Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Maqedonia si “sebep” për të shtyrë datën e konferencës ndërqeveritare edhe për Shqipërinë

Maqedonia si “sebep” për të shtyrë datën e

Rivaliteti politik mes vendeve anëtare dhe rregullat e burokracitë e tejskajshme të Brukselit mund të lënë sërish me “pjatën bosh” Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në gostinë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në dhjetor të 2019-ës, Shqipëria e Maqedonia e Veriut prisnin hapjen e negociatave dhe një datë konkrete për mbajtjen e takimit të parë ndërqeveritar. Por, përplasjet e brendshme mes vendeve anëtare të Bashkimit Europian prodhuan një vendim të mesëm e gjysmak, edhe pse më herët ishte rënë dakord për kushtin e Francës për rishikimin e metodologjisë së zgjerimit.

Në atë periudhë, qarkullonte ideja e ndarjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria (që për Holandën, Francën e Danimarkën nuk kishte plotësuar kushtet) dhe hapjen e negociatave për Shkupin dhe shtyrjen e tyre për Tiranën. Zërat pro kësaj ideje nuk ishin të paktë dhe as pa shumë peshë.

Duke marrë kurajo nga këta zëra, Zoran Zaev nxiste shkëputjen e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, madje duke i bërë presion Brukselit me deklarata se, nëse nuk do t’i hapeshin negociatat e anëtarësimit dhe caktohej një datë për nisjen e tyre, ai do të jepte dorëheqjen dhe çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.

Por, ndasitë brenda Brukselit për këtë çështje ishin më të mëdha e të forta se presioni i Zaev dhe në fund ajo çfarë ndodhi ishte një vendim gjysmak, përmes të cilit BE fitonte kohë duke e shtyrë vendimarrjen për negociatat për në pranverën e 2020. Zaev fliste për një padrejtësi.

“Brukseli na bëri padrejtësi. Ne kemi kryer të gjitha detyrimet tona. Ata nuk e mbajtën fjalën. Ky është një gabim historik i Europës. Është një vendim i problemeve të tyre të brendshme”, tha ai.

Vendimarrja u shty për në pranverë të 2020 dhe vetë 2020 u karakterizua nga shpërthimi i Covid dhe tema e zgjerimit nuk ishte halli më i madh që kishin udhëheqësit europianë. Tani, BE duket se ka vënë nën kontroll pandeminë, ka kohë t’i kushtojë vëmendje edhe zgjerimit dhe këtë herë situata për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duket se është përmbysur.

Komisioni dhe Parlamenti Europian thonë se Shqipëria ka plotësuar kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, madje që në qershor, ndërsa Maqedonia e Veriut rrezikon bllokimin nga vetoja e Bullgarisë për përplasjen që kanë në lidhje me gjuhën dhe kulturën.

“Nëse BE has në vështirësi me Maqedoninë e Veriut do të shihet mundësia të ecet përpara me zgjerimin vetëm me Shqipërinë. Kjo mund të jetë njëra rrugë”, deklaronte Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi javën e kaluar.

Deklarata duket se ka qenë “e pamiratuar” nga Gjermania.

“Në të kaluarën këto vende nuk janë ndarë. Ne mbështesim presidencën portugeze që të gjejë sa më shpejt zgjidhje për çështjet dypalëshe, në mënyrë që të hapen sa më shpejt konferencat e anëtarësimit, si për Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe për Shqipërinë. Nuk mendojmë t'i ndajmë nga njëra-tjetra”, deklaronte ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

Kundër ndarjes është shprehur edhe Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të BE, Josep Borrell.

“Ne duhet të ecim para me integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE dhe duam ta theksojmë edhe njëherë se nuk ka pasur asnjëherë qëllim për të ndarë vendet në rrugën e tyre të integrimit. Rajoni ka një rol të veçantë në Europë dhe për Europën. Ka një rol strategjik për ne. Mesazhi që ministrat çuan sot, ri afirmim se e ardhmja e tyre është në BE. Ne duam të tregojmë se kemi një angazhim ne te gjithë aspekt”, deklaroi ai.

Në vend të ndarjes, Gjermania kërkon që të caktohen datat për konferencat ndërqeveritare sa më parë për të dyja vendet.

“Nëse nuk jemi të kujdesshëm do ta humbasim Ballkanin Perëndimor. Pikërisht kjo është arsyeja pse duhet të mbajmë zotimet tona ndaj vendeve të rajonit. Ne duhet të shpjegojmë mbështetjen tonë në terren, për shembull për të kapërcyer pandeminë COVID19 dhe pasojat e saj ekonomike”, ka deklaruar Maas.

I gjithë debati i deritanishëm mbi këtë temë mund të krijojë një “deja vu” të 2019-ës në Bruksel. Pra, udhëheqësit e Bashkimit Europian të bien dakord që ta shtyjnë në kohë moszgjidhjen e padakordësive që kanë në lidhje me këtë çështje, duke shtyrë për në vjeshtë vendimarrjen për konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndryshimi i vetëm me 2019-ën është se këtë herë është Shqipëria “viktimë” e lojërave dhe rivaliteteve brenda Bashkimit Europian.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore