Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Interesi Publik

Lufta për vaksinën anti Covid-19, ekspertët po punojnë për një alternativë të re

Lufta për vaksinën anti Covid-19, ekspertët po punojnë

Konkurrenca për burimet për të luftuar pandeminë Covid-19 po shqetëston aktivistët se vendet me portofol më të madh do të rrëmbejnë furnizimet dhe do t'i lënë të tjerët pas.

Kjo ka ndodhur tashmë me pajisjet mbrojtëse personale. Në prill, administrata e Presidentit Trump urdhëroi prodhuesin e maskave 3M që të ndalonte eksportimin e maskave N95 në Kanada dhe Amerikën Latine.

Të hënën, Departamenti Amerikan i Shëndetësisë njoftoi se kishte siguruar gati të gjithë furnizimin me remdesivir, ilaçin e parë të ri anti-Covid-19, nga prodhuesi.

"Ky është një paralajmërues i gjërave të këqija që do të vijnë nëse nuk ekspozohet dhe nuk dalin ide të reja për këtë", tha profesori i drejtësisë i Universitetit Northeastern, Brook Baker, analist i politikave për Projektin e Qasjes Globale në Shëndetësi.

Dozat e para

Në të gjithë botën, qeveritë po përpiqen të sigurojnë qasjen në vaksinat kundër Covid-19 që ende nuk janë vërtetuar se janë të sigurta ose efektive.

Shefi Ekzekutiv i kompanisë farmaceutike Sanofi, Paul Hudson i tha rrjetit Bloomberg News se 30 milionë dollarët që Shtetet e Bashkuara kishin investuar në vaksinën e kompanisë, nënkuptojnë që amerikanët do të marrin dozat e saj së pari, nëse ajo funksionon.

Zoti Hudson u tërhoq nga ky koment një ditë më vonë pas kritikave nga qeveria e Francës, ku është qendra e kompanisë Sanofi.

Në Britani, Sekretari i Biznesit Alok Sharma tha se vendi i tij do të marrë 30 milionë dozat e para të vaksinës që po testohet nga Universiteti i Oksfordit dhe prodhuesi i ilaçeve AstraZeneca dhe do të kontribuonte 80 milionë dollarë në përpjekjen e tyre.

Katër ditë më vonë, qeveria e Shteteve të Bashkuara njoftoi një marrëveshje prej 1.2 miliardë dollarësh për të siguruar 300 milionë doza të së njëjtës vaksinë.

Kompanitë kanë kapacitete prodhuese në shumë vende, kështu që "ne në asnjë mënyrë nuk po pengojmë pjesën tjetër të botës të marrë këto vaksina", tha një zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Trump gjatë një telekonference më 16 qershor me gazetarët. Rregullat themelore të administratës ndalojnë zbulimin e emrit të zyrtarit.

Virusi u përhap përmes udhëtimeve ndërkombëtare, pranoi zyrtari, duke shtuar, "Le të kujdesemi së pari për amerikanët. Deri sa të arrrijmë në pikën kur të kemi tepricë (të vaksinave), sepse është në interesin tonë që të sigurohemi që njerëzit në të gjithë botën të jenë vaksinuar".

Nacionalizmi i vaksinave nuk është i kufizuar vetëm në botën perëndimore. Instituti Serum i Indisë gjithashtu ka një marrëveshje për prodhimin e 60 milionë dozave të vaksinës së Universitetit të Oksfordit dhe kompanisë AstraZeneca.

"Shumica e vaksinave, të paktën fillimisht, do të duhet të jeët në dispozicion të shtetasve tanë përpara se të eksportohet jashtë vendit", tha drejtori menaxhues Cyrus Poonawalla për agjencinë e lajmeve Reuters, megjithëse ai theksoi se qeveria e Indisë do të merrte vendimin përfundimtar.

Bota e ndërlidhur

"Kjo sjellje nuk është e re. Ne e kemi parë këtë më parë pothuajse në çdo pandemi", tha Rebecca Weintraub, drejtore e Projektit të Shëndetësisë Globale në Universitetin e Harvardit.

Vendet e pasura bënë porositë paraprake edhe për vaksinat kundër gripit H1N1 gjatë pandemisë së vitit 2009, duke lënë jashtë vendet e varfra, tha ajo. Vendet më të pasura në fund u dhanë vaksina vendeve me të ardhura të ulëta, por vetëm pasi ishin të sigurta se kishin vaksina të mjaftueshme për veten e tyre.

Por në një botë të ndërlidhur, thonë ekspertët, çdo sëmundje është vetëm një udhëtim me aeroplan nga përhapje në një vend tjetër.

"Duhet ta kuptojmë që vendet më pak të përgatitura paraqesin një rrezik global shëndetësor për të gjithë ne", tha Thabani Maphosa, drejtor menaxhues në organizatën GAVI, nisma globale e vaksinave.

Autoritetet globale shëndetësore po punojnë për krijimin e një alternative të vlefshme ndaj nacionalizmit të vaksinave.

Në fund të prillit, Organizata Botërore e Shëndetësisë filloi një projekt për Qasjen në Mjetet kundër Covid-19 për të shpejtuar prodhimin dhe shpërndarjen e barabartë të ilaçeve, vaksinave dhe testeve.

"Avantazhi i këtij lloji të parimit të centralizuar të shpërndarjes është se ne do t'i japim fund pandemisë më shpejt", tha Rebecca Weintraub nga Universiteti i Harvardit. "Ne do të kthehemi në një ekonomi më të gjallëruar".

Klub vaksinash

Shumë detaje janë ende duke u përpunuar. Sektori e vaksinave synon të veprojë si një klub blerësish. Vendet vendosin para në një fond të përbashkët që mbështesin zhvillimin e disa vaksinave menjëherë. Meqenëse shumica e vaksinave dështojnë para se të arrijnë në treg, mbështetja e disa prej tyre është një mënyrë për të mbrojtur bastet.

Të kesh në dispozicion më shumë se një vaksinë do të thotë të kesh konkurrencë, që mund të çoj në uljen e çmimit, tha zoti Maphosa nga organizata GAVI. GAVI është bashkë-udhëheqëse e seksionit të vaksinave të projektit të qasjes së përshpejtuar tek vaksinat, ACT Accelerator.

Organizata gjithashtu u jep prodhuesve një ide mbi sasinë e vaksinave që duhet të prodhojnë dhe infrastrukturën që u duhet për ta bërë këtë, shtoi zoti Maphosa.

Vendet kontribuojnë në fond duke u bazuar pjesërisht në numrin e qytetarëve të tyre më të rrezikuar, përfshirë punonjësit e kujdesit shëndetësor, të moshuarit dhe njerëz me kushte të tjera shëndetësore që i vendosin ata në rrezik më të madh.

Sistemi me dy nivele

Nuk do të ketë mjaft vaksina fillimisht për të gjithë ata që kanë nevojë për të. Pra, vendet që paguajnë në fond do të marrin vaksina të mjaftueshme për të imunizuar deri në 20 për qind të popullsisë së tyre.

Vendet me të ardhura të ulëta do të mbështeten tek donatorët për koston. Këto vende do të marrin vaksina bazuar në një kornizë që Organizata Botërore e Shëndetësisë është duke e krijuar për t'i dhënë përparësi punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe grupeve më të pambrojtura.

"Ky sistem me dy nivele ka ngritur shqetësime në mesin e aktivistëve. Numri i njerëzve të mbuluar në vendet me të ardhura të ulëta do të ndryshojë nga një vend në tjetrin, por "sigurisht që është më pak se 20 për qind e popullsisë (së tyre)", tha zonja Baker.

Projekti ACT Accelerator synon të sigurojë 2 miliardë doza të vaksinës deri në fund të vitit 2021. Dozat do të ndahen në mënyrë të barabartë midis vendeve që kanë paguar për ato dhe vendeve për të cilat donatorët kanë paguar.

Por popullsia e vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme që ka të ngjarë të marrë mbështetje nga donatorët është shumë më e madhe se ajo e vendeve me të ardhura më të larta që do të paguajnë vetë për vaksinat e tyre.

"Njerëzit në vendet e pasura do të kenë pesë herë më shumë mundësi për qasje (tek vaksina) sesa njerëzit në vendet e varfra", tha Baker.

Nuk është aq keq sa duket, thotë zoti Maphosa nga organizata GAVI. "Ndarja e vaksinës supozohet të jetë e bazuar në përgjigjen ndaj kërcënimit të sëmundjes dhe grupit të njerëzve të pambrojtur. Në këtë pikë të veçantë, kërcënimi ka qenë i madh në Perëndim", tha ai.

Një vend perëndimor si Italia, e cila u godit rëndë nga virusi, "ka një popullsi shumë të moshuar, dhe Afrika ka një popullsi shumë të re," vuri në dukje ai. "Dhe kjo është një sëmundje që po rrezikon të moshuarit".

Projekti ACT Accelerator ka siguruar premtime prej 3.4 miliardë dollarësh nga 31.3 miliardë dollarë që vlerëson se janë të nevojshme për vaksinat, trajtimet dhe testet.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë premtuar mbështetje financiare, megjithëse ekspertët e tyre teknikë janë duke kontribuar. Presidenti Donald Trump ka thënë se ai synon të ndërpresë lidhjet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë për përgjigjen e saj jo të mirë ndaj pandemisë.

Deri më tani, një prodhues i vaksinës, AstraZeneca, ka njoftuar planet për të marrë pjesë në këtë program. Kompania thotë se do të japë 300 milionë doza për projektin deri në fund të vitit./VOA

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore