Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i një patronazhisti: Ja se si mblidheshin të dhënat sekrete për Partinë Socialiste

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i një patronazhisti: Ja se si mblidheshin të

Muaj përpara ditës së zgjedhjeve, partitë politike mobilizojnë strukturat e tyre për të krijuar një ide sa më të qartë se kë kanë votë të sigurtë, kush do votojë partitë kundërshtare dhe kush është ende në mëdyshje.

Pas zbulimit të skemës së patronazhit të dalë në media nga kompjuterat e zyrave të Partisë Socialiste, shumëkush me të drejtë do pyeste: A kanë dalë të dhënat e mia dhe kush më ka në patronazh.

910 mijë qytetarë të Tiranës ndihen disi të spiunuar që numrat e tyre të telefonit, numrat e kartave të identitetit dhe të dhëna të tjera janë pjesë e një regjistri online, që tashmë është në duart e të gjithëve.

Një database që përmban informacione rreth punësimit të dikujt, merr ose jo ndihmë ekonomike, trajtohet me KEMP apo pret t’i legalizohet shtëpia, dhe çdo lloj problemi që mund t’i zgjidhë shteti. Dhe të gjitha këto informacione i merr patronazhisti, i cili i është caktuar.

Por, edhe pse emri “patronazhist” doli në “modë” vetëm ditët e fundit prej këtij skandali, kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë ekzistuar prej kohësh.
“Përshëndetje, ju marrin nga X parti, mund të na thoni se për kë parti do votoni?” është një pyetje që e kemi dëgjuar prej vitesh nga ana tjetër e telefonit në kohë fushate.

Por ajo që ka bërë patronazhistin të marrë indirekt konotacion negativ është se shumë informacione kanë dalë jo prej punës së tij, por prej zyrave të shtetit.

Cila është puna e një patronazhisti?

Një patronazhist i caktuar në një zonë të një njësie të caktuar ka për detyrë të kontaktojë me personat të cilët i njeh ose i janë vënë përsipër të “hetojë”.
Duke pasur parasysh një profil rreth personit të cilin do kontaktojë dhe disa të dhëna që mund t’i ketë marrë në rrugë “thashetheme lagjesh”, patronazhisti kërkon ta shënojë si votë të sigurtë ose jo.

Synimi është gjetja e elektoratit gri, plotësimi i ndonjë nevoje të tyre ose premtimi i diçkaje pas marrjes së pushtetit, me shpresën që ditën e zgjedhjeve të jetë një votë plus e sigurtë.

Po ashtu nuk mungojnë as përpjekjet për bindjen e elektoratit të partisë kundërshtare për të votuar ndryshe.

Një patronazhist mund të kontaktojë personat e tij duke i trokitur në derën e shtëpisë, nëpërmjet telefonit dhe vitet e fundit dhe përmes rrjeteve sociale. Këto të fundit jo pak herë japin indicje se për kë do votojë një person në sajë të postimeve që bëjnë, pasi në kohë fushate të përfshirë nga euforia e momentit ka nga ata që e tregojnë hapur se ku do e shënojnë kryqin në fletën e votimit.
Qytetarët që të mbyllin derën, e që herë herë shfryjnë ndaj partisë së cilës i përket patronazhisti, janë një votë e sigurtë e partisë kundërshtare. Në rastet kur ka dilema, mosbindje apo mungesë besimi, pikërisht këta persona kthehen në “prenë” e patronazhistit për t’u rikontaktuar.

Një patronazhist mund të jetë kushdo, mjafton që të bëjë “detyrën” e dhënë nga partia dhe të mbajë kontakt të vazhdueshëm me banorët që ka marrë përsipër.

Nga A në ZH, çdo informacion për një person, jo vetëm për të por dhe për familjarët e pjesëtarët e fisit është një kontribut në “spiunimin” e votës.

Detyra e patronazhistit ditën e zgjedhjeve

Detyra e patronazhistit mbaron në orën 19:00 të ditës së zgjedhjeve, që është orari zyrtar i mbylljes së kutive të votimit.

Në momentin që po afrohet mbyllja e votimit, patronazhisti kontaktohet nga organizata përkatëse e partisë lidhur me personat që deri në atë moment nuk janë paraqitur për të votuar.

Për këtë arsye nëpërmjet telefonit ose duke shkuar vetë në shtëpitë e atyre që nuk janë paraqitur, patronazhisti ‘ngacmon’ edhe një herë personat në fjalë, për t’i thënë se “duhet votuar”.

“Ndoshta nuk vjen, është me pampersa, por do e ngremë prej leckash”, kështu deklarohet në sistemin e patronazhimit për Anastasinë, nënën 85 - vjeçaren, nga patronazhisti Alush. Tmerr ku kemi mbërritur...”, shkruante anëtari i Komisionit Rregullator në KQZ, Muharrem Çakaj Cakaj në rrjetet sociale.

‘Big Brother’ po ju vëshgon!

Kaosi i krijuar me nxjerrjen sheshit të të dhënave duket si një Big Brother i jetës reale, ku dihet gjithçka për këdo. Një gjë e tillë bie ndesh me parimin e fshehtësisë së votës dhe standartin e privatësisë, si e drejtë e çdo qytetari.
Megjithatë për një pjesë të qytetarëve nuk është habi që të dhënat e tyre ndodhen diku, pasi ka nga ata që me dëshirën e tyre kanë dhënë informacionet me shpresën që t’i zgjidhin një problem që kanë kërkuar.

Patronazhisti, përkundrejt informacioneve që merr falë burimeve të tij, nuk detyron askënd që t’i japë informacione. Mungesa e përgjigjes, mbyllja e telefonit apo e derës përpara fytyrës, janë raste me të cilat jo pak herë përballet një patronazhist.

Edhe pse nga radhët e Partisë Socialiste, u pranua ekzistenca e kësaj database, vetë kreu i grupit socialist Taulant Balla hodhi poshtë zërat se në të ka të dhëna të vjedhura.

Sot pjesë e PS por si votuan disa nga ministrat e kandidatët e Ramës

Nga patronazhimi nuk kanë ‘shpëtuar’ dhe vetë kandidatët për deputetë, apo ministrat e qeverisë Rama. Një prej kandidatëve e prezantuar si risi në këto zgjedhje, shefja e Spitalit Infektivit, Najada Çomo, në databazën e Partisë Socialiste, figuron si votuese e Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2013.
Veç Najada Çomos, edhe kandidatja e PS-së, Klodeta Dibra rezulton në databzën e selisë rozë, se ka preferencë Partinë Socialiste, por në censusin e 2013 është regjistruar nga patronazhisti i saj se ka votuar Partinë Demokratike. Listës së kandidatëve të PS-së, që kanë votuar PD-në në 2013 sipas databazës së sistemtit të patranozhit, figuron edhe Dallëndyshe Bici, drejtoresha e IKMT.

Në të dhënat e vendosura në sistemin e PS-ë, patronazhisti i ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, cilësohet si votë e “sigurtë” me preferencë Partinë Socialiste, por në censusin vitit 2013, ajo është regjistruar si votuese e Partisë Demokratike.

Ndërkohë që një tjetër prurje nga radhët e teknikëve është dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj. Edhe kjo e fundit në databazën e Partisë Socialiste ka një patronazhues, me emrin Malo Hizdi, cili e ka regjistruar se të ‘sigurtë’ dhe me preferencë për PS-së, por që në zgjedhjet e 2013 ajo ka votuar Partinë Demokratike.

Reagimet

“Ne kemi prej shumë vitesh që punojmë me një sistem që quhet sistem patronazhimi dhe ka që para zgjedhjeve të 2009 që ne mbledhim të dhëna derë më derë, me blloqe të tëra dhe pastaj hidhen nëpër databaza. Edhe e fundit, ai Exel-i që doli atje është shumë i prapambetur dhe shumë i epokës së vjetër për të qenë i PS-së” tha kryeministri Rama.

“Një akt shumë i shëmtuar. Jo se nuk janë bërë në zgjedhjet e kaluara, vjedhje e të dhënave, impenjim për të hyrë në privatësinë e tjetrit për të kuptuar se për këtë voton. Gjithmonë kemi pasur vullnetarë që i bien derës nëpër apartamente, nëpër shkallët e pallateve dhe besoj se i njohin të gjithë nëpër lagje. Mirëpo ishin njerëz vullnetarë të partisë që diheshin se kush ishin. Ndërsa sot këtu merren nga zyrat e shtetit të dhënat personale, me të cilat mund të bëhen lloj lloj pisllëqesh,” shprehet Dashamir Shehi.

“Shqiptarët kanë nevojë të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur dhe sigurisht Rama nuk mund ta bëjë këtë. Përdorimi i të dhënave personale të portalit e-Albania nga Edi Rama dhe PS është shkelje flagrante e privatësisë së qytetarëve,” thuhet në deklaratën e PD.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore