Eni Lena konsiderohet sot si makeup artistja me më shumë influencë në këtë fushë në Shqipëri. Bashkëpunimi me fotografin me famë botërore, Fadil Berisha, i dha një dimension tjetër profesionit të saj në arenën ndërkombëtare. Ajo është e njohur në botën e makeup-it si makeup artistja e emrave të mëdhenj të showbiz-it shqiptar dhe supermodeleve të famshme.

Padyshim që shembulli i saj është një rast suksesi që përveçse na ka bërë krenarë do të shërbejë edhe si shembull frymëzimi. Eni Lena është shpallur Make Up Artistja me e Mirë e Vitit 2021 dhe Artistja më me Influencë nga revistat famoze njujorkeze.

Më së fundmi ajo është nderuar dhe me çmimin “Ekselencë në Industrinë e Bukurisë dhe Modës në Shqipëri” nga Teatri Metropol, për kontributin e saj në projektin tepër të suksesshëm “Dasma Shqiptare – Shqipëria e Mesme”.

Projekti Dasma Shqiptare është organizuar nga Jonida Beqo, Drejtoreshë e Teatrit Kombëtar Metropol në Shqipëri në nëntor 2020, me premiere live më 30 maj 2021, me performanca në mbarë Shqipërinë. Me artistë të talentuar nga Ansambli Folklorik i Tiranës, si dhe artistët më me emër të fushave të ndryshme të artit si dizajnues, makeup artistë, aktorë, projekti solli një pamje moderne të traditave në këngë e valle të dasmave shqiptare.

Si ishte përvoja juaj te projekti “Dasmat Shqiptare”?

Projekti i organizuar me shumë detajë dhe përkushtim nga e talentuara  Jonida Beqo ishte mbresëlënës dhe shumë i rëndësishëm në aspektin historik dhe kulturor të pasqyrimit të traditave shqiptare, në këndvështrimin e këngëve, valleve tradicionale dhe dasmave shqiptare.

Si makeup artiste e përzgjedhur për këtë projekt dinjitoz, u përqendrova të tregoja bukurinë shqiptare për krahinën e Shqipërisë së Mesme, për të vënë në pah bukurinë mahnitëse të veshjeve tradiconale shqiptare. Falenderoj Teatrin Metropol për vlerësimin për kontributin tim në këtë projekt.

Ju u vlerësuat me çmimin “Top Master Make Up Artist”. Si ka qënë bashkëpunimi juaj me kompaninë më te njohur në Shqipëri, “Geraldina Sposa”? 

Një nga eksperiencat që vërtet kënaqem kur e tregoj. U bënë shumë vite tashmë që bashkëpunojmë rregullisht me kompaninë më të madhe në Shqipëri, e cila merret me organizimet e eventeve më prestigjioze dhe me gamën e gjerë të brandeve të stilistëve më të njohur kombëtare dhe ndërkombëtar, sidomos të linjave të fustaneve të nuseve. “Geraldina Sposa” në çdo sfilatë të saj më ka besuar kurimin e imazheve të modeleve dhe sidomos të ftuarën speciale.

Duke u përzgjedhur si make up artistja për imazhin kryesor në sfilatat përvjetore për fustanet e nusërisë për kompaninë me famë botërore “Geraldina Sposa”, si ndikon kjo në konceptin dhe imazhin që krijoni?

Kjo ndikon fuqishëm në realizimin e konceptit dhe qëllimit qe duam dhe arrijmë të përcjellim në finale. Gjithmonë, në fund e kemi ndjerë se kemi bërë një punë të mirë, si nga audienca e madhe, ashtu edhe nga vlerësimet që kemi marrë gjithmonë. Për sa i përket imazhit, sa vjen dhe përforcohet për të dyja palët edhe më shumë si kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht.

Si ndryshon vizioni juaj në përgatitjen e personaliteteve shqiptar për televizionin shqiptar?

Përveç gjërave bazë që kërkon televizioni, unë kam gjithmonë dëshirë të lë gjurmën time nëpërmjet punës. Shumë njerëz të ndryshëm, edhe ata që nuk kanë lidhje me fushën e make up-it, e vënë re origjinalitetin dhe të renë, për të cilat më komplimentojnë sa herë që shohin personazhet e tyre të preferuar televiziv të realizuar më se miri dhe ndryshe, vizualisht. 

Cili është sekreti i bukurisë për ju?

Sekreti i bukurisë fillon me vetëbesimin në vete dhe kujdesin permanent për të ndenjur në formë.

Cila është përvoja më e bukur deri tani në karrierën tuaj?

Kam pasur shumë të tilla në jetë. E gjithë kjo eksperiencë ka qenë si një film i bukur, sa që nuk ia vlen t’i ndaj në episode. Tani që po më pyesni po më kalojnë mijëra kujtime të bukura para syve. 

Tashmë njiheni si një nga make up artistet më të kërkuara edhe jashtë Shqipërisë. Nga eksperiencat ndërkombëtare, cilat prej tyre do të veçonit?

Kam pasur eksperienca të ndryshme, ndër të cilat ajo në Budapest me modelen Adrola Dushi dhe videografin Olsi Beçi. Gjithashtu dhe ajo në Malin e Zi, ku kemi zhvilluar kopertinën me fustanet e “Geraldina Sposa”. Në Bologna, Itali për make up nuse, Milano po ashtu, për xhirimet e “Beteja e bukurisë”. Siçili për photoshooting style, etj, etj.

Si ndiheni kur klientët tuaj, përveç vipave dhe pesonaliteteve të shquar shqiptar, janë edhe klientë të ardhur enkas nga Amerika për dasmat e tyre në Shqipëri?

Më vjen mirë që emri im është përhapur kudo nëpër botë. Ndjehem dyfish e kënaqur sepse në fund të fundit, pak famë nuk të bën keq.

Cila është ëndrra juaj e së ardhmes?

E ndjej që projektet brenda territorit të vogël të Shqipërisë po fillojnë të ezaurohen. Pasioni, energjia, eksperienca dhe vizioni, janë shumë herë më të mëdha se kaq. Po planifikoj seriozisht që të gjithë kapacitetin tim profesional ta zhvilloj në hapësira të tjera, me dëshirën e madhe për t’i dhënë diçka origjinale timen, botës./ Gazeta Shqip