Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Mes Edi Ramës dhe Ilir Metës nuk ka patur kurrë paqe, por vetëm pakte!

Mes Edi Ramës dhe Ilir Metës nuk ka patur kurrë paqe, por

Replikat ndërmjet Edi Ramës dhe Ilir Metës, kanë qenë më të ashprat, që prej atyre të një viti më parë, në 30 qershorin e shkuar.

Ashtu si edhe një vit më parë, kur Meta ç’dekretoi zgjedhjet e 30 qershorit, kryeministri dhe Presidenti kanë përmendur:  “rezistencën”, “përmbysjen”, “eleminimin”, apo edhe “shkarkimin”, por në fund erdhëm sërish në pikën fillestare, ku shkarkimi u bë këshillim, ndërsa qeveria e Edi Ramës u bë konstruktive.

Edi Rama dhe Ilir Meta bënë pakt në pranverë, por natyrisht ky pakt si shumë të tjerë ishte më shumë “pakt mos sulmimi provizor” ose “armëpushim” sesa një paqe e zgjatur.

Në marrëdhëniet mes Edi Ramës dhe Ilir Metës nuk ka pasur asnjëherë paqe të zgjatura, por pakte të forta që i kanë siguruar të dyve, poste të rëndësishme që kanë marrë si njëri si tjetri.

Ilir Meta, në vitin 1998 pati mbështetjen e rëndësishme të Edi Ramës, kur u bë kryeministër, dhe ky i fundit atë të Metës, në 2000 kur u bë kryetar i bashkisë Tiranë.

Pas një lufte në 2005, ku Meta lëvizi gurët që Rama të mos zgjidhej kryetar i PS-së, por se kontrollonte me atë parti, një pakt mes të dyve e ribëri Edi Ramën kryetar bashkie të Tiranës në 2007-n.

Por Meta i kërkoi kreut të PS-së postin e kryeministrit, e ky i fundit nuk ja dha. Shpërtheu një luftë disa vjeçare mes të dyve. Më e ashpra dhe më e dhunshmja në historinë politike.

Luftë që solli trauma të mëdha. Edi Rama humbi zgjedhjet e 2009-s dhe ato të 2011-s, ku u rrëzua në bashkinë Tiranë prej një politikani të ri të PD-së, Lulzim Bashës. Natyrisht falë edhe ndërhyrjes së KQZ në proces. Po në fund, bashkinë e humbi edhe nga bashkimi i Metës me Berishën. Përpara humbjes së bashkisë, kishte ndodhur video Meta-Prifti, e më pas 21 janari 2011.

Në vend që të zhvillohej beteja finale për “asgjësimin” politik të dy palëve më të egra ndërluftuese në historinë politike, ndodhi pakti i 2013-s.

Edi Rama dhe Ilir Meta u “rimartuan” politikisht, qeverisën së bashku për 4 vjet; njëri kryeministër e tjetri kryetar Parlamenti, deri në 2017-n. Ishte një bashkëjetesë e kushtezuar, e stresuar për të dy palët dhe u pa që në muajt e parë që nuk do të zgjaste.

Kështu që si Rama, si Meta, nisën të krijojnë kushtet për t’i bërë dëm njëri-tjetrit.

Ilir Meta i hapi krahun Sali Berishës në Kuvend për të folur pa fund çdo të enjte, ndërsa Rama, nuk lëvizi kur një deputet i tij e akuzoi kreun e atëhershëm të Parlamentit për vrasje.

Vijoi më pas lufta e egër që kulmoi me rreshtimin e LSI-së së Ilir Metës me çadrën e Lulzim Bashës, dhe në momentin kur aleati i Edi Ramës po bëhej gati për të shkuar tek opozita, kryeministri i jep të gjitha votat e partisë së tij dhe e bën President të Republikës.

Ilir Meta, i ka provuar të gjitha: ka qenë Kryeministër, kryetar Parlamenti e tani President. Edi Rama po bëhet gati për të drejtuar qeverinë në një mandat të tretë, që nëse ndodh do të shënonte rekord politik në vend.

Të gjitha këto poste, të dy i kanë pas pakteve të “rënda” me njëri tjetrin që kur Edi Rama ishte “shefi i PR” i Ilir Metës në vitin 1998; pra para 22 vjetëve…

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore