Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Evoluimi i mbrojtjes së Lulzim Bashës / Nga SHBA, te administratori i godinës së partisë

Evoluimi i mbrojtjes së Lulzim Bashës / Nga SHBA, te administratori i

E gjithë mbrojtja që Lulzim Basha ka ngritur ndaj sulmeve të Sali Berishës pas 9 shtatorit, kur njoftoi përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike të krijon përshtypjen se është e sajuar, në kuptimin e vendimeve të aty për atyshme dhe jo afatgjata.

Retorikës, vendimeve e veprimeve të Bashës u mungon koherenca dhe mbrojtja e kreut të kontestuar të Partisë Demokratike nga mburoja “amerikane” që u përdor më 9 shtator u katandis te fshehja pas administratorit të godinës së partisë më 11 janar.

Në mesazhin e gjatë të 9 shtatorit, pasi lëvdonte e falenderonte Sali Berishën për kontributin që sipas Bashës, deri në atë kohë i kishte dhënë Shqipërisë dhe Partisë Demokratike, i komunikoi atij vendimin personal të përjashtimit nga grupi parlamentar.

Po në atë mesazh tha se vendimin e merrte për të mbrojtur interesat e Partisë Demokratike dhe se për hir të këtyre interesave përgjegjësinë e këtij vendimi vendosi të mos e ndajë me forumet vendimmarrëse të saj, por ta mbajë peshën të gjithën për vete.

Kur Sali Berisha nisi foltoren dhe mbledhjen e firmave për thirrjen e Kuvendit, Lulzim Basha këmbënguli se Kuvendi i radhës i Partisë Demokratike do të mbahej vetëm pas 4 vitesh, pra në 2025-n. Shpejt ndryshoi mendje dhe Kuvendit të thirrur nga Berisha i mbivendosi Kuvendin e thirrur nga vetë ai një javë më vonë.

Dy Kuvendet përjashtuan njëri-tjetrin. I pari shkarkoi Bashën, i dyti konfirmoi përjashtimin e Berishës dhe përmes ndryshimeve në statut për të sanksionuar aty se personat “non grata” nuk mund të ishin në forumet drejtuese, apo pjesë e grupit parlamentar të PD-së.

Berisha iu kundërpërgjigj duke thirrur protestën e 8 janarit. Përballë turmës së thirrur nga Berisha “mburoja” retorike me “statut, SHBA dhe zgjedhim të ardhmen” ishte e padobishme. Basha e dinte këtë dhe dyerve deri më 8 janar të xhamta të selisë u mbivendosi e zëvendësoi me dyer të blinduara.

Pas kësaj proteste, mbrojtja e Lulzim Bashës është rikthyer te retorika, ku përfaqësues të PD-së, kryesisht gra kanë dalë këto ditë me mesazhe në mbrojtje të kryetarit të tyre. Pas grave, radhën për të mbrojtur Bashën e kishte edhe administratori i godinës, që përmes një deklarate të shpërndarë nga PD fliste i bindur e me vendosmëri se nuk do të lejonte që ajo godinë (e bërë copash më 8 janar) të shkatërrohej.

Se kush ka të drejtë pastaj në këtë përplasje të brendshme është temë tjetër. Por, përplasja vetë i ka dhënë të drejtë Edi Ramës që ta delegjitimojë si Sali Berishën, ashtu edhe Lulzim Bashën nga ambicia për të drejtuar opozitën e dialoguar me të. “Janë e njëjta gjë e ndarë përgjysmë”, thotë Kryeministri.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore