financave mbi hartimin dhe zbatimin e buxhetit, identifikimin, zbatimin e kritereve në çeljen e buxhetit sipas viteve, detajimin e planit fillestar, transferimet dhe rialokimet e fondeve buxhetore, parashikimin dhe realizimin e të ardhurave dytësore, planifikimin mbi identifikimin vlerësimin dhe menaxhimin e riskut nga institucioni, ruajtjen, arkivimin e informacioneve dokumenteve, procedurat për qarkullim e dokumentacionit, prokurimet duke filluar nga buxhetimi i fondit, hartuesi i specifikimeve, komisionet e vlerësimit, kontraktuesi, zbatuesi i kontratës, procedurat për pagesat dhe auditimin e brendshëm.

Edhe në raportin zyrtar të zbutur, shkeljet e gjetura janë të shumëfishta dhe të rënda. Aty flitet për tendera të kryer me vlera mbi fondin limit të vendosur, që është një prej shkeljeve më të rënda që mund t’i bëhet ligjit të prokurimit publik.

Për shkak të natyrës së këtij institucioni, tenderat që zhvillohen lidhen vetëm me blerjen e ushqimeve dhe medikamenteve për të burgosurit, ndërsa të ardhura sigurohen edhe nga dhënia me qira e ambienteve në administrim nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Në të treja këta zëra, auditi i KLSh-së ka gjetur shkelje.

“Mos identifikimi i aktiviteteve me risk të lartë si zbatimi kontratave të medikamenteve dhe ushqimeve, procedurat e marrjes në dorëzim të ushqimeve të freskëta, lëvizjet e magazinës (fletë hyrje, fletë dalje), si dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe raportimin e detyrimeve të prapambetura”, thuhet në raport.

Në raportin e zyrtar të zbutur vërehet se pothuajse në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit, përgjatë 2020-s janë deklaruar si të skaduara të gjitha ilaçet e blera në tendera për atë vit. Kjo do të thotë se sipas këtyre gjetjeve, të burgosurit nuk janë sëmurë dhe nuk kanë pasur nevojë për këto ilaçe.

Por, kjo lë dyshime se është pjesë e një skeme të mirëfilltë korrupsioni, që është zhvilluar në mos në bashkëpunim, në dijeni të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, që sipas ligjit ka të centralizuar kontrollit dhe verifikimin e përputhshmërisë me ligjet e rregullat në fuqi të këtyre tenderave.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shkelur ligjin duke dhënë tendera me vlerë mbi fondin limit, nuk ka personel të kualifikuar për prokurimet publike që realizon dhe mban regjistrimet kontabël në formë amatoreske përmes “Microsoft Exel”, që mundëson fshirjen, apo korrigjimin e pasqyrave financiare ndër vite.

KLSh ka gjetur gjithashtu rishpërndarje të shpeshta fondesh buxhetore, kryesisht për investime. Audituesit hedhin dyshimet se kjo rishpërndarje është pjesë e një skeme korruptive, bashkë me fryrjen e tenderave, që është zbatuar edhe në dijeni të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili.

Pavarësisht të gjitha këtyre shkeljeve, që nga një vlerësim paraprak për vetëm një vit dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit shkon në rreth 300 mln lek, në përfundim të raportit nga kallëzimi në SPAK, KLSh mjaftohet me rekomandimin drejtuar Ministrisë së Drejtësisë “për vërejtje me paralajmërim për largim” për kreun e sistemit të burgjeve në vend.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 
Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore