Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

Rindërtimi si amortizator i papunësisë në Shqipëri

Rindërtimi si amortizator i papunësisë në Shqipëri

Punësimi në kuadër të procesit të rindërtimit në Krujë, Lezhë, Durrës, e Kavajë ka zbutur ndjeshëm papunësinë, duke bërë që përgjatë vitit të pandemisë ajo të rritej me vetëm 0.6 për qind.

Struktura e ekonomisë, e orientuar drejt shërbimeve dhe turizmit parashikonte në shpërthim të pandemisë që punësimi do të ishte një prej sektorëve më të goditur. Por, të dhënat zyrtare të Instat tregojnë se pavarësisht rritjes, shifra është në nivele të moderuara.

Se cili ka qenë ndikimi i pandemisë në punësimin në sektorin e turizmit e provon fakti që dy qarqet më papunësinë më të lartë janë Vlora dhe Lezha, me përkatësisht 16.6 dhe 22.2 për qind të papunë.

Në Durrës e Krujë, dy qytete të tjera të varura fort nga turizmi, papunësia duket se u zbut nga rindërtimi. Në këtë proces punësohen direkt dhe indirekt rreth 20 mijë persona, që prej nisjes së tij pas tërmetit tragjik të nëntorit 2019.

Nga të dhënat e INSTAT, pandemia nxori rreth 43 mijë të papunë gjatë vitit të kaluar, pasi numri i të punësuarve zbriti në 1,23 milionë nga 1.27 milionë që ishte në 2019-ën. Nëse nuk do të ishte procesi i rindërtimit, këtij kontigjenti me gjasë do t’i shtohej edhe shifra prej 20 deri në 25 mijë e personave të punësuar drejtpërdrejtë, ose tërthorazi në të.

Përveç kësaj, rindërtimi ka krijuar edhe një efekt domino, duke krijuar më shumë mundësi punësimi në sektorin privat, sidomos në Tiranë dhe Durrës, ku është rritur kërkesa për punonjës krahu.

Kjo konfirmohet edhe nga të dhënat e INSTAT, që thotë se në 2020, numrin më të lartë të të papunëve e zinin personat me arsim të lartë, ndërsa më të ultin personat me arsim fillor, që janë edhe kategoria kryesore e atyre që ushtrojnë punë krahu.

Edhe një raport i Bankës së Shqipërisë vë theksin te rindërtimi si amortizatori i papunësisë, megjithëse thotë se ulja e numrit të të papunëve në “tremujorin e tretë të vitit të kaluar rezultoi të ishte i përkohshëm”.

“Numri i të punësuarve u pakësua me 27,595 individë gjatë tremujorit të katërt, kryesisht në reflektim të rënies së punësimit në sektorin e shërbimeve”, thotë BSh.

Përveç kësaj, BSH rendit edhe arsye të tjera, që nga dalje nga tregu i punës, pra dalja në pension, emigracioni, që përkthehet në ulje e numrit të personave që kërkojnë punë. Sipas Bankës: “Kjo lëvizje është pasqyruar në rënien e shkallës së pjesëmarrjes në tregun e punës në tremujorin e katërt (68.7%), kundrejt vlerës së treguesit në tremujorin e tretë (69.8%)”.

Megjithatë, rindërtimit i faturohet edhe raportimi në rritje i sektorit të ndërtimit pothuajse përgjatë të gjithë tremujorëve të vitit të kaluar, kohë kur të gjithë sektorët e tjerë ose ishin në stanjacion, ose në rënie të lirë, sidomos turizmi.

Te turizmi janë vënë edhe bastet më të shumta për t’i dhënë një hov ekonomisë së vendit, ndërkohë që paralelisht më të ecën edhe rindërtimi, proces që parashilohet që të zgjasë të paktën deri në fund të vitit të ardhshëm.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Në Fokus

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore