Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Pse beteja e Sali Berishës është me SHBA dhe jo me Lulzim Bashën?

Pse beteja e Sali Berishës është me SHBA dhe jo me Lulzim

Sa më shumë “Foltore” organizon Sali Berisha nëpër Shqipëri, aq më shumë krijohet bindja se beteja e tij nuk është me Lulzim Bashën, por drejtpërdrejt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht retorikës së kundërt të ish-Kryeministrit të shpallur “non grata” nga DASH.

Berisha flet për një “betejë parimore”, se atë nuk e ka me armë e dhunë, por vetëm me votë dhe ndryshe nga kohët kur drejtonte Partinë Demokratike dhe Shqipërinë në takime po tregon një tolerancë të pashoqe, si rasti i Shkodrës, kur një vajzë e re i kërkoi llogari se çfarë ka bërë ai në 13 vite në pushtet për ish-të përndjekurit.

Pyetjet e vajzës nuk u pëlqyen nga mbështetësit e Berishës në sallë, që i hoqën disa herë mikrofonin, për t’ia ridhënë po aq herë pas kërkesave me gjysmë zë të Berishës që ta lejonin të fliste.

E gjitha ndodhi në transmetim të drejtpërdrejtë. Tani, për ata që kanë jetuar dhe kanë një memorie më të gjatë, a mund të imagjinohet do ta kundërshtoje Berishën President? Po Berishën Kryeministër? Se Berishën kryetar partie as që bëhej fjalë ta kundërshtonte njeri.

Ky ndryshim “drastik” i “Berishës 3.0” në këtë moshë na çon te bindja se ai e di më mirë se të gjithë ata që e ndjekin nëpër salla dhe ndjekësit e tjerë digjitalë se betejën e nisur s’e ka me Bashën, por me SHBA.

Nëse beteja do të ishte me Lulzim Bashën, Berisha nuk do të kishte nevojë që të fshihej pas petkut të dashnorit të madh i lirisë së fjalës, lirisë së mendimit ndryshe, ashtu siç u rrek ta paraqesë veten në “Foltoren” e Shkodrës. Në të shkuarën, ata që e kanë tentuar këtë kur Berisha ka drejtuar PD kanë fluturuar herë nga dera, herë nga dritarja e partisë.

Nëse beteja nuk do të ishte me SHBA, Berisha me shumë mundësi do ta kishte rrethuar selinë e Partisë Demokratike me simpatizantë e mbështetës të tij që të nesërmen e vendimit të Lulzim Bashës që e shpalli non grata, ashtu siç bëri me rrethimin e Kryeministrisë në 1998, pasi u vra Azem Hajdari.

Nëse beteja nuk do të ishte me SHBA, Berisha nuk do të përsëriste sa herë mbështetësit e tij bëjnë thirrje për “revoltë të dhunshme”, se betejën e ka me votë, s’e ka as me kallash e me armë. Madje me këto deklarata, krijohet përshtypja se ai po i zhgënjen ata.

Pikërisht ngaqë beteja është me SHBA, Berisha po kërkon që Partinë Demokratike ta përdorë si sapun për të larë emrin e vet, të njollosur, sipas tij nga vendimi i padrejtë “non grata” i Departamentit të Shtetit.

Sot, njeriu që për 8 vite Kryeministër nuk pyeti asnjëherë strukturat e partisë, madje në një rast kur e kanë pyetur në intervista televizive se përse Kuvendi Kombëtar i partisë nuk ishte thirrur nga 2005 deri në 2013, tha se nuk ishte nevoja për sa kohë PD kishte fituar zgjedhjet, tani kërkon që çdo vendimmarrje të kalojë nga forumet.

Kështu “kërcënoi” nga Shkodra, Lulzim Bashën në lidhje me zërat për ndryshime të mundshme kushtetuese. Tha se asnjë ndryshim i Kushtetutës nuk mund të bëhet pa pyetur forumet e partisë, a thua e pyeti partinë kur ndryshoi brenda natës këtë ligj themeltar në 2008.

Prandaj, më shumë se për sovranitet, liri, drejtësi e të tjera e të tjera, Sali Berisha po përpiqet që të përdorë Partinë Demokratike si mjet për t’iu kundërvënë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. A e di Basha këtë? Me sa duket po. Kreu i PD e ka deklaruar dhe përsëritur shpesh se nuk do të lejojë mbledhjen e asnjë forumi për të diskutuar një vendimmarrje amerikane./ Gazeta Shqip 

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore