Të kontaktuar disa herë nga gazeta, ata nuk japin një përgjigje për çështjen


mjeket_1_1Një ditë pas publikimit në gazetën “Shqip” të skandalit, ku mjekë të vdekur figuronin në listat e profesionistëve që duhet të ricertifikohen në muajin tetor të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë nuk ka një reagim. I kontaktuar nga gazeta “Shqip”, këshilltari për median në Ministrinë e Shëndetësisë, Thanas Goga, nuk ka dhënë një përgjigje. Gjithashtu, e kontaktuar nga gazeta edhe drejtoresha e QKEV-së, Entela Shehu, nuk është përgjigjur. Përballë kësaj heshtjeje, gazeta i ka nisur një email zyrtar specialistes së kësaj ministrie Aida Hasmeta, e cila bëri me dije se e ka përcjellë email-in te drejtoresha e QKEV-së Shehu, por nuk dihet se kur mund të kemi një përgjigje për çështjen. Në email thuhet: “Në listat e mjekëve me zero kredite ka edhe mjekë që kanë vdekur apo që janë jashtë vendit. Këtë e ka thënë vetë presidenti i Urdhrit të Mjekut pas verifikimit të listës. 1. A janë verifikuar ndonjëherë këto lista nga institucionet tuaja? 2. Sa i besueshëm është cikli i edukimit në vazhdim? 3. Çfarë masash do të merren?” Emrat e personave të ndarë nga jeta mësohet se gjenden pikërisht në listën prej 200 mjekësh, që nuk arritën të mbledhin asnjë kreditet, e cila u përgatit nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim (QKEV), por që nuk u bë asnjëherë publike, për shkak të ruajtjes së etikës profesionale dhe imazhit të mjekut. Të gjithë mjekët e listuar nuk kanë plotësuar detyrimet e tyre, çka do të thotë se gjatë pesë viteve të ciklit të edukimit duhet të merrnin 150 kredite. Mirëpo, pas llogaritjeve të bëra nga QKEV-ja në fund të ciklit pesëvjeçar, ka rezultuar se nuk kanë përmbushur detyrimin dhe vendimi i marrë nga Ministria e Shëndetësisë ishte shpallje e vendit të punës vakant dhe heqje e licencës. Për të mbajtur vendin e punës, këta mjekë duhet të futen në provim, pasi në të kundërt nuk lejohet të ushtrojnë profesionin. Provimi i ricertifikimit të mjekëve me zero kredite është parashikuar në rregulloren e testimit.