Prej ditësh, Ilir Beqaj po shfaqet në takimet e kryeministrit Edi Rama, zyrtare dhe jo zyrtare. Së fundmi ai u shfaq gjatë samitit të Prespës, në krah të Ramës në takimet që zhvilloi si me Ali Ahmetin e BDI-së, apo me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, së bashku me pjesën tjetër të stafit kryeministror.

Ndërsa është i pranishëm edhe në takimet që Rama po ndërmerr në kuadër të nismës “Gati për Shqipërinë”, në prezantimin dëgjesat me të rinjtë, projekt që synon të thithë sa më shumë njerëz si pjesë e qeverisjes në mandatin e tretë të socialistëve.

Po cili është roli i ri Beqajt? Drejtuesi i politik i qarkut të Shkodrës nuk u zgjodh deputet në zgjedhjet e 25 prillit, e sipas burimeve, Rama po e mban atë në rolin e koordinatorit apo të këshilltarit, duke pasur pranë në çdo aktivitet të tij që lidhet me qeverisjen.

Ai tashmë pas mbarimit të mandatit do të jetë anëtar dhe sekretar për koordinimin e këshillave të rajoneve në Partinë Socialiste. Beqaj, edhe pse deri në shtator është deputet i PS-së, e shohim shumë duke u marrë me rininë dhe me strukturat e Partisë Socialiste. Më herët ai ka qenë edhe një ndër personat përgjegjës për hartimin e programit të qeverisë Rama. Mbase këtë rol, Rama mund t’ia besoj sërish.

Nuk dihet nëse Beqaj do të vazhdojnë të jetë në stafin e këshilltarëve të Ramës, apo në shtator do të marrë ndonjë post ministror. Më herët Beqaj në qeverinë Rama ka mbajtur edhe postin e ministrit të Shëndetësisë, të cilin e mbajti për katër vite, gjersa u emërua Ogerta Manastirliu. Në shtator Ramës do t’i duhet të formojë edhe qeverinë e re, shumë prej ministrave aktualë janë në ankthin se nuk do të zgjidhen sërish. Ndërsa numri dy i PS-së, Taulant Balla pati deklaruar se në për mandatin e tretë ka nevojë për emra të rinj në qeverinë ‘Rama 3’.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.