
Të paktën 400 milionë euro që duhet të hynin në arkat e shtetit, nuk janë paguar nga Bankers Petroleum, kompania që menaxhon fushën më të madhe naftëmbajtëse në Shqipëri.
Sikur të mos mjaftonte kjo shmangie dramatike detyrimesh financiare, mungesa e investimeve nga kjo kompani është kthyer edhe në rrezik për jetën e banorëve të Zharrzës.
Gropat me naftë bruto pranë banesave janë kthyer në makth për familjarët e kësaj zone, ndërsa më të rrezikuarit janë fëmijët.
Ndotja alarmante, si dhe mungesa e perimetrit të sigurisë, jo vetëm që e kanë kthyer Zharrzën në vatër të rrezikshme sëmundjesh, por po rrezikon jetën e banorëve aty.
Familjarët kanë denoncuar vazhdimisht sesi fëmijët e tyre kanë rënë në këto gropa duke rrezikuar jetën, si dhe pasojat në shëndet që shkakton ajri i ndotur.
Shumica e banorëve në zonën ku kompania ushtron aktivitetin e saj kanë raportuar për probleme me frymëmarrjen, lëkurën apo veshkat. Sipas një raporti të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i cili iu referohet punonjësve të qendrave shëndetësore, në zonë ka një shtim me 6 për qind të sëmundjeve kancerogjene.
“Bankers Petroleum” është gjobitur disa herë edhe për shkarkim të ujërave të kontaminuara, pasi ekspertët në terren konstatuan shkarkim të ujërave të ndotura nga gropat ekologjike që janë pika stacionare të grumbullimit të mbetjeve që gjenerohen nga aktiviteti.
Shpesh nuk kanë munguar as protestat nga fermerët e zonët, të cilët deklarojnë se nuk shesin dot qumështin dhe produktet bujqësore për shkak të ndotjes së tokës, ajrit, ujit.
Protesta dhe apeli i tyre ka rënë në vesh të shurdhët, ndërsa Bankers vijon të pasurohet me “arin e zi” të shqiptarëve, madje duke mos paguar as detyrimet financiare ndaj shtetit./Gazeta SHQIP
