
Siç pritej dhe siç edhe ndodh rëndom sa herë Komisioni i Venecias ka dërguar ndonjë opinion për ligjet apo sjelljet e institucioneve në Shqipëri, edhe këtë herë përgjigja e kreut të këtij organizmi ndaj Ilir Metës u komentua nga mënyra të ndryshme prej qarqeve politike dhe mediatike në vend.
Një pjesë e konsideron si “kundërshtim” ndaj kërkesës së Presidentit, të tjerët si një aprovim.
Por në fakt, çfarë përfaqëson shkresa e Gianni Buquicchio-s që ju dërgua Ilir Metës? Si logjikë dhe precedent, qëndrimet e Komisionit “Demokracia Nëpërmjet Ligjit” nuk mund të shikohen bardh e zi; pasi ata përbëjnë këshilla juridike dhe jo qëndrime politike.
Në kërkesën që Presidenti Meta i dërgoi Venecias për të shqyrtuar me procedurë urgjente ndryshimet në Kod, ky institucion ju përgjigj negativisht.
Pasi siç thekson vetë kreu i Komisionit, ata nuk mund ta bëjnë shqyrtimin me procedurë të shpejtë, por vetëm në seancë plenare normale, e cila do të mbahet në dhjetor, plus kohën e shqyrtimit e të miratimit e zbardhjes mund të kapë edhe janarin.
Pra karakteri “urgjent” bie, duke i dhënë një argument më shumë për mazhorancën për të proceduar me Kodin në Kuvend. Megjithatë, Venecia ka pranuar që të diskutojë në seancë plenare pyetësorin e Presidentit Meta së bashku me ODIHR-in.
Kjo pasi kërkesa e Metës nuk kishte të bëjë me çështje juridike, por politike dhe teknike të shpërndarjes së votave për partitë në një sistem proporcional rajonal.
E këtu natyrisht që duhet ekspertiza e një institucioni si ODIHR që është me përvojë për zgjedhjet dhe sistemet e tyre. Ka qenë ODIHR ai që propozoi në 2008 modelin spanjoll që kemi sot dhe ajo i ka kapacitetet për të shqyrtuar përputhjen e këtij sistemi me ndryshimet e bëra nga mazhoranca, siç janë koalicioni linear dhe listat e hapura.
Sipas gjasave, opinioni i Komisionit të Venecias mund të jetë një draft të bashkuar edhe me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, të cilat nuk u përfshinë në Kodin e ri Zgjedhor, për arsye se sipas Marrëveshjes së 5 Qershorit ata nuk u diskutuan.
ODIHR-i ka kërkuar një administratë apolitike zgjedhore, duke nisur nga KQZ dhe komisionet e numërimit. Gjithsesi, nëse në opinion do të ketë pjesë të qartë ku thuhet se përdorimi i skemës që është vendosur aktualisht për koalicionet, çka është e vetmja pikë përplasjeje, nuk krijon hapësirë demokratike, atëherë opozita do të fitojë pikë politikisht për fushatën e 25 prillit, çka edhe mund ta përdorë. Por nëse ndodh e kundërta, pra që Venecia të thotë që kjo formë nuk ngushton hapësirën, atëherë Edi Rama do të ketë edhe një kartë më shumë kundër Ilir Metës.
Por nëse sipas gjasave, raporti do të jetë i balancuar siç ka ndodhur gjithmonë, sërish secila palë do të quajë fitore opinionin e juristëve të “katedrës së Venecias”.
Ky komision shumë rrallë është mbledhur për çështje urgjente, edhe këtë e ka bërë për probleme të mprehta juridike dhe jo politike…
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.