Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Si u kthyen në “mbretër” të Ekuadorit dhe Kolumbisë çunat shqiptarë të kokainës dhe lufta mes tyre për kontrollin e tregut

Si u kthyen në “mbretër” të Ekuadorit dhe

Pesë vjet më parë dukej si legjendë urbane angazhimi i shqiptarëve në trafik droge nga Ekuadori, e nga e cila furnizohej e gjithë Evropa. Rastet që bëheshin publike në media të paktën nga publiku interpretoheshin si “fantazi mediatike”, por faktet janë kokëforta dhe ndër vitet e mëvonshme gjithçka u provua.

Bëhet fjalë për djem nga Tirana e Vlora, Durrësi e Shkodra të njohur apo të panjohur mes tyre dhe që lidhjet nuk i lanë vetëm në territorin shqiptar, por ngritën grupe në shumë shtete të Evropës.

Nuk ngurruan të kenë edhe negociatorë të fortë në Ekuador, e ku njëri prej tyre tashmë ndodhet në burg. Bëhet fjalë për Dritan Rexhepajn, i njohur edhe me emrin Gramoz, që ndodhet në burg pasi u arrestua me urdhër kërkimi nga Interpol.

Por, emrat e “çunave të kokainës” nuk kanë të bëjnë vetëm me trafik droge, por edhe vrasje dhe në jo pak raste emrat e tyre lakohen për atentate.

Një prej emrave është ai i Eldi Dizdarin, që është arrestuar në Dubai, por rezulton i përfshirë edhe në një ngjarje kriminale në ish-bllok dhe sipas hetimeve të Policisë konflikti kishte të bënte për një borxh të pashlyer mes palëve.

Si u kthyen në “mbretër” të Ekuadorit dhe

Skema që përdorin djemtë e kokainës nuk është thjesht krim, por dhe biznes. Ata krijojnë kompani dhe investojnë për të mos lënë shumë hapësira ligjore lidhur me trafikimin nga Amerika Latine. Mjafton të përmendet emri i Arbër Çekajt, që u kap me 613 kilogramë kokainë me një kontenier me banane.

Zyrtarë të lartë të Antimafias italiane kanë raportuar me shqetësim fuqizimin e lidhjeve të mafias shqiptare me atë italiane duke krijuar lidhje direkte me kartelet e drogës për të sjellë "pluhurin e bardhë" në Europë. Nisur nga disa sekuestrime në portet e Holandës, Belgjikës dhe Greqisë duket se linja më e re e trafikut të drogave të forta kalonte nga Shqipëria, ndaj dhe vendi ynë u fut në “listën e zezë” të mbajtjes nën vëzhgim dhe përfshirjes së institucioneve në hetime të përbashkëta.

Në dosjet e shumta që ndodhen jo vetëm në Europol, por edhe në arkivën e Policisë Shqiptare rezulton se mjaft aktive ka qenë prej vitesh linja e re e kokainës nga Amerika Latine. Duket se trafikantët preh vitesh tashmë kanë zgjedhur rrugën Guayaquil në Ekuador-Pire në Greqi-Durrës në Shqipëri.

Në raportin e fundit për luftën kundër narkotrafikut, Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi se grupet kriminale shqiptare trafikojnë kokainë dhe heroinë direkt nga vendet e prodhimit në Amerikën e Jugut dhe Azi për në Europë.

Kjo mbështetet në shtimin e rasteve kur në Shqipëri janë kapur ngarkesa droge që vinin direkt nga Kolumbia dhe Ekuadori, teksa janë zbuluar edhe laboratorë droge të ndërtuar në bashkëpunim me amerikano-latinë të ardhur në Shqipëri. Por pas këtij trafiku ndërkontintental numërohen edhe vrasje dhe ekzekutime barbare të shqiptarëve në Amerikën Latine.

Rasti i parë i njohur i trafikut të drogës nga Amerika Latine është në vitin 2001, kur në Shqipëri u zbulua grupi i parë kriminal i trafikimit të kokainës kolumbiane në Europë. Policia arrestoi 6 anëtarë të grupit, ndër ta Frederik Durda dhe Sokol Koçiu, ky i fundit në atë kohe ishte oficer në Prokurorinë e Përgjithshme.

Operacioni "Operación Journey" i agjencisë amerikane kundër drogës, DEA, vërtetoi se ky grup kishte pasur, që prej vitit 1999, kontakte me kartelin kolumbian të Medellínit dhe ishte pjesë e një rrjeti të madh ndërkombëtar të trafikut të kokainës.

Në një dokumentar të RAI 3 të titulluar "Narcotica" pak muaj më parë, oficeri italian i antidrogës në Shqipëri deklaroi se ky grup kishte planifikuar të blinte një nëndetëse për të transportuar përmes Mesdheut kokainën e ardhur nga Amerika e Jugut.

Kokaina nisej nga Kolumbia, kalonte transit në Spanjë dhe më pas përfundonte në Shqipëri. Këtu përgatitej dhe bëhej gati për t?u hedhur në tregun e Europës Përndimore. DEA i kishte nisur hetimet për këtë grup që në vitin 1999. Hetimet zbuluan se përmes anijeve ishin transportuar të paktën 60 tonë kokainë nga Kolumbia dhe Venezuela në Europë.

Si u kthyen në “mbretër” të Ekuadorit dhe

Në vitin 2011- Departamenti Amerikan i Shtetit foli për herë të parë për bashkëpunimin e grupeve kriminale shqiptare me ato kolumbiane për trafikimin e kokainës në Evropë. Në këtë vit, u kapën edhe rastet e para të ngarkesave me kokainë me destinacion Shqipërinë.

Referuar mediave ekuadoriane në nëntor të vitit 2013, në një kontenier u zbuluan 125 kilogramë kokainë dhe destinacioni ishte sërish Porti i Durrësit. Vetëm një vit vonë nga i njëjti port, policia ekuadoriane sekuestroi 89 kilogramë kokainë që sërish destinacion kishte portin detar me të madh të Shqipërisë.

Më 5 qershor 2014- Nga Ekuadori mbërriti në Mal të Zi një ngarkesë me 250 kilogramë kokainë, e fshehur në një kontenier bananesh. Ngarkesa ishte porositur nga kompania "Rrapo", në pronësi të Dritan Rrapaj dhe të ëmës Nezike Rrapaj në Fier. Destinacioni i drogës, me vlerë 12,5 milionë euro, ishte Italia dhe Franca, por hetimet e autoriteteve shqiptare nuk gjetën prova që ta përfshinin familjen Rrapaj në trafik.

Më 7 qershor 2014- Në Ekuador u arrestua Dritan Rexhepi (34 vjeç) nga Vlora pas një operacioni policor në Quito, ku u kapën 278 kilogramë kokainë. Rexhepi mbante emër të rremë, por u identifikua falë të dhënave të Interpolit, pasi dyshohej për një sërë krimesh të rënda, përfshi vrasje me pagesë, trafik droge dhe grabitje bankash në Belgjikë, Holandë, Itali dhe Spanjë. Në Shqipëri ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy policëve Arben Keqi dhe Durim Kasmi në vitin 1999.

Si u kthyen në “mbretër” të Ekuadorit dhe

Më 12 qershor 2014- Policia zbuloi në Laç një laborator kokaine dhe heroine, në një vilë në pronësi të ish-policit 46-vjeçar Gëzim Çela, i dënuar me 6 vite burg në Turqi dhe me 11 vite në Itali për prostitucion dhe trafik droge. Policia arrestoi 11 persona, ndërkohë që shpalli në kërkim Çelën, i dyshuar si kreu i grupit.

Më 14 janar 2015- Policia shqiptare zbuloi një tjetër laborator droge, në Xibrakë të Elbasanit. Ky ishte laboratori më i madhi i kapur ndonjëherë në Ballkan. Në laborator u zbuluan gjithashtu rreth 4 tonë përzierës, të sjellë nga Kolumbia dhe Bolivia. 9 persona u arrestuan, mes të cilëve dy shtetas kolumbianë Cesar Avila dhe Valter Moreno, ekspertë të përpunimit të kokainës.

Si u kthyen në “mbretër” të Ekuadorit dhe

Më 30 maj 2017- U vra në një lagje të Guayaquilit në Ekuador, Ilir Hidri, 40 vjeç, nga Vora. Ai u ekzekutua me 3 plumba nga dy persona që po e ndiqnin me motor. Autoritetet vendase e lidhën vrasjen e tij me trafikun e drogës. Pati edhe raportime se pas një arrestimi të tij në Spanjë ai kishte pranuar të bashkëpunonte me DEA-n amerikane, por kjo mbeti e pakonfirmuar.

Pak muaj më pas, në të njëjtin qytet, më 8 nëntor 2017 u sulmua Remzi Azemi nga Kosova. Ai u qëllua me 4 plumba teksa po udhëtonte me bashkëshorten dhe vajzën e tij me një makinë të blinduar, dhe i mbijetoi atentatit.

Më 27 shkurt 2018- U kap në Maminas ngarkesa më e madhe e kokainës në Shqipëri. Pas njoftimeve nga Gjermania, Policia shqiptare kapi 613 kilogramë kokainë, me vlerë rreth 180 milionë euro. Ngarkesa vinte nga Kolumbia dhe i përkiste rrjetit Clan del Golfo

Si u kthyen në “mbretër” të Ekuadorit dhe

Në prill 2018- Në Bogotá u vra Adriatik Lagji nga Saranda, i cili jetonte prej 14 vitesh në Kolumbi. Sërish dyshimi kryesor për vrasjen e tij është përplasja për trafikun e kokainës.

Më 1 maj 2018- Në një operacion të DEA-s amerikane dhe policisë spanjolle u arrestuan në Spanjë Julian Deblini (Gjoka) dhe Dritan Gradica (Arjan Ndoci), si dhe tre persona të tjerë. Atyre iu kap rreth 1 ton kokainë dhe 1,5 milionë euro në të holla.

Më 19 tetor 2018 -Policia zbuloi laboratorin e tretë të drogës në vend, në fshatin Brenog të Hasit. Policia kapi 100 kilogramë opium me prejardhje nga Azia, e cila shërbente si lëndë e parë për prodhimin e heroinës. Përzierësit e përdorur për prodhimin e drogës ishin importuar nga Kolumbia.

Më 30 janar 2019- Për llogari të autoriteteve italiane policia shqiptare arrestoi në zonën e ish-bllokut në Tiranë, Dorian Petokun. Sipas mediave italiane, ai ishte i përfshirë me klanin roman të Casamonicas, që trafikonte 5 deri në 7 ton kokainë në vit nga Amerika Latine në Itali.

Më 2 shtator 2019- Në një qytezë rurale të Brazilit u sekuestruan 617 kilogram kokainë, në pako të mbështjella me logon e klubit të futbollit të Elbasanit, e që dyshohet se kishte gjithashtu destinacion Shqipërinë.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore