Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Mendimi im

Lufta në Ukrainë – shembull për të dyfishuar përpjekjet për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Lufta në Ukrainë – shembull për të dyfishuar

I dërguari Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka shkruar për situatën në Ukrainë, duke përmendur edhe situatën në Ballkanin Perëndimor.

Escobar tha se Rusia nuk duhet të lejohet të përdorë luftën për të frenuar përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Njerëzit e Ballkanit Perëndimor e njohin shumë mirë kërdinë që shkakton konflikti. Ne nuk duhet ta lejojmë Rusinë të përdorë luftën që ka zgjedhur të bëjë për të frenuar përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Rusia nuk ka në mendje interesat më të mira për këto vende. Ekonomitë tuaja janë të lidhura me Evropën. Partnerët dhe investitorët tuaj më të mëdhenj të tregtisë janë në Bashkimin Evropian. Dhe e ardhmja juaj është në Evropë, si anëtarë me të drejta të plota të Bashkimit Evropian”, ka shkruar Escobar.

 Artikulli i plotë

Bota ka ndryshuar për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, dhe forca e mbështetjes për Ukrainën gjatë ditëve të fundit ka qenë e jashtëzakonshme. Ne i bashkohemi thirrjes ndërkombëtare për të gjitha vendet, dhe veçanërisht ato në Europë, për të mbështetur ligjin ndërkombëtar dhe për të refuzuar pa ekuivok pushtimin e paligjshëm nga Rusia të fqinjit të saj, Ukrainës. Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë dëgjuar këtë thirrje. I përgëzoj ato për qëndrimin e tyre të vendosur krah Bashkimit Europian dhe botës së lirë.

Ne duhet ta vëmë Rusinë përpara përgjegjësisë dhe të ndihmojmë Ukrainën që të zmbrapsë forcat pushtuese përpara se mizoritë të shumëfishohen dhe konflikti të destabilizojë më tej Europën. Veprimet e bashkërenduara nga aleatët dhe partnerët kanë rritur me shpejtësi presionin mbi Vladimir Putin. Forcat ukrainase po ngadalësojnë pushtimin dhe po shkaktojnë viktima të konsiderueshme midis forcave ruse. Sanksionet tona e kanë shkëputur Rusinë nga sistemi financiar botëror dhe ekonomia ruse ka filluar të shpërthejë. Agresioni i Putinit kundër Ukrainës do t’i kushtojë Rusisë shumë, si nga ana ekonomike, ashtu edhe nga ajo strategjike. Populli rus meriton më shumë nga qeveria e tij sesa kostoja e stërmadhe që ka shkaktuar ky pushtim për të ardhmen e tyre. Por kur të shkruhet historia e kësaj epoke, ajo do të tregojë se zgjedhja e Putinit për të nisur një sulm të paprovokuar, të padrejtë dhe të paramenduar, e la Perëndimin më të bashkuar dhe Rusinë gjithnjë e më të dobët.

Njerëzit e këtij rajoni e njohin shumë mirë kërdinë që shkakton konflikti. Ne nuk duhet ta lejojmë Rusinë të përdorë luftën që ka zgjedhur të bëjë për të frenuar përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Rusia nuk ka në mendje interesat më të mira për këto vende. Ekonomitë tuaja janë të lidhura me Europën. Partnerët dhe investitorët tuaj më të mëdhenj të tregtisë janë në Bashkimin Europian. Dhe e ardhmja juaj është në Europë, si anëtarë me të drejta të plota të Bashkimit Europian.

Ka ende shumë punë për t’u bërë këtu në Ballkanin Perëndimor. Punë për integrimin ekonomik të rajonit. Punë për të gjetur një kompromis të qëndrueshëm dhe zgjidhje jetëgjata për mosmarrëveshjet e pazgjidhura. Le ta shfrytëzojmë këtë krizë për t’u siguruar që brezat e ardhshëm këtu në Ballkanin Perëndimor të jetojnë në vende të integruara plotësisht në Bashkimin Europian, në një Europë të plotë, të lirë dhe në paqe. Shtetet e Bashkuara duan të jenë partneri juaj në këto përpjekje. Ne duhet ta përdorim këtë shembull për të dyfishuar përpjekjet tona për të arritur një marrëveshje kompromisi midis Kosovës dhe Serbisë, dhe për të ndalur veprimet që kërcënojnë qëndrueshmërinë dhe përparimin në Bosnje-Hercegovinë.

Liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor janë forca shumë më të fuqishme se frika dhe shtypja. Në garën midis demokracisë dhe autokracisë, midis sovranitetit dhe nënshtrimit, mos kini asnjë dyshim: do të mbizotërojë liria. Europa dhe Ballkani Perëndimor do të dalin edhe më të fortë./ *Gabriel Escobar, Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore