Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Shkarkimi i presidentit/ A do të paraqitet Ilir Meta në Komisionin Hetimor?

Shkarkimi i presidentit/ A do të paraqitet Ilir Meta në Komisionin

Për herë të dytë në pak kohë, maxhoranca socialiste ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë për nxjerrjen e Ilir Metës përfundimisht nga presidenca.

Ndërsa tentativa e parë mbeti në rrugë pas sugjerimit të Venecias, kur parlamentit të “vjetër” i ka mbetur edhe pak kohë në dispozicion, PS po punon edhe në fundjavë për ta çuar kësaj radhe në fund, nismën për shkarkimin e Ilir Metës.

Duket se socialistët e kanë marrë më seriozisht, dhe po seriozisht thotë se e ka edhe presidenti, i cili “përbetohet” se do jetë në zyrë deri në ditën e fundit të mandatit të tij.

Socialistët po nxitojnë të kapin afatet me Parlamentin aktual, ku falë votave të opozitës së re, kanë treguar se gëzojnë shumicën kushtetuese për të shkarkuar Ilir Metën.

Ilir Meta nuk njeh Komisionin dhe as aktet e tij

Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit ka caktuar datën 18 maj, për të thirrur në seancë dëgjimore Ilir Metën. Gjithsesi, Komisioni i ka lënë dorë të lirë kreut të shtetit, duke lënë të hapur mundësinë për të zgjedhur edhe një ditë tjetër brenda javës që vjen.

Mundësia që kreu i shtetit të zgjedhë një datë, erdhi pas precedentit të krijuar në Komisionin e Ligjeve, ku kreu i shtetit refuzoi të paraqitet në datën e caktuar. Meta refuzoi të ishte pranishëm në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve për t'u mbrojtur mbi nismën e ndërmarrë nga socialistët për shkarkimin nga posti i presidentit. Përmes një letre,  Meta arsyetonte se e kishte agjendën e zënë dhe se për këtë ai është i gatshëm të jetë prezent në datën 10 Maj. Spostimi i datës u pa si tentative e Metës për të djeguar afatet kushtetuese, prandaj socialistët vendosën që ta kalonin nismën e 49 deputetëve në parlament, pa pritur Ilir Metën.

Burime për Gazetën SHQIP bëjnë me dije se kreu i shtetit do ta refuzojë thirrjen e deputetëve dhe nuk do të marrë pjesë në seancën dëgjimore. Gjithsesi, pjesëmarrja është një detyrim ligjor, edhe pse spostimi i datave mund të jetë në favor të kreut të shtetit, për të nxjerrë jashtë afateve ligjore nismën për shkarkimin e tij.

Kujtojmë se Presidenca e ka bërë të qartë se nuk do të njohë as asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore, të atij që e quan “Kuvend njëpartiak”.

Heshtja e PD, a po i ofrohet presidenca?

Thirrja e presidentit në Komisionit Hetimor ka një simbolikë të veçantë nëse i referohemi datës së vendosur. Është pikërisht 18 maji, një ditë pas marrëveshjes së famshme të 17 majit mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Në atë kohë kryedemokrati doli nga çadra për t’u bërë pjesë e qeverisë teknike, ndërsa katër vjet më pas, PD “ndodhët sërish në rrugë” dhe nuk pranon humbjen në zgjedhjet e 25 prillit, edhe pse rezultati është certifikuar nga ndërkombëtarët dhe institucionet e shtetit shqiptar.

Maxhoranca i ka shtrirë sërish dorën Lulzim Bashës, për një bashkëpunim pa “vija të kuqe”, ku në tavolinë është edhe posti i presidentit.

Nga selia blu nuk ka asnjë koment rreth nismës për shkarkimin e Metës, ku në heshtje duket se Basha është dakord me Ramën, për “pastrimin” e presidencës. Nga ana tjetër, Edi Rama ka deklaruar disa herë publikisht se për zëvendësimin e Kreut të Shtetit do të konsultohet edhe me Partinë Demokratike. 

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

 

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore