Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

A do ta “vrasë babanë politik” këtë herë Lulzim Basha?

A do ta “vrasë babanë politik” këtë herë

Si për koiçidencë vendimi i Departamentit Amerikan i Shtetit për të shpallur person “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha, përkoi me turin e kryedemokratit Lulzim Basha në qytetin e Shkodrës për denoncimin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Nga Shkodra, Basha ngriti edhe një herë dyshimet e opozitës për manipulimet e zgjedhjeve duke deklaruar se ato u manipuluan nga dyshja Rama-Doshi.

“...sikurse e dinë shkodranët dhe e gjithë Shqipëria, nuk ka PSD. Ka një ndërmarrje të përbashkët të Edi Ramës dhe të Tom Doshit për të fshehur nën siglën e kësaj ndërmarrjeje, të padëshiruarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk ka PSD, sepse ka tre kandidate të dalë nga masakra zgjedhore e 25 prillit, që të tre drejtorë të Partisë Socialiste. Nuk ka as PSD, as PS, por është regjimi Rama-Doshi që bleu me paratë e grabitura të shqiptarëve mjerimin që jua ka shtruar në sofra çdo familje shkodrane dhe shqiptare”, shton Basha.

Kryedemokrati Lulzim Basha, i cili e ka përdorur kartën e DASH në dhjetëra fjalime e diskutime duhet të tregojë vullnetin e tij se nuk përdor dy standarde në qëndrimet e tij politike. Atij i duhet të vendosë që të vrasë “babain e tij” politik duke mos e përfshirë në Parlament numrin pesë të listës së Tiranës, të padëshiruarin e SHBA-ve, Sali Berishën.

Prej kohësh, Bashës i kanë kërkuar që në shprehjen figurative politike njihet si “vrasja e atit politik”. Madje kjo është kërkuar me forcë nga Besnik Mustafaj dhe Genc Ruli, por që Basha që njihej si ‘delfin” i Berishës nuk e kishte pranuar. Madje në librin e tij, “Misioni im”, i nxjerrë përpara zgjedhjeve shprehej se “Berisha nuk kishte qenë kurrë një barrë, por një këshillues”. Ky vendim lidhej me faktin se që lideri i ri i çdo partie duhej të vendoste për t’u përfundimisht nga paraardhësi, ashtu siç veproi edhe Angela Merkel me kancelarin Helmut Kohl, liderin e CDU, që e kishte atë si të përzgjedhurën e tij.

“….Kam pasur ftesa private apo publike, miklime apo thirrje, marrëveshje apo “deklamime” për të “vrarë babain”. Është qesharake, sepse nuk është as në traditën e partive të djathta, as në botëkuptimin apo ne formimin tim, dhe as në traditën e fisnikërisë apo konservatorizmit që të vrasim babanë”. Babai respektohet në shoqërinë tonë dhe kudo në shoqëritë e shëndosha: jeta ndjek ciklin e saj dhe gjërat shkojnë dhe ecin për para dhe përvoja veçse mund të vleje. Kjo ftese e përhershme për të ‘vrarë babanë’ më është dukur gjithmonë jo vetëm qesharake, por edhe e pakuptimtë, kur në vetvete përvoja dhe lidershipi i Sali Berishës si lider politik, mund të ishin për mua vetëm përparësi, për të marrë një mendim, për të rrahur ide, për të bërë një diskutim”, shkruan Basha në librin e tij.

Pas një muaji nga zgjedhjet jemi në një situatë të re, dhe ky klasa politike e ka marrë mesazhin e rëndësishëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit që kush është shpallur person “non-grata” nuk duhet të jetë pjesë e Parlamentit shqiptar, që të mbajë ndonjë post publik, apo të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë. Basha ndodhet para këtij vendimi me “dhuratën” e bërë nga DASH për largimin e Berishës nga Parlamenti. Ky mund të jetë edhe shahu mat i politikës amerikane ndaj kryedemokratit Basha.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Në Fokus

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore