Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Dosja e plotë/ Biznesmeni që "legalizoi" ajrin; Arben Reli nën akuzë për falsifikim dokumentesh dhe vetëgjyqësi

Dosja e plotë/ Biznesmeni që "legalizoi" ajrin; Arben Reli

Biznesmeni kontrovers, Arben Reli, megjithëse nën akuzë për shumë ndërtime pa leje apo vetëgjyqësi, vazhdon të hetohet çuditërisht në gjendje të lirë. Gazeta "Shqip" ka siguruar dosjen e plotë nga Prokuroria e Tiranës kundër z.Reli dhe ish-drejtuesve të ALUIZNI-t të Tiranës, të cilët duke shpërdoruar detyrën, falsifikuar dokumentet, apo bërë vetëgjyqësi, arritën që të fabrikonin disa dokumente legalizimi për godina që në fakt nuk ishin ndërtuar kurrë.

Në pjesën e parë të kësaj dosje voluminoze, "Shqip" do të publikojë skemën e legalizimit të "ajrit" nga Reli në bashkëpunim me zyrtarët shtetërorë, të cilët duke shkelur haptazi ligjet, lejuan procedura të dyshimta.

Disa muaj më parë, Prokuroria e Tiranës dërgoi në gjykatë dosjen ndaj z.Afrim Ismaili dhe z.Arben Reli. I pari, funksionar i ALUIZNI-t Tiranë, i akuzuar për shpërdorim detyre më shumë se një herë dhe falsifikim dokumentesh. Ndërkohë, për z.Reli, prokuroria e akuzonte për falsifikim dokumentesh dhe vetëgjyqësi.

Në dosjen e plotë, të cilën e disponon "Shqip", thuhet se në Prokurorinë e Tiranës janë zhvilluar hetime në procedimin penal nr,765/2017 të regjistruar për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve dhe të vetëgjyqësisë, të zhvilluara ndaj personave Afrim Ismaili, Sokol Ismaili dhe Arben Reli.

"Nga materialet kallëzuese të depozituara dhe veprimet hetimore të kryera ka rezultuar e provuar se, me vendimi e datës 8 korrik 2019, është vendosur bashkimi i procedimeve në ngarkim të shtetasit Afrim Ismaili, me detyrë ish-drejtor i ALUIZNI-t Tiranë për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh dhe për falsifikim dhe vetëgjyqësi ndaj Arben Relit" thuhet në dosje.

Sipas saj, nga verifikimi i të gjithë procedurës administrative të ndjekur për kryerjen e legalizimit të disa objekteve të vetëdeklaruara nga shtetasit Esli dhe Anri Reli ka rezultuar se nga auditimi i zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t, mbi praktikën e ndjekur për lëshimin e lejes së legalizimit nr.7003232, datë 28.10.2016, janë verifikuar një tërësi shkeljesh të rënda ligjore.

"Nga administrimi i procedurës së ndjekur në raport me bazën ligjore që normon praktikën nga vetëdeklarimi dhe deri në lëshimin e lejës së legalizimit kanë rezultuar të provuara se, në dosjen e mësipërme mungonte urdhri për nxjerrjen e dosjes së legalizimit për trajtim. Nga verifikimi i 16 lejeve të legalizimit të lëshuara për këtë dosje, provohet se tre prej objekteve të legalizuara nuk kanë qenë të ndërtuara deri në datën 27.06.2014. Në këto kushte lëshimi i lejes edhe për këto objekte, bie ndesh me nenin 2 të ligjit për legalizimin, pasi trajtimi i këtyre objekteve nuk është më objekt i këtij ligji. Fakt i mësipërm, megjithëse është konstatuar dhe verifikuar në raport, nuk është vlerësuar nga punonjësit e ALUIZNI-t Tiranë, çka ka sjellë zhvillimin e një procedure të paligjshme dhe si të tilla këto veprime janë të dënueshme penalisht" thuhet në këtë dosje.

Më tej thuhet se nga verifikimi i të njëjtës provohet gjithashtu se aktet pjesë përbërëse të kësaj dosjeje janë dorëzuar në periudha të ndryshme të vitit, ndryshe nga sa janë prezantuar në vetëdeklarimin e dorëzuar.

Megjithatë, vetëdeklarimi i paraqitur mban datën e dorëzimit 17.09.2015, konstatohet se certifikata familjare pjesë e kësaj dosjeje ka datën 18.10.2016. Një fakt i tillë provon se gjendja familjare e pretenduar në momentin e deklarimit, nuk i referohet gjendjes reale të saj, duke përbërë një vetëdeklarim me përmbajtje të rreme.

Prokuroria ka faktuar se mbi ketë procedim janë marrë deklarime nga ana e shtetasit Erjon Zoto, Shpresa Muha dhe Rudina Abazaj të cilët në cilësinë e audituesve të praktikës së mësipërme kanë shpjeguar se procedura e ndjekur mbi këtë rast dëshmonte një tërësi shkeljesh ligjore dhe një performancë të dobët në administrimin e dokumentacionit tekniko-ligjor.

"Në përfundim të auditimit shkelja më e rëndë referon faktin e provuar se, tre objekte të cilat rezultojnë të legalizuara përmes lejës së lëshuar në emër të Anri dhe Esli Reli nuk kanë qenë të ndërtuara në momentin e vetëdeklarimit të tyre. Pra, është kryer legalizimi i tre objekteve të cilat, referuar kohës së ndërtimit të tyre, nuk janë objekt i ligjit për legalizimin" thuhet në dosjen e prokurorisë. Më tej shtohet se kjo rrethanë rezulton e provuar nga ortofotot e marra nga sistemi dixhital i fotografimit ajror.

Për këtë çështje, sipas dosjes së prokurorisë, janë bërë edhe disa ekspertime teknike shkrimi, ku ka rezultuar se "nënshkrimet e gjendura në aktet si skicë dhe procesverbal verifikimi në terren nuk janë nënshkruar nga shtetasit Sokol Ismaili dhe Suard Allaraj".

"Pra, nuk janë nënshkruar nga përgjegjësit e sektorit të planifikimit dhe të hartografisë. Megjithatë rezulton e provuar se, leja e legalizimit është nënshkruar nga ish-drejtori i ALUIZNI-t Rurale Tiranë, shtetasi Afrim Ismaili" thotë organi i prokurorisë.

Më tej thuhet se z.Ismaili duhet të verifikonte dhe të kontrollonte ligjshmërinë mbi të cilën është administruar dosja në fjalë.

"Kanë qenë veprimet dhe mosveprimet e paligjshme të këtij shtetasi që kanë sjellë jo vetëm një performancë të dobët por edhe antiligjore, duke lejuar që pjesë e praktikave të legalizimit të jenë akte totalisht të falsifikuara, të cilat më pas kanë sjellë si pasojë të tyre lëshimin e Lejes së Legalizimit në kundërshtim dhe në shkelje të rëndë të ligjit. Prokuroria ka faktuar se z.Ismaili ka lejuar familjen Reli në "mënyrë arbitrare ka iniciuar trajtimin e një vetëdeklarimi të rremë dhe në përfundim ka lëshuar lejen e legalizimit në shkelje të plotë të ligjit".

Në dosje citohet gjithashtu se lëshimi i kësaj leje ka pasoja të rënda për interesin publik.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore