Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Drejtuesit pa vota/ Pesë bashki pa kryetarë të zgjedhur nga populli, bie edhe i gjashti. "Topi" në Kushtetuese

Drejtuesit pa vota/ Pesë bashki pa kryetarë të zgjedhur nga

Katër vitet e fundit kanë prodhuar një situatë të pazakontë politike në Shqipëri, e formësuar kryesisht për shkak të qendrimeve ekstreme të opozitës.

Djegia e mandateve nga PD-LSI, më qëllim rrëzimin e qeverisë, në fakt solli në parlament figura të dobëta dhe të panjohura më parë, të cilët ishin vendosur nga kryetarët në vende poshtë listës fituese. Kjo u pasua më një parlament të gjymtuar, por që mes debateve dhe protestave, shpesh të dhunshme, arriti ta mbyllë mandatin.

Thuajse të njëjtën situatë po kalon edhe pushteti vendor. Opozita vendosi që t’ia dhurojë në “pjatë” PS të gjitha bashkitë e vendit. Gjithsesi, edhe pse në një garë me vetveten, PS humbi disa prej tyre, kryesisht për shkak problemeve të kandidatëve me ligjin e dekriminalizimit.

Sagës së kryebashkiakëve dhe deputetëve të djegur nga vettingu, për shkak të dënimeve të padeklaruara, ju bashkua sot edhe kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj. Sipas prokurorisë, kryebashkiaku i PS, ka qenë i dënuar me tre vite burg në Greqi, me një vendim të formës së prerë për veprën penale të përleshjes dhe konfliktit.

Tashmë Mallakastra pritet të ketë fatin e 5 bashkive të tjera, që drejtohen nga kryetarë të pazgjedhur nga qytetarët.

Po cilat janë bashkitë pa kryetarë?

Shkodra, Durrësi, Vora, Rrogozhina dhe Dibra janë 5 nga 61 bashkitë, që aktualisht drejtohen nga kryetarë të emëruar dhe jo të zgjedhur nga qytetarët.

Shkodra është rast unikal. Voltana Ademi po mbyll mandatin e dytë në krye të kësaj bashkie edhe pse nuk kandidoi në zgjedhjet e fundit. Ndonëse në 2019, shkodranët ia besuan Valdrin Pjetrit drejtimin e bashkisë, ai dha dorëheqjen nga marrja e detyrës, për shkak se u zbulua se ka probleme me ligjin e dekriminalizimit.

Një deklaratë shokuese pak ditë pas tërmetit të 26 nëntorit i kushtoi postin edhe kryetares së bashkisë Durrës, Valbona Sako. Ajo dha dorëheqjen, për t’u zëvendësuar në këtë detyrë nga Emirjana Sako.

Vora vazhdon të drejtohet nga një kryetar i pazgjedhur me votë, ndërsa Agim Kajmaku ndodhet në arrati. Në këtë bashki, pas një kalvari të gjatë emërimesh shkarkimesh e dorëheqjesh të drejtuesve të emëruar të saj, drejtimin e ka marrë Gentian Picari.

Ndarja e papritur nga jeta e kryetarit të Bashkisë Rrogozhinë, Haxhi Memolla, ka bërë që edhe kjo bashki të drejtohet prej disa kohësh nga një kryetar jo i zgjedhur me votë.

Zgjedhjet e 25 prillit i moren kryetarin e Bashkisë edhe Dibrës. Dionis Imeraj e la këtë detyrë për të kandiduar për deputet në zgjedhjet e 25 prillit. Aktualisht kryetar i bashkisë në detyrë është Shkëlqim Murrja. I renditur në vend të tretë në listën e Partisë Socialiste për kandidat për deputet në Dibër, Imeraj ‘u dogj’ pasi PS arriti të merrte vetëm 2 mandate në këtë qark.

Tashmë që kryebashkiakut iu konfirmua dënimi në Greqi, me gjasë të njëjtin fat do të ketë edhe bashkia e Mallakastrës, e cila mund  të drejtohetshumë shpejt  nga një kryetar i pazgjedhur.

Çfarë thotë ligji?

Presidenti Ilir Meta, nuk ka dekretuar një datë zgjedhjesh në këto bashki. Neni 10 i Kodit Zgjedhor parashikon se Presidenti duhet te dekretojë datën e zgjedhjeve jo me vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit. Neni 61 i ligjit për Qeverisjen Vendore saktëson se për rastet e përfundimit të mandatit të kryetarit, Këshilli Bashkiak njofton Këshillin e Ministrave nëpërmjet Prefektit. Për vakancën e krijuar në Bashkinë Shkodër, Presidenti Ilir Meta është informuar nga Prefekti Çesk Millja, përmes një letre në gusht të vitit 2019. Për vakancat e tjera,  mësohet se nuk ka mbërritur njoftim ne Presidencë.

Neni 61 i ligjit për vetëqeverisjen vendore përcakton qartë procedurën që ndiqet pas përfundimit para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë.

Konkretisht: “Pas depozitimit të dorëheqjes së kryetari të bashkisë pranë këshillit bashkiak, Sekretari i këshillit njofton prefektin për dorëheqjen e tij. Për rastet e përfundimit të mandatit të kryetarit përpara afatit, këshilli bashkiak njofton Këshillin e Ministrave nëpërmjet prefektit. Në rastet e përfundimit të parakohshëm të mandatit, organizohen zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë, në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor”.

 “Në rastin kur vendi i kryetarit të bashkisë mbetet vakant gjatë 6 muajve të fundit të mandatit të tij, këshilli përkatës zgjedh nga radhët e veta një kryetar të ri me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, i cili ushtron funksionet deri në përfundim të mandatit”.

Gjithsesi, duket se politika ka gjetur një gjuhë të përbashkët, pasi askush nuk e ka ngritur si shqetësim këtë çështje, apo të ndërmarrë hapa ligjorë.

Çfarë pritet nga Kushtetuesja?

Gjithsesi, ky ngërç pritet të marrë zgjidhje. Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë me 23 Qershor në seancë plenare kushtetushmërinë e zgjedhjeve vendore të vitit 2019.

Kërkesa është paraqitur nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, që drejtohej nga kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi (e shkarkuar tashmë) dhe në të kërkohet shpallja antikushtetues i procesit të zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit 2019.

Vendimi i Kushtetueses pritet që t’i japë zgjidhje edhe kësaj situate të pazakontë dhe absurde.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Në Fokus

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore