Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Shifrat / Në Tiranë, PD thuajse në vendnumëro me 2017-ën

Shifrat / Në Tiranë, PD thuajse në vendnumëro me

Historiku i zgjedhjeve të përgjithshme shqiptare tregon se rrotacioni i shumicave ka ndodhur kur fitohet, ose balancohet rezultati në kryeqytet. Tirana, si zona me numrin më të lartë të votuesve, por edhe si qendër ekonomike, arsimore e kulturore e vendit është marrë gjithmonë si treguese e prirjes se nga do të anojë pushteti.

Më 25 prill, Partia Socialiste fitoi shumicën dërrmuese të njësive të ish-Bashkisë së Tiranës, pra të territorit me 11 njësi që ishin para reformës administrativo-territoriale dhe zgjerimit të Bashkisë së kryeqytetit me ish-komunat përreth.

Katër vite më parë, PS fitoi në të 11 njësitë e Bashkisë së Tiranës. Totali i votave të PS dhe PD të marra së bashku ishte 207 mijë e 836. Partia Socialiste mori 133 mijë 759 prej tyre, ose rreth 64 për qind të totalit të votave. Në krahasim me zgjedhjet e 2013-ës, PS regjistroi në të 11 bashkitë e Tiranës rreth 2600 vota më pak.

Partia Socialiste mori dyfishin e votave në krahasim me PD në shtatë nga 11 njësitë e Tiranës. PD rezistoi disi vetëm në njësin 8, ose zona e Laprakës, që njihet si bastion i demokratëve, por edhe këtu në fund të numërimit humbit me rreth 2 mijë vota diferencë.

Në zgjedhjet e 25 prillit, PD ka ngushtuar diferencën e humbjes në krahasim me 2017-ën në të gjitha njësitë, por vetëm në njësinë 8 arriti që të dalë forcë e parë me më pak se 400 vota. Rezultati i 2017-ës u interpretua si mosdalje në votime e mbështetësve të Partisë Demokratike, nisur nga fakti që PS për vete arriti që të ruajë thuajse të njëjtat kuota si në 2013-ën.

Numri total i votuesve të PS dhe PD në zgjedhjet e 25 prillit në të 11 njësitë e Bashkisë së Tiranës ishte 249 mijë e 367, ose rreth 42 mijë persona më shumë në krahasim me zgjedhjet e 2017-ës. Nga këto vota, PS ka marrë 140 mijë e 345, ose rreth 56 për qind të tyre.

Në pamje të parë, shifrat sugjerojnë se në krahasim me 2017-ën, PD ka rekuperuar elektorat. Nëse në 2017, PD merrte rreth 74 mijë vota në 11 njësitë e Tiranës, në 2021 në të njëjtin territor ajo mori rreth 109 mijë vota, ose 35 mijë vota më shumë.

Por, edhe kjo rritje duhet marrë me rezerva, pasi në 2017-ën PD garonte e vetme, ndërsa më 25 prill udhëhiqet koalicionin me partinë opozitare, mes të cilave u përfshi edhe PDIU dhe FRD. Në total, këto dy parti që në 2017 garonin më vete kanë marrë atëherë rreth 20 mijë vota. Kjo do të thotë se nëse këtë shifër ja zbresim rritjes me 35 mijë vota në 25 prill, atëherë rritja neto vetëm e PD përllogaritet në vetëm 15 mijë vota.

Ky rekuperim është i pamjaftueshëm për të përmbysur mbështetjen e socialistëve që gjithashtu në raport me 2017-ën u rritën po me rreth 15 mijë vota.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore