Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Ndryshe

Foto/ Historia e panjohur e kolonel Hajdarit, deputetit që u ekezekutua me artileri në shpellë pas takimit me Enver Hoxhën

Foto/ Historia e panjohur e kolonel Hajdarit, deputetit që u ekezekutua me

Memorie.al publikon historinë e panjohur dhe e dhimbshme e kolonel Haxhi Hajdar Manit, ish-komandant i së parës çetë partizane të Qarkut të Shkodrës, deputet i Malësisë në Kuvendin Popullor dhe Komandant i Kufirit e Forcave Vullnetare të rrethit, i cili në fillimin e viteve ’60-të kundërshtoi kolektivizimin e zonave të thella malore, duke e konsideruar atë gjë si të shpejtuar.

Debati në mbledhjen e Plenumit të Komitetit të Partisë së rrethit të Shkodrës në praninë e Mehmet Shehut dhe thirrja të nesërmen në zyrën e Enver Hoxhës, ku Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura i tha: “Shoku Haxhi, nuk mund të bëjmë dot rrugë në Malësinë e Shkodrës, se i japim mundësi Titos të na sulmojë nëpërmjet saj…”! .

Plani i Sigurimit të Shtetit për ta arrestuar publikisht deputetin rebel në seancë plenare, arratisja në mal dhe operacionet e kërkimit ku morrën pjesë mbi 10.000 forca ushtarake e vullnetare dhe ekzekutimi i tij me artileri në shpellën e Rrjollit, së bashku me djalin e mikut të tij, i cili e shoqëroi që nga dita që ai vendosi të dilte në arrati…!

Vendimi i Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së në fundin e viteve ’50-të për kolektivizimin e bujqësisë edhe në zonat malore, jo vetëm që nuk u prit mirë nga masa e madhe e fshatarësisë në të gjitha krahinat e vendit, por ai hasi në një rezistencë të fortë edhe te shumë komunistë të ndershëm e kuadro drejtues me funksione të larta partiake e shtetërore të asaj kohe, të cilët në mënyra të ndryshme, ngritën zërin dhe nuk u pajtuan me atë masë drastike që po i hidhej fshatarësisë si ‘litar në qafë’.

Një nga ata që kundërshtuan hapur direktivën e udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe ideatorit të saj, Enver Hoxhës, ishte dhe deputetit i Malësisë së Shkodrës, kolonel Haxhi Hajdar Mani, i cili që nga mbarimi i Luftës shërbente edhe si Komandant i Forcave të Kufirit dhe Forcave Vullnetare të Qarkut të Shkodrës. Në fillimin e viteve ’60, ai e ngriti atë problem në Plenumin e Partisë së rrethit të Shkodrës, ku ishte i deleguar kryeministri Mehmet Shehu dhe më pas, në një nga seancat plenare të Kuvendit Popullor.

Foto/ Historia e panjohur e kolonel Hajdarit, deputetit që u ekezekutua me

Diskutimi i tij ra si bombë te të gjithë deputetët dhe nuk dihet edhe sot e kësaj dite se përse nuk u realizua skenari i Sigurimit të Shtetit, për ta arrestuar publikisht kolonel Haxhi Hajdarin në ambientet e Kuvendit Popullor? Thuhet se një nga miqtë e tij të ngushtë, oficer madhor i Sigurimit të Shtetit, (kolonel Mit’hat Zaçe) e njoftoi për arrestimin që do i bëhej në seancë plenare dhe Haxhiu mundi që të largohej fshehurazi nga Tirana. Në orët e vona të asaj nate, pasi kishte ndërruar dy makina gjatë udhëtimit, zbriti në hyrje të Baçallëkut dhe nga një rrugë dytësore ai mbërriti në shtëpinë e tij, në periferi të qytetit të Shkodrës.

Afro tre muaj më pas, më 15 mars 1963, në orët e vona të natës, në shtëpinë e Haxhiut në fshatin Golem, u dëgjuan disa trokitje të lehta. Me revolver në dorë, Haxhiu doli vetë për të hapur derën. Pas saj, qëndronte miku i tij i ngushtë, që vetëm tre muaj më parë e kishte njoftuar të largohej urgjentisht nga Tirana. Pasi qëndruan disa minuta aty në këmbë për t’u siguruar se rreth shtëpisë nuk kishte lëvizje, hynë brenda të dy.

Nuk dihet me saktësi se çfarë është biseduar atë mbrëmje të largët marsi të vitit 1963, ndërmjet dy miqve të vjetër që nga koha e Luftës, ushtarakut të lartë të Sigurimit të Shtetit që vinte nga Tirana dhe të zotit të shtëpisë!? Dhe sot e kësaj dite, kur kanë kaluar plot 57 vjet nga ajo natë, gjithçka ka mbetur e mbuluar me mister. Por një gjë është e saktë: Të nesërmen e asaj nate, në drejtim të shtëpisë së Haxhi Hajdar Manit, aty në Golem të Shkodrës, mbërritën tre “Xhip”-a të Sigurimit të Shtetit.

Një nga oficerët e lartë që zbritën prej tyre për të kërkuar kolonelin, mbante në duar radiogramin e ardhur nga Ministria e Brendshme, ku shkruhej: “Të kapet me çdo kusht Haxhi Hajdari”. Por ai nuk ndodhej aty. Ishte larguar nga shtëpia pak minuta pas mysafirit të ardhur nga Tirana.

Në 1945-ën kundërshton terrorin komunist!

Mbarimi i Luftës e gjeti Haxhi Hajdarin në qytetin e Shkodrës, si komandant çete me gradën e kapitenit të parë. Gjatë vitit 1945, kur disa brigada partizane, të mbështetura nga forcat e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, (të udhëhequra nga Mehmet Shehu) filluan operacionet ushtarake të spastrimit kundër forcave antikomuniste që ishin grupuar në Malësitë e Shkodrës, Haxhiu kundërshtoi publikisht terrorin që sapo kishte nisur prej tyre, ndaj familjeve që i kishin strehuar ata.

Në një mjedis ushtarakësh, ai u shpreh hapur duke thënë: “Nuk i kishim kështu fjalët. Ato shtëpi na kanë strehuar dhe na kanë mbajtur me bukë gjatë luftës”. Duke parë qëndrimin e tij ndaj ngjarjeve që zhvilloheshin asokohe në qytetin e Shkodrës dhe malësitë e saj, si: rrahjet, torturat, arrestimet, reprezaljet, pushkatimet pa gjyqe dhe internimet e familjeve të mëdha nacionaliste etj., Haxhiun e largojnë nga Shkodra, duke e sjellë në Tiranë në një kurs plotësimi për oficer.

Pas mbarimit të atij kursi, Haxhiun nuk e kthyen më në qytetin e Shkodrës, por e transferuan në rrethin e Korçës, duke e emëruar komandant batalioni në fshatin Bozhigrad.

Foto/ Historia e panjohur e kolonel Hajdarit, deputetit që u ekezekutua me

Duke parë popullaritetin e madh dhe autoritetin absolut që gëzonte Haxhi Hajdari në të gjithë Malësinë e Shkodrës, udhëheqja e lartë e PKSH-së dhe e Kryesisë së Frontit Demokratik, me propozimin direkt të Enver Hoxhës, e caktuan atë në listën e kandidatëve për deputet të Kuvendit Popullor, në zgjedhjet që do mbaheshin në legjislaturën e dytë të pasluftës. Bashkë me mandatin e deputetit, Haxhiut i’u ngarkua edhe detyra e Komandantit të Forcave Vullnetare në të gjithë Qarkun e Shkodrës, duke i’u dhënë edhe grada e majorit.

Në atë detyrë ai shërbeu deri në fundin e vitit 1954 dhe në atë kohë atë e nxorën në lirim, duke e emëruar si kryetar të lokalitetit të Postribës, krahinës së famshme, ku në vitin 1945, ishte zhvilluar kryengritja antikomuniste, që ishte dhe e para në të gjithë Evropën Lindore. Nxjerra në lirim e Haxhi Hajdarit, ishte si pasojë e qëndrimeve që ai mbante ndaj veprimeve të pushtetit komunist në zonën e tij.

