
Që pas shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria ka kaluar disa pushtues. Nëse do t’i ndanim në dy grupe kryesore, ata do të ishin të jashtëm dhe të brendshëm. Pushtues të jashtëm ishin serbët e grekët në Luftën e Partë Botërore dhe fashistët e nazistët në Luftën e Dytë Botërore.
Pushtuesit e brendshëm janë të një llojit tjetër. Ata janë më kompleksë dhe më të vështirë për t’u luftuar. Shpesh i gjejmë mu para hundës. I tillë ishte komunizmi pas Luftës së Dytë Botërore, që fshihte pas propagandës pushkatimet, internimet, vuajtjet dhe persekutimet e mijëra e mijëra qytetarëve vetëm e vetëm se ata nuk ishin dakord me ideologjinë e tij. Pas thuajse gjysmëshekulli nën thundrat e këtij pushtuesi “fituam” edhe njëherë tjetër lirinë në fillim të viteve ’90.
Në të gjitha këto vite të historisë moderne e të trazuar, ku pushtuesin e jashtëm herë i kemi larguar me pushkë e herë është larguar vetë dhe pushtuesin e brendshëm gjysmëshekullor e larguam me protesta, një formë vjetër “pushtimi” i ka rezistuar çdo forme e përpjekjeje çlirimi; korrupsioni.
Formë korrupsioni ishin lëvizjet e pas Pavarësisë për të minuar mëvetësinë e shtetit të ri shqiptar. Formë korrupsioni ishte edhe rikthimi i Ahmet Zogut në pushtet me ndihmën e serbëve. Formë korrupsioni ishte edhe bashkëpunimi me nazistët në Luftën e Dytë Botërore dhe po korruptiv ishte dhe komunizmi, ku pas sloganit “të gjithë janë të barabartë”, disa fshiheshin si më të barabartë se të tjerët.
Por, formën më agresive të këtij pushtuesi të fshehur mu para syve tanë do ta provonim vetëm pas viteve ’90. Skemat piramidale ishin formë e këtij pushtuesi. Pas tyre dhe sa më shumë shoqëria shqiptare mësonte e fitonte përvojë me lirinë e fituar pas rënies së komunizmit, aq më shumë njihte e provonte në kurriz efektet anësore të kësaj lirie.
Njëri prej këtyre efekteve është korrupsioni. Ai u përshtat e shtriu metastazat e tij nga roja më i thjeshtë i spitalit e deri në majat e vendimmarrjes e politikës dhe gjithmonë ishte një hap përpara të gjitha (gjoja) përpjekjeve për ta luftuar.
Të paktën deri më tani…Po çfarë ka ndryshuar tani? Reforma në drejtësi dhe Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Kur u ngrit pritshmëritë ishin të larta, të tilla janë edhe sot. Mosbesuesit ishin të shumtë, shumë ka edhe sot, pavarësisht deklaratave të shpeshta të Ambasadës Amerikane për durim dhe t’i jepej kohë kësaj strukture që të bënte bënte detyrën e saj.
Koha duket se erdhi bashkë me korrikun. Aksionet e fundit të SPAK në Lushnje, Pogradec e Tiranë kanë shënjestruar tenderat. Prej vitesh tenderat kanë qenë “torta” e preferuar e korrupsionit, që duket se SPAK ka nisur t’ia heqë nga duart.
Askush nuk mund të presë që korrupsioni të mos ngjyejë asnjë gisht në këtë tortë në ditët, javët, muajt e vitet në vazhdim, por ajo që ka rëndësi në këtë moment është dërgimi i një sinjali, që korrupsioni të mos zgjasë të gjithë dorën në këtë tortë, se rrezikon që t’i këputet. Sinjali është gjithashtu që Shqipëria ka në dorë një armë të fuqishme, nuk po themi për ta shporrur, por të paktën për ta sprapsur dhe izoluar si fenomen në ndodhi sporadike dhe jo në sistem.
Mosbesuesit sërish mund të thonë se nuk po goditen peshqit e mëdhenj, se në rrjete po bien cironkat e peshqit e vegjël. Mund të jetë deri diku e vërtetë, po aq e vërtetë sa mund të jetë edhe fakti që stomaku i SPAK sot ndoshta nuk mund të tresë peshqit e mëdhenj.
Struktura është ende në “kolaudim” e sipër. Vetë Prokuroria e Posaçme, që mund të quhet truri i këtij organizmi nuk është i plotë. Kreu i SPAK, Arben Kraja thotë se për shkak të ngarkesës nevojat janë të paktën për 20 prokurorë në këtë njësi.
Po ashtu, nuk duhet harruar se as Byroja Kombëtare e Hetimit, FBI shqiptare që mund ta quajmë edhe si “krahu i armatosur” i SPAK është ende larg së qenit e plotësuar. Grupi i parë i anëtarëve të BKH-së të trajnuar nga SHBA pritet që të marrin detyrën së shpejti.
Pavarësisht këtyre pengesave domethënëse, SPAK na tregoi brenda dy javëve se çfarë është në gjendje që të bëjë. Shembujt nga Lushnja, Pogradeci e sidomos nga Ministria e Brendshme në Tiranë janë kokëfortë dhe një sinjal edhe për mosbesuesit, që është arma e duhur për ta çliruar vendin nga kthetrat e korrupsionit.
“L’appétit vient en mangeant”, e thënë shqip: Oreksi vjen duke ngrënë – thonë francezët, një shprehje që ia atribuojnë murgut rebel e humanistit të rilindjes franceze, François Rabelais Ndaj, me rëndësi është që në këto ditë korriku, kur vapa zakonisht ndikon për keq në oreks, SPAK-u po tregon se oreksi po i shtohet dhe deri kur cironkat e peshqit e vegjël të mos e ngopin më duke thjesht çështje kohe.
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.