Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Nga satelitët tek llogaria në Tik Tok/ Si e "ushqen" Rama publikun me lajme dhe kriza energjetike në mes

Nga satelitët tek llogaria në Tik Tok/ Si e "ushqen"

Ndërkohë që Lulzim Basha dhe Partia Demokratike kanë intensifikuar përpjekjet për t’i imponuar maxhorancës një “arnim” të ri ndaj Kushtetutës së vendit, në fokusin e kryeministrit Edi Rama, primare janë objektiva të tjerë. Së paku kështu të lë të kuptosh artikulimi publik i shefit të qeverisë.

Fushatës intensive të demokratëve që kërkojnë, reformë të re zgjedhore, konfigurim të ri territorial dhe vetting të politikanëve, Edi Rama iu përgjigj dje me një video, ku zbulonte se kishte çuar në një nivel tjetër negociatat me Space X, për të lëshuar në hapësirë dy satelitë, Albania 1 dhe Albania 2.

Deklarata që pak ditë më parë shkaktoi të qeshura në parlament, i surprizoi jo pak skeptikët dje, pasi duket se do bëhet realitet. Dy satelitët shqiptarë pritet të lëshohen brenda vitit të ardhshëm, konkretisht në mars dhe në qershor.

Sipas përllogaritjeve, Shqipërisë do t’i kushtojë deri në 62 milionë dollarë lëshimi i “Albania 1” dhe “Albania 2”. Gjithsesi, ne ende nuk kemi një shifër zyrtare, por sidoqoftë shifra është e lartë për buxhetin e shtetit, ku pas tërmetit dhe pandemisë, vendi ynë po përballet edhe me krizën energjetike.

Kriza energjetike

Prej disa ditësh, Shqipëria ka shpallur emergjencën për furnizimin me energji elektrike, por nga ana tjetër qeveria ka premtuar se nuk do të ketë as ndërprerje dhe as rritje të çmimit të energjisë. Qeveria ka hartuar një plan me tre pika, ku garantohet furnizimi pa ndërprerje me energji elektrike, mos rritja e çmimit për familjet dhe biznesin e vogël, si dhe një fond likuid për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në vlerën 100 mln euro në fund të këtij viti dhe 100 mln euro në fillim të vitit tjetër.

Në një kohë kur kërkohen miliona për të menaxhuar krizën, shumë qytetarë pyesin se ku do gjenden paratë për satelitët.

Kujtojmë se pak ditë më parë qeveria njoftoi se maksimumi në fillim të muajit nëntor do të emëtojë një eurobond me vlerë nga 500 deri në 700 milionë euro, ndërkohë që vetëm një vit më parë një shifër e ngjashme u mor borxh po përmes këtij mekanizmi.

Nuk dihet nëse “borxhi” do përdoret për këtë projekt, që na rendit përkrah shteteve të mëdha.

Rama, “ylli” i ri i Tik-Tok

Kryeministri Edi Rama i ka përdorur vazhdimisht rrjetet sociale, si një platformë për të diskutuar dhe bërë “sherr” me ndjekësit e tij, por edhe për të dhënë lajmë të rëndësishme, apo për të ironizuar kundërshtarët politikë. Ai është politikani më i ndjekur në Shqipëri, si dhe ndër politikanët më aktivë dhe më të ndjekur në rajon.

Pasi ka krijuar nga një llogari në Facebook, Youtube, Twitter, Instagramapo në Netflix dhe HBO, kryeministri nuk i ka rezistuar as tendencës më të fundit, rrjetit që po çmend të rinjtë, Tik Tok-u.

Duke treguar së është një ndjekës i përpiktë i risive teknologjike, Rama bëhet kështu lideri i parë në Shqipëri dhe mbase në Evropë, që dominon të gjitha platformat sociale.

Pas aktivitetit të tij në Facebook dhe Instagram, Rama tashmë poston edhe në rrjetin, i cili u bë më i përdoruri gjatë pandemisë.

Të gjitha këto lëvizje, nga ekspertët e komunikimit, shpesh janë parë si strategji të Edi Ramës për të tërhequr vëmendjen e publikut, apo për të spostuar vëmendjen nga tema që shqetësojnë qytetarët.

Kjo pasi, ndërsa poshtë zyrës së Ramës protestohet për rritjen e çmimit të bukës dhe ushqimeve bazike, kryeministri krejt papritur njofton projektin që çon Shqipërinë në orbitë.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 
Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore