Ata iu ankuan për mungesën e medikamenteve dhe i kërkuan ministrit furnizimin e spitaleve me ilaçe


Ilda Hoxha


ilir-beqaj1_1Mungesa e ilaçeve është një prej problemeve kryesore të pacientëve, ndaj kjo i ka detyruar dje të rrethojnë ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për t’i kërkuar llogari për gjendjen e spitaleve. Kreu i Shëndetësisë ishte i pranishëm në shërbimin e kardiologjisë për të inauguruar një pjesë të re koronarografie dhe pacientët e të afërmit e tyre kanë përfituar nga rasti që të shprehin ankesat për mungesën e medikamenteve dhe kushtet e spitaleve. Sipas pacientëve nuk ka ilaçe në spitale dhe janë të detyruar që t’i blejnë me paratë e tyre. Por ka edhe medikamente, të cilat nuk mund t’i blejnë për shkak të kostos së tyre të lartë, sidomos kur bëhet fjalë për barna për trajtimin e sëmundjeve tumorale. Kjo gjendje për ta është kthyer në një makth, pasi rrezikohet jeta e pacientëve. Qytetarët i kanë kërkuar ministrit të Shëndetësisë furnizimin e spitaleve me ilaçe dhe të mos luhet me jetën e njerëzve. Një prej pacienteve, e cila ka të shoqin me leucemi tregon se bashkëshorti i saj nuk po merr mjekimin e duhur, pasi mungon bari kryesor, i cili në farmaci ka një çmim të lartë, mbi 2 mijë euro. Për shkak të gjendjes ekonomike, e ka të vështirë ta përballojë blerjen e tij. Ajo ka kërkuar ndihmë nga ministri i Shëndetësisë për hallin e saj. “Nuk ka ilaçe na thonë, nuk ka, por a pret i sëmuri. Çdo ditë po vdes ndonjë. Këtë lloj që unë dua është shumë i shtrenjtë, thonë që kushton deri në 2 mijë euro. Ku t’i gjej paratë, pacienti ka nevojë për të një herë në tre javë”, tregon një qytetare e revoltuar, por ajo nuk mori përgjigje nga ministri. Një orë pas ankesës së saj, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se bari kishte ardhur në spital, kishte nisur të shpërndahej që në mëngjes, por pacientja nuk ishte në dijeni të kësaj. Zonja shprehet skeptike se ilaçi do të mbërrijë deri tek ajo, pasi sipas saj, nevojat janë shumë të mëdha ndërsa sasia është e limituar. Janë të shumtë ata që ankohen për mungesën e ilaçeve, por e vetmja përgjigje që morën nga kreu i shëndetësisë është që do vijnë. “Ministri na tha që mund të vini të regjistroheni aty dhe të prisni se nuk i kemi në xhep, po presim që të vijnë”, sqaron një tjetër pacient. Ministri Beqaj pranon se ka mungesë të medikamenteve, por thekson se buxheti i qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” është rritur me 50% dhe janë plotësuar një pjesë e madhe e nevojave me barna. Ai shtoi se duhet ende shumë punë për furnizimin e QSUT-së. “Sigurisht që ende kemi punë për të bërë për të plotësuar nevojat e plota për furnizimin e QSUT dhe specifikisht të shërbimit të onkologjikut, qoftë me kimioterapi, qoftë me teknologji”, tha ministri. Veç mungesës së barnave, një tjetër problem që u ngrit nga pacientët lidhej me kushtet në spital. Qytetarët shprehen se mungojnë gjërat minimale. Ata ankohen se tualetet janë në gjendje skandaloze, në dhoma ka lagështirë. “Kushtet janë skandal, mjerë ne që kemi halle”, tregon e shqetësuar një paciente. Mungesa e ilaçeve është një problem që është ngritur disa herë nga pacientët, por edhe nga vetë stafi mjekësor. Probleme me furnizimin me barna ka jo vetëm në QSUT, por edhe në spitalet e tjera në kryeqytet. Më shqetësuese situata është në spitalet e rretheve, ku veç ilaçeve mungojnë edhe mjekët specialistë. Dhe si gjithmonë janë pacientët, njerëzit hallexhinj që vuajnë pasojat e një mosfunksionimi të sistemit shëndetësor.