Ai ndërhynte herë pas here për padrejtësitë që u bëheshin banorëve të zonës së tij nga ana e pushtetit lokal dhe Dega e Brendshme, e cila ndërmerrte arrestime të shumta ndaj fshatarëve të asaj krahine, duke i akuzuar ata për “tentativë arratisjeje dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Ndryshe nga direktiva e Partisë, Haxhiu vazhdonte të respektonte shtëpitë e parisë nacionaliste në të gjithë Malësinë, të cilat pushteti komunist i kishte shpallur “kulakë” dhe “armiq të popullit”.

Herë pas here ai thërriste dhe sinjalizonte fshatarë të ndryshëm të atyre zonave, të cilët Sigurimi i Shtetit, i kishte futur në listat e Degës së Brendshme për t’i arrestuar. Në detyrën e kryetarit të lokalitetit të Postribës, Haxhiu nuk qëndroi më shumë se një vit, pasi duke parë popullaritetin e madh që ai vazhdonte të gëzonte në atë krahinë, udhëheqja e lartë e PPSH-së në Tiranë dhe Ministria e Mbrojtjes, u detyruan që ta thërrisnin dhe ta mobilizonin përsëri atë si ushtarak. Madje, duke e emëruar po në atë detyrë që kishte mbajtur prej vitesh: si Komandant i Forcave Vullnetare të Qarkut të Shkodrës, duke i dhënë edhe gradën e nënkolonelit. Pas kësaj, autoriteti dhe figura e Haxhiut u rritën akoma dhe më shumë, madje duke marrë përmasa legjendare.

Asokohe, në qytetin dhe fshatrat e Shkodrës, thuhej se kur i shkonin letra e ankesa Enver Hoxhës, për probleme të ndryshme që kishte ajo zonë, ai nuk i hapte fare, por u thoshte vartësve të tij: “Këto letra mos m’i sillni mua, por dërgojani Haxhi Hajdarit, ai është Enver Hoxha i Shkodrës”.

Reagimet e Haxhiut për kolektivizimin

Aty nga fundi i viteve ’50, kur qeveria komuniste e Tiranës filloi kolektivizimin e zonave të thella malore, shumë fshatarë të zonës së tij elektorale vinin dhe takonin Haxhiun, duke i’u ankuar për gjendjen tejet të vështirë ekonomike në të cilën ndodheshin dhe për varfërinë absolute që po pllakoste Malësinë. Asokohe, në qytetin e Shkodrës u mbajt Plenumi i Komitetit të Partisë së Rrethit, i cili diskutoi vetëm për problemet e kolektivizimit të zonave të thella malore. Në atë plenum partie, i cili u mbajt në Teatrin “Migjeni” (të porsa inauguruar), morën pjesë si të deleguar nga Tirana: Kryeministri Mehmet Shehu dhe Adil Çarçani.

Në atë mbledhje diskutoi edhe Haxhi Hajdari, i cili mes të tjerash u ndal edhe në gjendjen e keqe ekonomike që mbizotëronte në të gjithë Malësinë e Shkodrës. Ai sugjeroi që kolektivizimi duhej bërë mbi baza vullnetare dhe jo me dhunë e mjete të tjera presioni, siç kishte filluar të bëhej. Në diskutimin e tij ai preku problemin e disa fshatarëve, të cilët padrejtësisht ishin shpallur kulakë, duke sugjeruar që të rishikohej puna e tyre. Mehmet Shehu dhe dy tre diskutantë të tjerë pas tij, e kundërshtuan ashpër Haxhiun në lidhje me ato që ai ngriti në diskutimin e tij.

Kjo gjë u bë shkas, që një ditë më pas Haxhiu të thërritej në zyrat e Komitetit Qëndror të PPSH-së në Tiranë, ku atë e priti personalisht Enver Hoxha.

Diskutimi në Kuvendin Popullor

Pas bisedës që Haxhiu kishte bërë me Enver Hoxhën në zyrën e tij në Komitetin Qëndror të PPSH-së, ai u fut përfundimisht në listën e njerëzve tepër të dyshimtë, me të cilët tashmë “kishte punë” vetëm Ministria e Brendshme. Edhe pas atij takimi, Haxhiu vazhdonte të ngulte këmbë se nuk kishte ardhur ende koha për kolektivizimin e zonave të thella malore dhe i’u kishte dhënë fjalën shumë shtëpive të njohura në zonën e tij, se atë gjë do ta ngrinte në seancën më të parë të Kuvendit Popullor.

Edhe pse ai filloi ta ndiente se pushteti komunist kishte filluar të ftohej me të, Haxhiu nuk tërhiqej nga fjala që u kishte dhënë burrave të urtë të Malësisë, duke e ngritur atë problem deri në instancat më të larta ku t’i ecte fjala. Nisur nga qëndrimi që pushteti komunist po mbante ndaj tij, Haxhiu e kuptoj se diçka jo e mirë pritej të ndodhte me të. Shumë nga shokët e miqtë e tij i’u larguan dhe ata që dikur i mbushnin shtëpinë plot, nuk dukeshin më aty! Po kështu në atë kohë, disa nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt u arrestuan apo u internuan, duke u akuzuar si “armiq të popullit”.

Kështu ndodhi dhe me mikun e ngushtë të tij, gjeneral-major Hilmi Seitin, kryetarin e Degës së Brendshme të Qarkut të Shkodrës që vdiq në rrethana tepër të dyshimta (në majin e vitit 1960), për të cilin Haxhiu shprehu hapur publikisht rezervat e tij. Pas vdekjes në rrethana misterioze të gjeneral Hilmi Seitit, në vend të tij, në detyrën e Kryetarit të Degës së Brendshme të Qarkut të Shkodrës u emërua Feçor Shehu, me të cilin Haxhiu kishte konflikte të thella që para shumë viteve.

Edhe pse në të tilla rrethana, Haxhiu diskutoi në Kuvendin Popullor, duke ngritur aty problemet për të cilat u kishte dhënë fjalën shumë burrave të zonës së tij elektorale në Malësi. Në fjalën e tij, ai i qëndroi strikt atyre që kishte thënë si në Plenumin e Komitetit të Partisë në qytetin e Shkodrës, ashtu dhe në bisedën me Enver Hoxhën në zyrën e tij në Komitetin Qendror. Diskutimi i Haxhiut në Kuvend ra si ‘bombë’ te të gjithë deputetët, të cilët filluan të diskutonin me njëri- tjetrin në lidhje me ato që po thoshte kolegu i tyre nga Shkodra!

Pas përfundimit të asaj seance plenare, Haxhiut nuk i’u afrua asnjë nga miqtë e tij deputetë në Kuvendin Popullor, duke e lënë atë krejt të vetëm. Atë pasdite, një nga miqtë e tij të ngushtë, oficer i lartë në Sigurimin e Shtetit, i dërgoi fjalë Haxhiut, duke i thënë që të gjente mundësinë e të largohej sa më parë nga Tirana, mundësisht pa i treguar njeriu.

Mit’hat Zaçe, oficeri i lartë i Sigurimit dhe njeriu që e lajmëroi Haxhiun të largohej sa më parë nga Tirana, vite më vonë ka dëshmuar se ishte një plan për arrestimin e Haxhi Hajdarit në mënyrë publike para deputetëve, plan i cili as sot nuk dihet se përse nuk u realizua. Sipas sugjerimit të mikut të tij, atë natë Haxhiu u nis fshehurazi nga Tirana dhe gjatë rrugës për në Shkodër, i ndërroi dy herë makinat që udhëtonte. Njëherë në Lezhë dhe njëherë pa mbërritur në Urën e Baçallëkut. Atë mbrëmje të vonë janari të vitit 1963, pasi zbriti nga një makinë e rastit në hyrje të qytetit të Shkodrës, Haxhiu u nis në këmbë për në shtëpi. Por jo nga rruga kryesore ku shkonte zakonisht….!

Haxhi Hajdari u lind në Golem të Shkodrës në vitin 1913, në një familje me emër të mirë në të gjithë atë zonë. Babai i tij, Hajdar Mani, njihej si burrë i urtë dhe trim, që kishte pajtuar shumë gjaqe jo vetëm në të gjithë Malësinë, por deri në Kosovë. Me dëshirën për t’i ngjarë babait dhe gjyshit të tij, që kishin qenë ushtarakë të njohur me grada mbi supe, u rrit dhe Haxhiu, i cili në vitin 1938 përfundoi një kurs për oficer rezervist në Tiranë. Pas mbarimit të atij kursi ai doli si instruktor për stërvitjen e paraushtarakëve.

Aty nga fundi i vitit 1942, Haxhiu doli në mal, duke formuar një çetë partizane me fshatarë nga zona e mbi dhe nën Shkodrës. Me vendim të Qarkorit Komunist të Shkodrës, ai u emërua komandant i asaj çete, ku bënin pjesë dhe Ciril Pistoli si komisar, (ish-ministër i Shëndetësisë në vitet ’60), Mëhill Doçi (ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës), Qamil Gavoçi, (një nga komunistët e parë të Shkodrës), Perlat Rexhepi, (“Hero i Popullit”), Vasil Shanto, (“Hero i Popullit”) Alush Lohja etj. Që nga ajo kohë e deri në mbarim të luftës në dhjetorin e 1944-ës, si komandant çete, Haxhi Hajdari mori pjesë në të gjitha betejat që zhvilloi ai formacion partizan në atë zonë, duke fituar kështu një emër dhe popullaritet të madh në të gjithë banorët e atyre anëve.

Edhe pse ishte komandant i të parës çetë partizane në të gjithë Qarkun e Shkodrës, Haxhi Hajdari respektohej njëlloj edhe nga paria nacionaliste e Malësisë së Shkodrës, e cila ishte në konflikt të hapur me komunistët. Haxhiu respektonte besën, mikpritjen dhe bujarinë e tyre, duke mos pyetur shumë për idetë komuniste që pak njiheshin në ato zona të thella.

Enveri: “Shoku Haxhi, nuk mund të bëjmë rrugë në Malësi, se na sulmon Tito…”

Pas diskutimit që Haxhi Hajdari bëri në Plenumin e Partisë të rrethit të Shkodrës, ku ai e quajti të parakohshëm kolektivizimin e zonave të thella malore, u thërrit në Tiranë në një takim me Enver Hoxhën.

Në atë takim, ku ishin prezent dhe Mehmet Shehu e Adil Çarçani, Haxhi Hajdari jo vetëm që nuk i ndryshoi fjalët që kishte thënë një ditë më parë në Plenumin e Partisë në Shkodër, por ai avancoi më tej në kërkesat e tij, duke i thënë Enver Hoxhës që Malësia kishte nevojë për më shumë investime në rrugë, ujësjellës, si dhe të shikohej me më përparësi furnizimi me bukë i saj.

Pasi e dëgjoi deri në fund Haxhiun, Enveri iu përgjigj: “Për këtë punë nuk kemi forca njerëzore, se ato janë të angazhuara në punët e bujqësisë. Por dhe po të kishim, nuk do t’i angazhonim në ndërtimin e rrugëve të reja, pasi hapja e rrugëve në këtë zonë i jep mundësi strategjike Titos që të na sulmojë e të na pushtojë”.

Pas fjalëve të Enverit, Haxhiu iu përgjigj: “Unë si deputet i Malësisë të siguroj se për çdo eventualitet arrij të mobilizoj nën armë çdo malësor nga shtatë, në shtatëdhjetë vjeç. Kurse qeveria të na sigurojë vetëm çimento e hekur për rrugët. Ndërsa për sulmin e Titos të siguroj se ai nuk mundet të kalojë, përveçse në toka të Kosovës dhe Kosova është me ne”.

“Pse ti ke fuqi të mobilizosh malësorët?”, e pyeti Enveri Haxhiun. “Po bre, i mobilizoj edhe për punë edhe për luftë”, ia ktheu Haxhiu, pa kuptuar dinakërinë me të cilën e pyeste Enveri./Memorie.al

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore