Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

A mos u tregua shumë “altruiste” Shqipëria për negociatat?

A mos u tregua shumë “altruiste” Shqipëria për

Mbledhja e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian në Luksemburg nuk prodhoi “tym të bardhë” dhe as këtë herë, si Shqipëria edhe Maqedonia e Veriut nuk morën një datë konkrete për mbajtjen e konferencave të para ndërqeveritare.

Pengesa kësaj radhe ishte Bullgaria, që kushtëzoi votën pro nisjes formale të negociatave me cilësimin e gjuhës maqedonase si dialekt perëndimor të bullgarishtes dhe rishikimin e historisë për disa figura që pretendohen nga të dyja palët.

Pak rëndësi ka se kush ka të drejtë në këtë mes. Me rëndësi është ajo se çfarë prodhoi ky sherr; që Maqedonia e Veriut i ktheu Kusurin e 2019-ës Shqipërisë. Vjeshtë-dimrin e dy viteve më parë diskutohej hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut, ndërsa Shqipëria bllokohej prej Holandës, Francës dhe Danimarkës me kërkesat për më shumë luftë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Maqedonia e Veriut u tha se ishte viktimë e Shqipërisë, pasi një pjesë e vendeve anëtare nuk dëshironin ndarjen, por hapjen e negociatave njëkohësisht me të dyja vendet. Këto vende nuk u bindën as nga thirrja e Zoran Zaev që Maqedonia e tij të ndahej nga Shqipëria.

Aq të forta e kërcënuese ishin thirrjet e Zaev në atë kohë sa premtoi dorëheqjen nëse negociatat nuk hapeshin me Maqedoninë e Veriut. Kështu ndodhi, ai dha dorëheqjen, vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme dhe ai fitoi.

Por, ndryshe nga Zoran Zaev në 2019-n dhe pavarësisht se publikisht është marrë dakordësia e të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Europian për caktimin e një date për konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë, klasa politike shqiptare zgjodhi që të mos ushtrojë asnjë formë presioni ndaj Brukselit, duke iu “dorëzuar” vendimmarrjes së burokracive të shumta atje.

Asnjë zyrtar shqiptar nuk doli me deklarata ku të kërkohej ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut dhe caktimi i një date për konferencën e parë ndërqeveritare, pavarësisht se edhe vendi bllokues i Shkupit, Bullgaria kishte shprehur gatishmërinë që ta mbështeste Shqipërinë në këtë proces.

Këtë qëndrim “altruist” të Tiranës e konfirmoi edhe Mimi Kodheli, kryetare e Komisionit Parlamentar për politikë të jashtme.

“T’ju them të drejtën, në Shqipëri nuk është se e kemi ndjerë aq shumë sa e keni ndjerë ju presionin që disa përfaqësues të Maqedonisë së Veriut kanë bërë aso kohe. Ju nuk do ta ndjeni këtë presion, të jeni të sigurt. Nuk do të ketë asnjë presion shqiptar për të ndarë dy vende, të cilat janë të destinuara që në këtë hap të rëndësishëm që jemi, të punojnë bashkë për të finalizuar hapjen e negociatave”, tha ajo nga Shkupi.

Presioni ndoshta do të prodhonte të njëjtin rezultat që mori Zaev në 2019-n, pra një hiç, por të paktën mund të shkundte disi burokratët e BE-së që me këtë vendimmarrje e tepruan dhe po e shndërrojnë unionin në një organizëm të pabesueshëm për rajonin.

Këtë e di mirë edhe Gjermania, që përmes ministrit të Shtetit për Europën, Michael Roth i përçoi Bullgarisë mesazhin se këtë herë në lojë nuk ishte bllokimi i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut, por bllokimi i vetë Bashkimit Europian.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Në Fokus

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore