Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Si rekrutohen femrat në bandat kriminale shqiptare, ja misioni i tyre në trafikun e drogës

Si rekrutohen femrat në bandat kriminale shqiptare, ja misioni i tyre

Grupet shqiptare të krimit të organizuar që veprojnë në shtetet evropiane janë homogjene dhe të mbështetura në lidhjet fisnore. Megjithëse ato bashkëpunojnë lirisht me grupet e tjera të krimit të organizuar.

Ky është konkluzioni i hetuesve shqiptarë dhe partnerëve të tyre ndërkombëtare, që kanë pasur nën hetime të përbashkëta dosje me shqiptarë të akuzuar për trafik droge, apo krime të tjera të rënda. Sipas të dhënave, bashkëpunimet e para të grupeve shqiptare me ato të huaja kanë qenë me grupet mafioze italiane, dhe më pas me grupet turke të trafikut të heroinës.

Pavarësisht natyrës së grupeve të Camorra-s për të mos lejuar hapësirë për grupet e tjera, grupet shqiptare arritën të fitonin njëfarë autonomie në menaxhimin e trafikut të drogës, shfrytëzimit të prostitucionit dhe tregut të zi për bashkëkombësit e tyre në Itali.

Mbërritja e grupeve shqiptare të krimit të organizuar në Itali solli dhe shembullin e parë të grupeve kriminale ndëretnike, që ishte ajo e grupeve kriminale të Pulias. Grupet e para shqiptare të krimit të organizuar kanë bashkëpunuar me grupet mafioze të Sacra Corona Unita (SCU) në formën e lejimit për shfrytëzim të prostitucionit në një territor të caktuar, në këmbim të furnizimit me armë dhe heroinë nga grupet shqiptare.

Ky bashkëpunim u forcua më tej në drejtim të trafikut të armëve midis grupeve shqiptare dhe atyre të ‘Ndrangheta-s. Përveç bashkëpunimit me grupet italiane dhe turke (në trafikun e heroinës përmes degëzimit jugor të “Rrugës së Ballkanit”), grupet e organizuara kriminale shqiptare kanë bashkëpunuar edhe me grupet vendase të shteteve të tjera fqinje, si Greqi, Maqedoni, Kosovë, etj.

Në veprimtari të caktuara, si për shembull trafikimi i qenieve njerëzore dhe shfrytëzimi i prostitucionit, grupet shqiptare kanë bashkëpunuar ngushtë edhe me grupet e vendeve nga rekrutoheshin viktimat, si Federata Ruse, Ukraina, Lituania, Moldavia, Bullgaria dhe Rumania etj.

Në ditët e sotme, grupet kriminale brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, të diktuara nga rrethanat e një tregu të brendshëm të vogël dhe njëherësh nga nevoja për të maksimizuar të ardhurat kriminale, bashkëpunojnë në mënyrë pothuajse të pandarë dhe të vazhdueshme me grupet kriminale shqiptare që veprojnë në vendet e BE-së. Kjo dallohet qartë në shumicën e vendimeve të dhëna nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Gjithashtu, grupet vendase bashkëpunojnë ngushtë me grupet malazeze, boshnjake, serbe dhe maqedonase, pa u penguar aspak nga konfliktet gjeopolitike që kanë karakterizuar historinë e rajonit të Ballkanit.

Por, si rekrutohen femrat e bandave

Femrat janë të pranishme në grupet e organizuara kriminale shqiptare, por jo në numër dhe role domethënëse. Nga shqyrtimi i vendimeve të Gjykatës së Krimeve të Rënda, sot Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për periudhën 2016-2019 rezulton se në një numër të përgjithshëm prej 357 personash të pandehur, 16 prej tyre janë femra. Shumica e këtyre femrave janë përfshirë për shkak të lidhjeve intime apo familjare me pjesëtarë të grupeve kriminale. Nuk kanë role kryesore por ndihmëse, si për shembull transportimi dhe fshehja e lëndës narkotike në rast arrestimi të personit të lidhur me to, dhe ofrimi i një fasade familjare në automjetin me të cilin transportohet droga.

Në trafikun e qenieve njerëzore, femrat janë të pranishme në rolin e kujdestares dhe udhëzueses së viktimave të rekrutuara. Ato i luajnë këto role për shkak të përvojave të mëparshme si viktima të trafikimit, punëtore seksi apo lidhjeve të afërta me trafikantët. Disa prej tyre përfshihen drejtpërdrejt në gjetjen e klientëve.

Duke lënë mënjanë trafikun e drogës, që përbën numrin më të madh të veprave të dërguara në gjykatë, numri më i lartë i femrave të përfshira në krim të organizuar shënohet në rastet e gjobëvënieve. Roli i tyre në këtë veprimtari ka të bëjë me joshjen e personit që gjobitet, si dhe shfrytëzimin e informacionit paraprak që ajo mund të ketë për shkak të lidhjeve të mëparshme me të.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore