Emisioni “Përputhen” është kthyer tashmë në një fenomen, ku vetëm për 60 episode ka arritur 100 milionë klikime në kanalin e “Youtube”.
Ditën e sotme moderatorja e njohur e këtij reality show, Bora Zemani, ishte e ftuar në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku tregoi se e dinte se do kishte impakt te publiku, por nuk e mendonte se do kishte këto shifra.
“Janë mbi 22 video që kanë marrë mbi 1 milion klikime. Shpulla e Anës ka kaluar 1 milion klikime pa bërë 24 orë. Na thonë se ju i ekzagjeroni debatet për klikime, por nuk është aspak ashtu. Janë surprizat që tërheqin vëmendje, janë takimet katër minutëshe apo edhe kërcimet romantike. Unë realisht para se të prezantoja Përputhen mendoja se nuk do të vijnë më ato kohë të arta që do uleshin para TV-së për të parë një emision me detaje. Por ja që ndodhi”, tha ajo.
Ndërsa e pyetur nëse vajzat dhe djemtë konkurrentë janë si para kamerave ashtu edhe në jetën reale, Bora tha se “janë të gjithë të vërtetë”.
“Janë të gjithë të vërtetë ashtu siç janë në realitet, por mund të ndryshojnë shumë pak për shkak se janë para kamerave dhe mundohen që të zgjedhin fjalët e duhura”, tha moderatorja, e cila shtoi se ka ndodhur shpesh që e gjithë skaleta e përgatitur për një puntatë, është hedhur poshtë për shkak të ngjarjeve që ndodhin aty.
E pyetur se çfarë këshille do u jepte vajzave dhe djemve që tani po bëhen të njohur, Bora tha se duhet që të kenë shumë kujdes.
“Neve e njohura në publik na ka ardhur në mënyrë graduale, ndërsa vajzave aty shumë shpejt, brenda 2 muajsh. Janë super të vëzhguara, duket sikur është rikthyer koha e paparacëve. Janë në periudhën e mjaltit, por duhet të kenë shumë kujdes. Fama mund të marrë për mirë dhe për keq”, tha moderatorja e njohur.