Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Bankers Petroleum “tallet” me shqiptarët, shpërndau lëmoshë gjatë vitit të pandemisë

Bankers Petroleum “tallet” me shqiptarët, shpërndau

Bankers Petroleum thotë se përgjatë vitit 2020 ndau lëmoshë për banorët e fushës më të madhe naftë-mbajtëse në Europën Kontinentale dhe këtë kompania, që dyshohet se ndër vite u është shmangur taksave në shifra që përllogariten mbi 400 milionë euro e shet si bamirësi.

Në një intervistë dhënë për mediat, Drejtori Ekzekutiv i Bankers Petroleum, Qing Fang u mburr duke thënë se përgjatë 2020, kompania nuk kishte humbur asnjë punonjës nga Covid!!! A thua se zoti Fang përfaqësonte në Shqipëri një spital ndërkombëtar dhe jo kompaninë që nxjerr mbi 90 për qind të naftës në vend. 

Drejtori Ekzekutiv i kompanisë foli gjithashtu për bashkëpunimin që kishte pasur Bankers me tre bashkitë e rajonit të Fierit,  duke “dhuruar pako ushqimore në Patos, Roskovec e Mallakastër". Tregoi se kishte dhënë kontribut edhe për furnizimin e institucioneve shtetërore me maska e doreza mbrojtëse nga virusi, si të ishte përfaqësuesi i një fondacioni bamirës ndërkombëtar.

Për Bankers, këto shpenzime janë hiçgjë përballë pasurisë marramendëse që ka në menaxhim prej 2004-s në Shqipëri. Fang e di edhe vetë këtë, kur thotë se “Bankers” është kompania më e madhe e prodhimit të naftës, e cila përfaqëson gati 90 për qind të totalit të naftës së prodhuar në vend dhe zë një pjesë të konsiderueshme në eksportet shqiptare. "Ne e dimë rëndësinë e kësaj kompanie për ekonominë shqiptare dhe fokusi ynë ka qenë dhe gjithmonë do të jetë investimi për të rritur vlerën e asetit të Patos-Marinëz”.

Ndaj, kompania nuk ka nevojë të bëjë bamirësi me shpërndarje pakosh ushqimore e mjekësore e të mburret sa lart poshtë, por mjafton që si pikë e parë të tregohet e sinqertë me bilancet e saj, duke mos fryrë qëllimisht kostot e investimeve, sepse nëse do të ishte kështu, me gjithë ato para që thotë se ka hedhur për modernizimin e teknologjisë në naftënxjerrëse në fushën e Patos-Marinzës, puset e naftës të Bankers do të ishin në mos më të mira, të krahasueshme me puset naftënxjerrëse të Norvegjisë.

Sepse ka vite që kompania, ose u shmanget plotësisht taksave dhe detyrimeve të tjera financiare që i burojnë nga dhënia e së drejtës për të shfrytëzuar këtë pasuri, ose u shmanget pjesërisht atyre dhe skema është po e njëjtë; fryhet kostoja e investimeve për të përfituar nga një klauzolë e kontratës, që i njeh të drejtën kompanisë që të mos paguajë taksa, ose të paguajë minimalisht deri në mbulimin e këtyre kostove.

Loja me fryrjen e kostove duket se vazhdon. Bankers thotë se investimet përgjatë 2020 arritën në mbi 138 milionë dollarë në fund të vitit. A mund të besohet kjo shifër investimi në një vit ku të gjitha bizneset ndërmorën shkurtime?! Dyshimet se ato në të vërtetë janë vetëm në letër janë të mëdha, në realitet shpenzimet janë minimaliste dhe për këtë nuk ka nevojë për të qenë ekspert për ta kuptuar, por mjafton që të pyeten banorët e zonës, që janë regjur prej 2004-s, si me lëkundjet e tokës, ashtu edhe me ndotjen e saj.

Drejtori Ekzekutiv i Bankers u ankua se ulja e çmimit të naftës përgjatë 2020-s kishte prekur edhe këtë kompani, që po gjatë atij viti kishte nxjerrë 670 mijë tonë naftë. A shërben justifikimi? Pandemia është një fenomen global dhe Bankers e drejtuesit e saj kinezë e dinë më mirë se në kriza të tilla të mendosh për të fituar është amorale. Sepse mund të ndodhë fare mirë si në Kinë, kur qeveria komuniste jo vetëm që nuk u fali taksat kompanive të mëdha, por edhe i detyroi që të jepnin kontribute të majme për të përballuar krizën.

Kjo është njëra nga arsyet që besohet se shtyu edhe më tej drejt falimentimit kompaninë e ndërtimit “Evergrande”. Në Shqipëri, Bankers jo vetëm që nuk u detyrua që të kontribuojë për të përballuar pandeminë, por siç thotë në intervistën e tij drejtori ekzekutiv i kompanisë, është ndihmuar me gjasa duke përfituar nga paketa e garancisë sovrane që Qeveria ofroi për biznesin e madh në verën e vitit të kaluar.

Prandaj, me gjithë këto lehtësi dhe e ulur mbi pasurinë më të madhe të shqiptarëve, ajo që duhet të bëjë Bankers është thjesht të paguajë pjesën e vet të ndershme të taksave dhe detyrimeve financiare që u detyrohet shqiptarëve, më shumë atyre të cilëve në të shkuarën u ka prishur shtëpitë, tokat, të ardhmen.

Pastaj, kompania mund të mendojë për shpërndarjen e lëmoshës, se fundja fare me miliona eurot e vjedhura ndër vite nga kjo kompani pakot ushqimore e pajisjet mbrojtëse ndaj Covid, shqiptarët mund t’i blinin edhe vetë, pa pasur nevojë për lëmoshë. /Gazeta Shqip

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore