Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Déjà vu-ja e opozitës shqiptare

Déjà vu-ja e opozitës shqiptare

Departamenti Amerikan i Shtetit mbajti një reagim të menjëhershëm pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, duke i bërë apel partive politike që të njohin rezultatin e zgjedhjeve.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Pricen në një koment në Twitter, kur ende nuk ishte shpallur fituesi, tha se respekti për rezultatin e zgjedhjeve legjitime forcon demokracinë shqiptare.

Ky mesazh i SHBA-ve nëpërmjet DASH duket se i parapriu hapit që po ndërmerr opozita, ku Partia Demokratike, si forca kryesore e opozitës,e cila po përgatitet të mos e njohë rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit, pra se ajo i ka humbur ato.

Basha i gjendur përballë presionit të disa prej figurave brenda PD-së për dhënien e dorëheqjes për shkak të humbjes së zgjedhjeve, po mundohet të hartojë një dosje, duke paraqitur atë që opozita pretendon për manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit,  dhe realizuar kështu kauzën për betejën e ardhshme të pas pushimeve verore.

Ky është një skenar i njohur që na rikthen në kohën e largët lëvizjet e Partisë Demokratike të ndërmarra sa herë që ajo humb zgjedhjet në Shqipëri. Mjafton të kujtojmë këtu edhe vitin 2001, ku PD e drejtuar nga Berisha nuk pranoi të futej në Parlament, duke bojkotuar këtë institucion.

Asokohe PD-ja kontestonte disa zona zgjedhore, duke denoncuar atë që cilësohej si fenomeni i Dushkut.

Por ndryshe nga sot, 20 vite më parë, ndërkombëtarët  e “legalizuan” bojkotin e opozitës blu dhe kjo çoi më pas në arritjen e një pakti politik, ku Shqipëria të kishte një president konsensual, duke zgjedhur Alfred Moisiun dhe më pas një prokuror i përgjithshme me bekimin e të dyjave palëve Nano dhe Berisha.

Bojkoti tjetër i demokratëve do të ishte në vitin 2017, ku kulmoi me ngritjen e çadrës së lirisë përpara Kryeministrisë, duke bojkotuar Parlamentin. Sakaq demokratët kërcënonin që nuk do të merrnin pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe kjo bëri që palët të arrijnë një marrëveshje tjetër politike, atë më 17 maj, paktin e parë politik mes Ramës dhe Bashës, dy drejtuesve të PS-së dhe PD-së.

Pas zgjedhjeve të 2017-ës, PD-ja iu rikthye sërish bojkotit të Parlamentit, por kësaj here një akt të paprecedent me dorëzimin në bllok të mandateve të deputetëve. Ky ishte një skenar që synonte të shkaktonte një krizë të fortë institucionale, mirëpo PD dhe LSI nuk i kishin bërë mirë llogaritë, pasi jo të gjithë ishin unik në këtë vendim, një pjesë e mirë e personave në listë refuzuan të dorëzonin mandatin e deputetit.

Ky do të ishte akti më ekstrem dhe bojkoti kohor më i gjatë i një partie politike  parlamentare, që më pas u shoqërua edhe me vendimin për të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale, edhe ky një akt i paprecedent. Shumë e cilësuan si një vetëvrasje politike, ndërsa PD dhe LSI dy vite më parë e mbrojtën me forcë, ndërsa tani kanë nisur “pishmanet” si nga LSI-ja dhe nga eksponentë të PD-së, duke i cilësuar si vendime të gabuara që sollën rezultatin e sotëm, atë të humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit.

Sot pas katër vitesh opozita na rikthen në lëvizjet se saja si një “deja vu”, të stërpara në kohë. Opozita mund të pranojë të marrë mandatet e deputetit, ndërsa mund të dorëzojë më pas ato, të bojkotojë apo dhe të rinisë protestat sërish ashtu siç i bëri për muaj më radhë. E reja e kësaj lëvizjeje në ndryshim të tjerat mund të jetë kërkesa për hapjen e kutive, rinumërimi i fletëve të votimit.

Me këtë krizë që do të shkaktojë opozita, ajo po kërkon të zhvlerësojë zgjedhjet duke synuar t'i ripërsërisë ato, por se kjo lëvizje e paralajmëruar nuk ka bekimin e ndërkombëtarëve që po i kërkon PD-së njohë rezultatin që prodhoi 25 prilli.

Për këto skenare duket se Basha ka edhe bekimin e “babait politik”, i cili është nxitësi kryesor i vendimeve të bojkoteve dhe kjo është faktuar përgjatë historisë politike shqiptare. Veprimi i sotëm shihet edhe si shpëtim i kolltukut të Bashës si lider i PD-së, ku zgjedhjet për postin e kryetarit të partisë zyrtarisht mbahen në korrik të këtij viti. Alibia e manipulimit të zgjedhjeve mund ta shpëtojë atë nga dorëheqja si kryetar dhe i hap rrugën që të rikandidojë sërish.

Tashmë me këtë skenar të “deja vu” duhet parë sa stoik do t’i kenë aleatët brenda dhe jashtë listës së deputetëve, pasi përkundër PD, një pjesë e tyre po e njohin rezultatin e zgjedhjeve.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore