Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Me Rëndësi

PS i pret biletën Metës, dy skenaret për zgjedhjen e presidentit, kush është gruaja që merr vendin vakant

PS i pret biletën Metës, dy skenaret për zgjedhjen e presidentit,

Viti 2022 do të nisë vrullshëm për politikën shqiptare. Ky zhvillim nuk lidhet me situatën apo me ultimatumet brenda PD-së, por edhe për fatin e presidentit Ilir Meta.

Partia Socialiste ka votuar  për shkarkimin e presidentit Meta në seancën e 9 qershorit. 104 deputetë të Kuvendit votuan pro, ndwrsa 7 kundër dhe 3 abstenim.  Pas këtij votimi çështja i ka kaluar  Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të japë verdiktin e saj final në janar ose në fillim të muajit shkurt.

Socialistët sot nëpërmjet kreut të grupit të PS-së, Taulant Balla iu rikthyen sot kësaj çështjeje të lënë në "harresë" nga Gjykata Kushtetuese. Për Ballën, ky institucion duhet të shprehet në fillim të vitit 2022, duke dhënë gjykimin final nëse shkarkimi i presidentit i ndërmarrë nga Parlamenti me 104 vota pro ishte ose jo kushtetues.

"Nuk mund të jap përgjigje sot. Ne do të respektojmë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk do të bëjmë asnjë koment derisa ajo të shprehet për këtë gjë. Qëndrimi ynë për këtë gjë ka qenë i qartë, zoti Meta ka shkelur kushtetutën, por tanimë nuk mund të komentojmë më, sepse nuk i bën mirë arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe ajo duhet të shprehet deri në mes të shkurtit për këtë gjë. Sa për përfundimin e mandatit, Kuvendi nis nga puna për emrin e ri në prill. Në rast se do të kemi ndërprerje të parakohshme të mandatit presidencial, Kushtetuta e tregon qartë se kush i merr ato detyra", deklaroi Balla.

Dy skenaret

Po kush mund të marrë drejtimin e Presidencës në rast se Gjykata Kushtetuese vendos që Ilir Meta duhet të largohet nga drejtimi i këtij institucioni? Balla në reagimin e tij nuk zbuloi skenarin që mund të vijojë më pas. Sipas Kushtetutës, në rast se Gjykata vendos për mbarimin para kohe të mandatit të presidentit, atëherë menjëherë kompetencat i merr kryetari i Parlamentit.

"Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij", thuhet në pikën 1 të nenit 91 të Kushtetutës.

Referuar kësaj dispozite kushtetuese i bie që Lindita Nikolla e cila do të ushtrojë kompetencat e presidentit Meta, duke mbajtur njëherësh dy funksionet.

"Në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë", thuhet më pas në Kushtetutë. 

Po nëse Kushtetuesja e cilëson jo të drejtë shkarkimin e Metës, atëherë Parlamentit i duhet sërish të futet në procedurat e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Kjo për faktin se Metës i mbaron mandati në korrik të 2022 dhe sipas Ballës, procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri do të nisin që në muajin Prill.

Pra ethet presidenciale do e shoqërojnë vitin 2022, me aplikimin e dy skenareve dhe kjo do të jetë prova e socialistëve, nëse postin e presidentit do t'ia ofrojnë opozitës ose jo.

Kjo më pas të çon dhe në uljen në një tryeze politike  PS-PD dhe nisjen e negociatave, për një president konsensual. Në rast të kundërt PS-ja duhet të zgjedhë një emër nga radhët e saj me një shumicë të thjeshtë parlamentare prej 71 votash.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore