Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Mendimi im

Shkatërrimi i PD-së nuk i duhet Shqipërisë

Shkatërrimi i PD-së nuk i duhet Shqipërisë

Mesditën e 8 janarit Shqipëria krijoi një lajm, prej hiçit, aq bombastik sa dhe kryeredaktorët e agjencive kryesore të lajmeve ndërkombëtare e patën zili. Një lajm i cili, për dikë që ka rastisur ta lexojë a dëgjojë mes rutinës së tij të përditshme, pa qenë brenda vorbullës së kaosit që vetëm ky vend ta jep eksperiencën për ta shijuar, do ketë ardhur aq çuditshëm sa do ketë lënë çdo proces që do ketë qenë duke kryer, përveç atij kur të thërret natyra pasi do ishte brenda të njëjtit habitat.

‘Selia e partisë më të madhe opozitare është sulmuar... nga anëtarët e saj’. E sikur kjo të mos mjaftonte në krye të këtij organizimi aspak spontan qëndron lideri historik i kësaj force partiake, lideri i parë i Shqipërisë pluraliste dhe një sërë titujsh të tjerë që i bashkëngjiten, a thua se përballë kemi një monark të shekullit të 17. Me pretekstin e çlirimit të shtëpisë së tyre, ajo shtëpi u vandalizua prej një plaku që nuk pranon azilin, sepse natyrshëm nuk e pëlqen atë dhe kërkon rikthimin brenda ambientit që kaloi vitet më të bukura – ku sot, përtej derës që tentoi ta shkallmojë qëndron djali me brilantin e llak dhe me një nuse aspak të qetë.

Skena surreale ato të këtij 8 janari, që të jepnin ndjesinë e një udhëtimi nëpër histori, prej rrethimit të Trojës në antikitet, te ai i Krujës në mesjetë deri në rrethimin e “shtëpisë së lirisë së shqiptarëve” në këto vite të çuditshme moderniste, ku asgjë s’ka më sens. Vetëm se tek ne, kështjella u rrethua nga banorët e saj dhe gjithë historinë botërore demokratët ja shfaqën shqiptarëve si një film parodi. Troja e ditëve të sotme u rrethua nga vetë trojanët, pasi Priami i kësaj parodie nuk ka urtësinë e atij të vërtetit për të kuptuar afrimin e momenteve të tija finale dhe natyrisht që djali i tij nuk është Hektori që përveçse ngjallte besim te çdokush që e shihte, betejat nuk i linte asnjëherë përgjysëm.

Vetëm se një thërrizë të historisë ngjarja e djeshme e preku realisht. Atë të dhunës dhe përçarjes, që më shumë se vetë partia, ka qenë paria e kësaj force ajo që e ka sjellë në jetë realitetin përçarës mes shqiptarëve në këto vite ku post-diktatura duhet të na bashkonte, dhe e ka mbajtur në nivelet më të larta përgjatë 31 viteve të ekzistencës së kësaj force politike. Shembulli vazhdon dhe tregohet edhe sot dita, sidomos kur e shohim të ilustruar në hartën e shëmtuar të rezultateve zgjedhore, ku tregohet një Shqipëri e ndarë jo prej dialekteve të gjuhës shqipe në Geg e Tosk, por si një Shqipëri e copëzuar si në vijëzimet që fuqitë e mëdha i bën shteteve të Afrikës kur i dhanë të drejtën e pavarësisë. Përçarja dhe dhuna është aq e fortë në genet e kësaj partie sa tashmë u kthye si një bumerang edhe brenda llojit të tyre, si një shpagim i veprimtarisë ndaj vendit në tre dekadat e fundit.

Kryetarët parodik të kësaj force politike, njëri historik e tjetri letargjik janë në dallgët e fundit para zhytjes humbëse që bashkë me ta, do të sjellin dhe epilogun e një partie që në shumë mundësi që i janë dhënë ka dështuar sistematikisht në kryerjen e një katarsisi të mirëfilltë prej hipokrizisë dhe moskoherencës si pasojë e mënyrës që ajo është ngritur.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për një opozitë listash të zeza, e as për dikë që suksesin politik e sheh në ëndërr, por mbi të gjitha shqiptarët nuk kanë nevojë për një forcë që në 31 vite nuk ka ditur të kryej misionin e saj. Ku njerëzit e së cilës ende nuk e kanë kuptuar që ajo parti nuk është as pronë e tyre dhe aq më pak e atyre që thërriten demokrat prej një tesere në portofol. Ajo parti është pronë e gjithë shqiptarëve, por që po shkon për skrap bashkë me hekurin e dyerve të blinduara e pa brava të Bashës, për të krijuar një alternativë të re, një nuancë tjetër të blusë, ku kësaj rradhe të mos ketë më historik të lidhur me të kuqen.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore