Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Basha i rikthehet skemës së 2009-ës; i hyn detit të Durrësit 'me këmbë'

Basha i rikthehet skemës së 2009-ës; i hyn detit të

Vetëm në 48 orë, kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka ndërmarrë 6 takime në qarkun e Durrësit, ku sipas gjasave do të jetë drejtuesi i listës së opozitës në këtë zonë zgjedhore.

Një intensitet politik, që realisht nuk ishte parë lideri i opozitës në aktivitetin e tij të këtyre viteve si kryetar opozite, ku kryesisht Basha ka pasur një aktivitet në qendër e me deklarata politike, si çadra apo edhe protestat e vitit 2019.

Ka një analogji në aktivitetin intensiv të Bashës në Durrës këto ditë, me vitin 2009, ku Berisha e caktoi ministrin e atëhershëm të Jashtëm që të drejtonte qarkun e Elbasanit, një qark dukshëm i majtë, ku nga PS-ja, Edi Rama kishte caktuar drejtuese Valentina Leskajn.

Basha, në atë kohë zhvilloi një fushatë intensive në Elbasan, ku fizikisht përshkoi të gjithë njësitë vendore të qarkut dhe arriti në zgjedhjet e 21 qershorit që të siguronte një rezultat historik për PD-në: barazim 7 me 7.

Prej atëherë PD nuk e arriti më këtë rezultat në Elbasan, i cili historikisht cilësohet si një qark që rreh më shumë majtas.

Dy vjet më pas, kur kandidoi dhe mori mandatin si kryetar bashkie në Tiranë, kreu i PD-së pati gjithashtu një fushatë intensive, por që në analogji me zgjedhjet parlamentare, 2009 shikohet si një model i kundërshtimit të steriotipit të “gjumashit” që PS i ka vënë Bashës që prej 2015-s.

Tjetër aspekt i rëndësishëm i kësaj fushate të opozitës, është edhe zbritja tek terreni konkret i përmbajtjes së programit, ideve dhe propozimeve që sjell Partia Demokratike përballë elektoratit.

Ky intensitet i Bashës, ka komplikuar disi atmosferën në mazhorancë, pasi Ramës do t’i duhet të ngrejë stekën e duelit për të përballuar kreun e opozitës, aq më shumë se në Durrës përveç Bashës përflitet se do të jetë kandidate edhe kreu i LSI-së Monika Kryemadhi, edhe pse të dy nuk mund të kandidojnë në një qark.

Deri tani, Rama ka lënë si drejtues qarku kreun e OSHE-së, Ardian Çela, i cili është më shumë figurë teknike sesa politike, megjithëse ka qenë edhe zëvendësi i Vangjush Dakos në bashkinë e Durrësit.

Vetë Rama, duket pikërisht për këtë qëllim e ka komanduar hë për hë veten e tij si drejtues politik i qarkut, por që në fund, siç ka thënë edhe vetë do të vijojë të kandidojë në Vlorë.

Cili do të ishte ai politikan që do të dalë në duel me Bashën nga e majta në Durrës? Për ta bërë këtë i duhet të zgjedhë një nivel të lartë. Basha, duket se ka zgjedhur Durrësin edhe për këtë fakt, pasi një duel në Tiranë me Erion Veliajn që drejton fushatën e PS-së në kryeqytet, do të ekspozonte më shumë pikën e tij të dobët politike-bashkinë e Tiranës.

Por ka edhe gjasa që Rama t’ia lërë bosh fushën kreut të PD-së në Durrës, duke tentuar që të luajë kartat poshtë në bazë për të marrë votat, e ta lërë Bashën që të bëjë duel me veten. Edhe kjo është një taktikë, pasi duelet, ka raste edhe të dëmtojnë, por po e luajte mirë lojën mund të rrisin shumë.

E në politikën shqiptare, të mëdhenjtë, përgjithësisht kanë shmangur duelin në ringun politik: që të luajnë me “barazimin”, pasi ringu dikë do hedhë knockout..

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore