Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Elbasani jashtë kontrollit/ Zbardhen familjet mafioze nga Shkodra në Vlorë, ja me çfarë merren

Elbasani jashtë kontrollit/ Zbardhen familjet mafioze nga Shkodra në

Prej dy javësh Elbasani është kthyer në kryefjalë e të gjitha lajmeve të ditës. Tre krime që kanë lidhje mes tyre rikthyen jo vetëm pasigurinë, por edhe një gjallërim të bandave, duke e lënë këtë qytet të Shqipërisë së Mesme në kryeqendrën e krimit të organizuar.

Në hartë pas Elbasanit janë Shkodra, Tirana e Vlora. Por jo më pak Durrësi dhe Fieri. Vrasjet e shkurtit të vitit 2016 treguan se qyteti i Elbasanit vazhdon të mbetet një pikë e nxehtë ku aktiviteti i krimit të organizuar vazhdon të jetë prezent edhe pas shkatërrimit të dy bandave famëkeqe të “Mandelës” dhe “Tan Kateshit”.

Një trend i rrezikshëm që po vërehet në këtë qytet është se format organizative të grupeve kriminale në qytet po imitohen nga grupe të rinjsh në zonat rurale përreth. Duke pasur parasysh situatën ekonomike dhe edukimin në rrethina, rrezikohet zhvendosje e organizatave kriminale me struktura hierarkike në zonat rurale.

Duke filluar nga viti 2003, strukturat e organizuara kriminale në vend filluan të sofistikohen në përgjigje të forcimit gradual të institucioneve shtetërore. Disa tregues të sofistikimit janë diversifikimi i veprimtarive të paligjshme në të cilat ata përfshihen, përshtatja e trajtave horizontale në formën e rrjeteve kriminale, përdorimi gjithmonë e më tepër i një gjuhe të koduar, përdorimi i numrave celularë të posaçëm, të cilët aktivizohen vetëm për kryerjen e trafiqeve si dhe përdorimi i korrierëve të ndryshëm.

Më vonë, nga viti 2008 e më pas vihet re se grupet shqiptare forcuan ndjeshëm pozitat e tyre në rrjetet ndërkombëtare të trafikut, sidomos atë të narkotikëve. Shihet se në rrjetet e trafikimit përfshihen role që nuk konstatoheshin përpara vitit 2003, siç është rasti i garantuesit apo dhe financuesit.

Një tjetër karakteristikë që shfaqet është përdorimi nga krimi i organizuar i bizneseve të ligjshme si një “fasadë” mbrojtëse për të fshehur dhe maskuar trafikimin e kokainës dhe drogave të tjera.

Në periudhën 2005-2015 një ndër format më të përhapura të trafikut të kanabisit ka qenë transporti me peshkarexhë deri në det të hapur. Sasi të konsiderueshme kanabisi janë transportuar gjithashtu përmes rrugëve ajrore, ku raste të ndryshme të përdorimit të avionëve të lehtë sportivë janë dokumentuar edhe në media.

Një tendencë tjetër që shkon drejt sofistikimit është kalimi nga faza kur grupet kriminale godasin institucionet shtetërore në fazën kur ato krijojnë lidhje të forta me segmente shtetërore duke ndikuar qoftë në politikën lokale, por dhe atë qendrore.

Një aspekt tjetër evident i sofistikimit të organizatave kriminale është integrimi i të ardhurave kriminale në biznese të ligjshme dhe përfshirja e tyre në politikë-bërje. Financimi i zgjedhjeve nga të ardhura prej veprimtarive të paligjshme apo të dyshimta meriton vëmendjen serioze të aktorëve politikë, institucioneve ligjzbatuese dhe shoqërisë shqiptare.

Në qytetin e Tiranës aktualisht mendohet të veprojnë të paktën 3 organizata kriminale shumë të fuqishme të strukturuara, të cilat kanë një shtrirje kohore të aktivitetit kriminal të hershëm dhe të cilat kanë arritur t’i rezistojnë kohës për shkak të sofistikimit dhe lidhjeve të tyre me biznesin dhe segmente të korruptuara të shtetit.

Organizata e parë sipas asaj që disponon Policia i ka fillimet që në vitin 1994 dhe objekti kryesor i aktivitetit të saj është pastrimi i të ardhurave kriminale të mafies ndërkombëtare.

Organizata e dytë dyshohet të ketë të paktën 27 anëtarë dhe ka si objekt kryesor trafikun e narkotikëve, gjobëvenien dhe mbledhjen e gjobave për të tretët. Organizata e tretë hamendësohet të jetë më pak në numër dhe më pak aktive por me investime të rëndësishme në fushën e minerareve.

Në qytetin e Shkodrës veprojnë të paktën 4 “familje” të mëdha të cilat janë përfshirë në aktivitete kriminale. Të 4 “familjet” janë të përfshira kryesisht në trafikun e narkotikëve, armëve dhe qenieve njerëzore. Nga

Ekspertët hamendësohet se Shkodra mund të jetë “hambari” i ardhshëm i rritjes së kanabisit dhe ky ndryshim për pasojë, mund të sjelli forcimin e mëtejshëm të këtyre organizatave kriminale. Ky fuqizim mund të rrezikojë rëndë stabilitetin e kësaj zone duke pasur parasysh ekuilibrat e brishta sociale në këtë rreth.

Në qytetin e Durrësit kanë investime shumë grupe kriminale të cilët vijnë nga i gjithë vendi, dhe ky qytet shërben deri diku edhe si pikë takimi apo edhe strehimi për shumë prej tyre. Në Durrës aktualisht është riaktivizuar një organizatë kriminale, e cila drejtohet nga individë më precedentë të mëparshëm penalë.

Në qytetin e Durrësit prej kohësh vepron një “familje” e njohur në botën e krimit dhe me influencë jo vetëm në aktivitete tregtare, por dhe aktivitete sociale.

Karakteristikë e grupeve kriminale të qytetit të Vlorës është se në dallim nga grupet të cilat ishin aktive në vitin 1992-1999 (Zani Ccaushi, Kakami, Gaxhai etj), nuk ka më territore të ndara. Vihet re që vrasjet në qytetin e Vlorës janë të shumta dhe këto vrasje në përgjithësi nuk janë për çështje territori, por për zonat e influencës në rrjetet ndërkombëtarë të narkotikëve dhe armëve në vendet e BE kryesisht në Spanjë dhe Itali.

Organizatat kriminale që veprojnë në qytetin e Fierit janë ndër organizatat më të sofistikuara dhe më të qëndrueshme në të gjithë historinë e tranzicionit politik në Shqipëri. Grupet kriminale në Fier, në ndryshim nga qytetet e tjera bazohen jo vetëm në lidhje gjaku dhe shoqërore por mbi të gjitha në lidhje komunitare. Kohët e fundit eksponentë të lartë të krimit të organizuar me precedente kriminalë dhe të njohur si drejtues organizatash kriminale në vendet e BE (Greqi, Itali, Belgjikë dhe Spanjë) kanë investuar në këtë qytet të ardhurat e tyre kriminale.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore