Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Ekipi i Bashës në 12 qarqe: Riciklim i “njerëzve hije” të Berishës

Ekipi i Bashës në 12 qarqe: Riciklim i “njerëzve

Përveç Tomor Alizotit, asnjë prej emrave të ekipit “fitues” të Lulzim Bashës në 12 qarqe, asnjëri nuk është një prurje e re. Pjesa më e madhe janë riciklim i niveleve të dyta të “ekipit Berisha” të 2009-s.

Në logjikën e një beteje kur opozita kërkon të ndryshojë qeverinë, pritej natyrisht një risi politike të paktën në skuadrën drejtuese të qarqeve që përbën edhe “paradhomën” e qeverisë së ardhshme nëse PD merr pushtetin më 25 prill.

Por përveç kësaj tregon idenë apo strategjinë politike për t’i dhënë qarkut, një drejtim që përfaqëson realisht fytyrën politike të opozitës.

Tomor Alizoti, një diplomat me profesion, intelektual i formuar dhe përfaqësues i një prej familjeve më të njohura patriote në vend, ka në lëkurën e tij historinë e persekutimit të regjimit komunist ndaj familjes së tij. Përfaqëson të djathtën klasike në PD, ka qenë diplomat në ambasadën shqiptare në Gjermani dhe më pas, kur Lulzim Basha u zgjodh kryebashkiak i Tiranës, shërbeu si këshilltar për marrëdhëniet me jashtë i tij.

Me ardhjen në krye të PD-së të Bashës, Alizoti u afrua në parti si përfaqësues i shtresës së të përndjekurve. Në vitin 2017, u la jashtë listave për deputetë dhe zoti Alizoti dha dorëheqjen nga kryesia e PD-së. Ka qenë aktiv në mjaft debate televizive dhe është i njohur për gjuhën e tij të kulturuar dhe pa eksese, qytetare dhe me argument.

Megjithatë dërgimi i Alizotit në Berat, duket pak si jo shumë i qartë politikisht: ngaqë aktivitetin e tij politik ai e ka pasur në kryeqytet, ku ka edhe një rol në bazën e së djathtës, por edhe origjinën e ka nga Gjirokastra. Berati është një qark bastion i së majtës dhe është i pakuptueshëm roli i Zotit Alizoti në maksimalizimin e votave në këtë zonë, ku nga PD ka një rivalitet prej ish-deputetit Astrit Veliaj dhe Lefter Maliqit. Duket më shumë një lëvizje për të mos sulmuar se një logjikë sulmi. Megjithatë Alizoti përfaqëson realisht një fytyrë të re politike.

Një tjetër emërim i pritshëm por që përbën një lëvizje normale është Enkelejd Alibeaj. Njeriu që garoi për bashkinë e Fierit në 2015, që është një bastion i së majtës, natyrisht që do të drejtonte qarkun për PD. E ka bërë edhe në vitin 2017 dhe përbën një nga drejtuesit politik të PD-së, ku drejton edhe departamentin për Sigurinë Publike. Megjithatë, Alibeaj, është një nga ministrat e qeverisë “Berisha”, edhe pse nuk ishte një nga njerëzit e sërës së parë të kupolës së selisë blu.

Në Vlorë, PD është kthyer në epokën e vitit 1997, ku ka kthyer ish-kreun e KLSH-së, Bujar Leskaj, ish-kreu i KLSH-së dhe deputet i PD-së në vitet 2005, 2009. Vlora është një bastion i së majtës gjithashtu ku drejtues politik i mazhorancës është vetë Kryeministri Edi Rama.

Në Korçë, Basha sërish nuk ka kryer një risi politike, ka dërguar si shef qarku Edmond Spahon, profesor ekonomie, i cili edhe pse përbën një fytyrë intelektuale dhe qytetare të opozitës, ai i ripropozohet korçarëve si një riciklim i pastër i listës së vitit 2013, ku Spaho ishte pjesë e listës.

Në Elbasan, Basha ka çuar numrin 2 të partisë, Gazmend Bardhin, i cili e ka për herë të parë garimin për deputet. Bardhi është nga Kavaja me origjinë, por duket se është dërguar në Elbasan si përfaqësues i qendrës, për të “vënë rregull” në një qark që nuk ka as lidhje politike e as të origjinës. Përfaqëson më shumë një i dërguar partiak sesa një prurje politike e re.

Në Durrës, Basha ka çuar sërish një dërgatë partiake, Edi Palokën, numrin dy të partisë, i cili është një veteran i strukturave drejtuese të PD-së, “skifter” i betejës së ashpër me kundërshtarëve dhe jo një prurje e re.

Tirana mbetet enigmë, nëse listën do ta drejtojë vetë Basha apo Berisha, ose ndonjë outsider e duhet pritur. Në Lezhë, si shef politik është emëruar Mark Marku, një pjesë e listave të PD-së të vitit 2009, por jo i nivelit të parë, por i politikanëve të skalionit të dytë. Për thuajse 8 vjet në emisionet televizive, Marku ka qenë një “skifter” në mbrojtje të Bashës, madje ku disa herë është zhbalancuar dhe ka ulur nivelin e etikës.

Pedagog në gazetari, Mark Marku vjen nga komisioni që Basha kishte ngritur për të përzgjedhur kandidatët për deputetë. E nga ku nuk do të kandidonte asnjëri, pasi përbën konflikt interesi. Por me Markun u prish ky rregull i vendosur. Në studio televizive mbahet mend për kërcënimin ndaj kolegëve socialist se do t’i gjuante me shishe kokës se shanin PD-në.

Ndërkaq, në Dibër Lulzim Basha ka dërguar Xhelal Mziun, kryebashkiak i Kamzws për 3 mandate. Me Mziun, Basha ka thyer paksa dekriminializimin, pasi Mziu në vitin 2015 u dënua nga gjykata e shkallës së parë të Tiranës për korrupsion, por më pas u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit.

Mziu, duket është dërguar në Dibër për të lënë të lirë territorin e Kamzës për LSI-në, por edhe si i fortë për t’u konfrontuar me ish-grupin e PDIU-së në Dibër që tashmë ka kaluar me PS-në. Mziu natyrisht që nuk është një prurje e re.

Në Shkodër, Basha, pasi hoqi Romeo Gurakuqin, një profesor i njohur i historisë, dërgoi si shef politik Helidon Bushatin, i cili nuk ka qenë as skalion i parë as i dytë i establishmentit të PD-së, megjithëse ka qenë deputet në vitin 2013. Bushati nuk ka qenë aktiv në betejën politike këto 8 vite, por sipas gjasave është dërguar si zgjidhje “kompromisi” mes grupeve të PD-së në qarkun Shkodër që kanë pasur përplasje me kryebashkiaken Voltana Ademi dhe krerët drejtues të degës së Partisë Demokratike.

Në Kukës, ende nuk është bërë e ditur se kush do ta drejtojë listën e PD-së, pas fjalëve që Flamur Noka do të kandidojë në Tiranë.

Në fund mund të thuhet se skuadra garuese e PD-së më 25 prill është 100% partiake, e dalë nga selia blu, e nuk ka deri tani asnjë drejtues qarku që të jetë prurje nga shoqëria. Mesazhi politik i PD-së drejt elektoratit gri, deri tani duket se mungon, siç mungon edhe ai ndaj mbështetësve të së djathtës që kërkojnë një ndryshim dhe rinovim rrënjësor. Fytyra elektorale e PD-së ngjan shumë me atë të 2009-s dhe 2013-s, por me nivele të dyta apo të treta./GazetaShqip

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore