Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

SPAK godet majtas dhe djathtas/ Nga kryebashkiakët tek zv.ministrja, bilanci "përvëlues" i korrikut

SPAK godet majtas dhe djathtas/ Nga kryebashkiakët tek zv.ministrja,

Korriku ka rezultuar një muaj shumë i “nxehtë”, jo vetëm nga temperaturat që shkojnë deri në 40 gradë, por edhe për shkak të tronditjes që ka shkaktuar SPAK, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Ogranizuar.

Zyrtarë dhe kriminelë të arrestuar, miliona euro pasuri dhe tonelata drogë të sekuestruara , si dhe hetime që vazhdojnë. Të ashtu quajturit “peshqit e mëdhënj” kanë filluar të bien në rrjetë, ndërsa, pas kryebashkiakëve, goditja ka filluar edhe ndaj ish-anëtarëve të qeverisë Rama. Siç duket askush nuk është i paprekshëm, një ëndërr e kahershme e shqiptarëve për drejtësi në nivelet më të larta, ndërsa pyetja që shtrohet nga të gjithë është: A do vijohet me “peshkaqenët”? Sinjalet janë pozitive, arrestimi i të paprekshmëve ka nisur dhe "oreksi" po shtohet.

Gaditjet e SPAK kanë qenë të vazhdueshme, që prej ngritjes së kësaj strukture që ka mbështetjen e fortë të SHBA-BE, por që janë intensifikuar ndjeshëm gjatë muajit korrik.

2 korrik; 28 të arrestuar për tonelata drogë, mes tyre prokurorë dhe shoqërues të Tahirit

Një prej agoditjeve më të bujshme, u njoftua më 2 korrik një megaoperacion i drejtuar nga autoritetet shqiptare, EUROJUST dhe Drejtoria e Antimafias së Barit, i shtrirë në 4 shtete, u finalizua me arrestimin e 28 personave, mes tyre edhe prokurorë, policë e zyrtarë të shtetit.
Arrestimet janë bërë në Shqipëri, Itali, Mal të Zi dhe Spanjë, ndërsa janë sekuestruar miliona euro dhe 6 tonë drogë. Si pjesë e këtij operacioni, më herët janë arrestuar edhe 10 persona të tjerë.

Mes zyrtarëve të arrestuar, SPAK njoftonte se ishin një administrator publik (drejtor), nje prokuror, tre zyrtar të lartë të policisë e dy punonjes të tjerë policie, këta dy të fundit në kohën e kryerjes së veprave penale – në vitin 2016 –  me detyrën e pjestarëve të grupit te shoqerimit të ish – Ministrit të Brendshëm. 

6 korrik: Arrestohet kryebashkiaku i PS në Lushnjë, Fatos Tushe 

Goditja e SPAK ka shkuar edhe në nivel kryebashkiakësh, ku një tendër “mbyti” bashkinë Lushnjë, duke çuar në pranga kryebashkiakun, Fatos Tushe. Tushe u vu në pranga, pasi akuzohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” lidhur me një tender 24 mln lekësh për rehabilitimin e një kanalit ujitës. Prokuroria e Posaçme, SPAK urdhëroi gjithashtu arrestimin e 4 vartësve të Tushës dhe dy biznesmenëve, ndërkohë që katër zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Lushnjes u lanë në masën e “arrestit në shtëpi” nga gjykata.

SPAK i nisi hetimet një vit më parë, nisur nga një referim i Policisë Gjyqësore për veprat penale të “korrupsionit pasiv”, “shkeljes së barazisë në tendera”, “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

Pas arrestimit, Rama nuk priti vendimin e Apelit, por e shkarkoi direkt nga detyra kryebashkiakun, duke shtuar numrin e bashkive që qeverisën pa kryetarë të zgjedhur me vota.

Masat e “arrestit me burg”

Fatos Tushe, kryetar i Bashkisë së Lushnjes

Flamur Peqini, drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike

Ibrahim Lami, administrator i kompanisë “Loti” sh.p.k

Bujar Murati, administrator i kompanisë “Euro Alb”

Gazment Çela, punonjës i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike

Bektash Nexha, punonjës i Drejtorisë së Pasurisë Publike

Blerta Turku, zyrtare e Drejtorisë së Pasurisë Publike

Masat e “arrestit në shtëpi”

Xhemal Hasko, punonjës i Drejtorisë së Pasurisë Publike

Margarita Gjermeni, punonjëse e Drejtorisë së Pasurisë Publike

Andri Musho, punonjës i Drejtorisë së Pasurisë Publike

Ani Simoni, punonjës i Drejtorisë së Pasurisë Publike

10 korrik; Uniformat e policisë çojnë në pranga 9 zyrtarë e ish-zyrtarë të ministrisë së Brendshme

Nëntë zyrtarë  të Ministrisë së Brendshme u arrestuan me urdhër të SPAK, për shkelje të barazisë në një tender me fond limit 2 miliardë e 800 milionë lekë, të zhvilluar në maj të vitit të kaluar, lidhur me uniformat dhe këpucët e punonjësve të Policisë së Shtetit. 

Mes të arrestuarve ishte edhe ish-drejtoresha e prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari.

SPAK njoftonte se në hetim janë bashkuar disa procedime penale të vitit 2020, për veprën penale “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, ndërsa arrestimet erdhen pas denoncimeve të disa deputetëve të opozitës.

Të arrestuar:

Edlira Naqellari, drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara

Anëtarët e njësisë së prokurimit

Flutura Çekrezi

Ani Omuri

Kleivis Hasani

Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave

Kreshnik Bejkaj

Fatmir Demneri

Mariglen Buzali

Gëzim Mingaj

13 korrik; SPAK godet edhe djathtas

Ndërsa goditjet e SPAK janë përqëndruar kryesisht majtas, një ditë më parë Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar goditi edhe djathtas.

Shkelja e barazisë në tendera, këtë herë mund t’I kushtojë burgun ish-kryetarit të bashkisë së Pogradecit, Eduart Kaprit, të cilin SPAK e ka çuar në gjyq.

Ish-kryebashkiaku i Bashës akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprave penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal dhe “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 – 25 i Kodit Penal”.

Fakti i parë penal, lidhet me procedurën e prokurimit “Procedurë e Hapur” me objekt: “Blerje dru zjarri”, me fond limit 9 268 000 lekë (pa tvsh), e zhvilluar në datën 27.10.2017, nga autoriteti kontraktor, Bashkia Pogradec”.

Nga hetimi, rezultoi e provuar se titullari i Autoritetit Kontraktor, Eduart Kapri në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano, kanë kryer veprime që kualifikohen në veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike”, parashikuar nga neni 258 dhe 25 të Kodit Penal.

Fakti i dytë penal ka lidhje me ngjarjen e datës 28.06.2019, ku janë arrestuar në flagrancë shtetasit Gurali dhe Safet Blaceri, duke vënë dryna me çelës në rrethin e jashtëm në tre shkolla dhe një kopsht, institucione këto që ndodhen ne lagjet nr.2 dhe 5 të qytetit të Pogradecit, të cilat ishin miratuar si qendra votimi nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për zgjedhjet vendore të datës 30.06.2019.

Nga hetimi ka rezultuar e provuar se nga ana e shtetasit Eduart Kapri, me cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me shtetasit Safet Blaceri dhe Gurali Blaceri, me detyrë mirëmbajtës në Qendrën Arsimore, Pogradec, janë bërë tentativa për të penguar procesin zgjedhor që do të zhvillohej në datë 30.6.2019. Në kushtet kur nuk ka patur asnjë kërkesë për sigurinë e tyre, janë kryer veprime konkrete për mbylljen e këtyre institucioneve.

13 korrik: Goditet zv.ministrja e Ramës

Dita e djeshme ishte intensive për SPAK, pasi brenda ditës, struktura e Posaçme bëri dy goditje. Dorës së hekurt nuk i kanë shpëtuar as ish anëtarët e qeverisë Rama. Këtë herë pas hetimeve të SPAK, Gjykata e Posaçme ndaj Korrupsionit ka vendosur ‘arrest shtëpie’ për ish zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda.

Ish-zv.ministrja e Ramës akuzohet se ka marrë rreth 2000 euro për futur në punë Florida Beun.

Voda në cilësinë e Zëvendësministres në Ministrinë e Brendshme, sipas SPAK, ka marrë para dhe të mira materiale të padrejta nga dy gra Majlinda Hasani, avokate dhe Florida Beu, për punësimin e kësaj të fundit në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive në Ministrinë e Brendshme. Majlinda Hasani,avokate nga Durrësi ka luajtur rolin e ndërmjetëses për marrjen e ryshfetit.

14 korrik: Sekuestrohen pasuritë e “të fortëve”

Edhe dita e sotme nisi me një tjetër goditje të SPAK. Prokuroria e Posaçme i dorëzoi Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin kërkesën për konfiskimin e pasurive të shtetasve Armand Marku dhe Gerti Marku, (Ledio Hallkokondi).

Këta shtetas janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për “pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Për këtë arsye, prokuroria ka pasur dyshime se pasuritë e këtyre shtetasve janë krijuar nga veprimtaritë kriminale të tyre.

Prokuroria e Posaçme me datë 13.07.2021 ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin kërkesën për konfiskimin e pasurive si më poshtë:

1. Pasuria e paluajtshme e llojit truall, me sipërfaqe totale 688 m2, si dhe objektin e ndërtuar mbi të, hotel “Harbour”, e ndodhur në zonën “Turizëm Kanali i Çukës” Sarandë, në pronësi të shtetasit Petro Branko.

2. Pasuria e paluajtshme e llojit truall, me sipërfaqe 688 m2, së bashku me objektin përkatës të ndërtuar mbi të një pishinë, e ndodhur në zonën “Turizëm Kanali i Çukës” Sarandë, në pronësi të shtetasit Petro Branko.

3. Pasuria e paluajtshme e llojit njësi shërbimi, me sipërfaqe 51 m2, e ndodhur në rrugën Don Bosco, Tiranë, e blerë në vitin 2017 me çmim 105 000 euro.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Në Fokus

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore