Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Bota

110 objekte të nëndheshme/ Pekini i fut të "dridhurat" SHBA-së me arsenalin bërthamor

110 objekte të nëndheshme/ Pekini i fut të "dridhurat"

Pentagoni dhe ligjvënësit republikanë shprehën shqetësime të reja të martën në lidhje me forcimin e arsenalit bërthamor të Kinës pas një raporti të ri që thotë se Pekini po ndërtonte 110 objekte të reja të nëndheshme për mbajtjen dhe lëshimin e raketave.

Një raport i Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë të hënën tha se imazhet satelitore tregonin se Kina po ndërton një fushë të re për lëshimin e raketave pranë rajonit të Hamit në pjesën lindore të rajonit të Xinjiangut.

Raporti vjenë një javë pas njoftimit për ndërtimin e rreth 120 strukturave të ngjashme raketore në Yumen, një zonë shkretëtire rreth 380 kilometra në juglindje.

“Kjo është hera e dytë në dy muaj që publiku zbulon atë që ne kemi thënë gjatë gjithë kohës në lidhje me kërcënimin në rritje me të cilën përballet bota dhe vellon e sekretit që e rrethon atë”, tha Komanda Strategjike e Shteteve të Bashkuara në një postim në Twitter lidhur me një artikull të gazetës New York Times mbi raportin e Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë.

Departamenti i Shtetit në fillim të korrikut e quajti shtimin e arsenalit bërthamor të Kinës një zhvillim shqetësues dhe tha se Pekini po devijonte nga dekadat e strategjisë bërthamore të bazuar në parimin e mbajtjes së një numri minimal raketash për të frenuar një sulm të mundshëm nga një palë kundërshtare. Departamenti i Shtetit i bëri thirrje Kinës që të angazhohet në ndërmarrjen e “masave praktike për të zvogëluar rreziqet e destabilizimit nga konkurrenca e armëve”.

Ligjvënësi republikan Mike Turner, anëtar i Nënkomisionit të Forcave të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se rritja e arsenalit bërthamor të Kinës është e pashembullt dhe e bëri të qartë se “dislokimi i armëve bërthamore ka për synim të kërcënojë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë”.

Ai tha se refuzimi i Kinës për të negociuar mbi kontrollin e armëve “duhet të jetë një arsye për shqetësim dhe duhet dënuar nga të gjitha vendet e ndërgjegjshme”.

Një tjetër republikan, Mike Rogers, anëtar i Komisionit të Forcave të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se rritja e arsenalit bërthamor kinez tregon nevojën për modernizimin e shpejtë bërthamor të Shteteve të Bashkuara për të frenuar kërcënimin nga Kina.

Një raport i Pentagonit i vitit 2020 vlerësonte se rezervat e raketave me mbushje bërthamore të Kinës ishin në rreth 200 dhe se numri i tyre të paktën do të dyfishohej ndërsa Pekini po intensifikon përpjekjet për modernizimin e tij ushtarak. Analistët thonë se Shtetet e Bashkuara kanë rreth 3,800 mbushje bërthamore dhe sipas një raporti të Departamentit të Shtetit nga 1 marsi i këtij viti, 1,357 prej tyre janë tashmë të dislokuara.

Uashingtoni i ka bërë thirrje vazhdimisht Kinës që t’i bashkohet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në një traktat të ri për kontrollin e armëve.

Raporti mbi strukturat e reja bërthamore vjen ndërsa Ndihmës Sekretarja e Shtetit Wendy Sherman do të zhvillojë bisedime me Rusinë për kontrollin e armëve në Gjenevë të mërkurën.

Zonja Sherman ishte në Kinë në fillim të kësaj jave për bisedime në të cilat Pekini akuzoi Uashingtonin për krijimin e një “armiku imagjinar” për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme dhe për të shtypur Kinën.

Pekini thotë se arsenali i tij është i dobët krahasuar me atë të Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë dhe se është i gatshëm të zhvillojë dialog dypalësh për sigurinë strategjike “mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë”./VOA

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore