Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Si pritet të zhduket opozita parlamentare, në zgjedhjet e 2021!

Si pritet të zhduket opozita parlamentare, në zgjedhjet e 2021!

Opozita parlamentare, një vit më parë hyri në Kuvend si një deux ex machina e një veprimi që më shumë ndërkombëtarët e nxitën që Lulzim Basha e Monika Kryemadhi të mos arrinin që të bllokonin sistemin me djegien e mandateve, e më pas me bojkotimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Ishte një reagim, më shumë se një veprim politik apo aksion ideor i një grupimi të caktuar. Kjo opozitë parlamentare, ku bazë kishin Muslim Murrizin dhe Rudina Hajdari, arriti të shpëtojë sistemin parlamentar në vend, duke mos e çuar në kolaps situatën e krijuar nga djegia e mandateve, e cila kishte si synim një përmbysje politike, duke “thyer enën”.

Por, kjo kauzë që nuk është pak për një grupim politik, mund të përdorej me zgjuarsi e konstruktivitet, nga dy krerët e kësaj opozite të re, për të vendosur urat me opozitën reale në vend, atë që drejton Lulzim Basha.

Për ta bërë jo ndërkombëtarët e Edi Rama, por Muslim Murrizi si kauzë të vetën, sesi mazhoranca do të krijonte kushtet për një rikthim të normalitetit në vend, duke vendosur urat me opozitën e re dhe të arrihet një konsensus politik për zgjedhjet e reja.

Në vend të kësaj kauzë që ishte një mundësi e mirë, Murrizi zgjodhi përplasjen fatale me Bashën, ndoshta edhe pse pati reaksion të fortë e negative nga selia blu.

Realisht ndoshta ishte logjike një reaksion i tillë, pasi në kohë lufte kush dezerton cilësohet tradhtar, por kur normaliteti rikthehet, dezertimi analizohet më ftohtë dhe nis e kërkohet logjika në vend të emocioneve.

E Murrizi, e sidomos Rudina Hajdari, i kanë pasur mundësitë për ta nisur një komunikim me Lulzim Bashës pas 30 shtatorit, ndoshta ju takonte atyre për të lëshuar sinjalet.

Por nuk e bënë, pasi ata sapo vunë këmbën në parlament si “opozitë e re” nisën të llastohen e të rehatohen me postet që ju ndau Gramoz Ruçi.

Murrizi si nënkryetar Parlamenti, Rudina si një “Majlinda Breg” e re, pa lënë mënjanë këtu drejtimin e komisioneve nga deputetë të nivelit skandaloz që gajasën Shqipërinë dhe zbritën në nivel edhe më të ulët legjislativin shqiptar.

Këtu shembuj janë që performancat tashmë të bezdisshme të sharlatanizmit të Kujtim Gjuzit, deri tek lemeria  e “kërpëratave”.

Sot kjo opozitë ka shpallur edhe krijimin e një force të re politike: Lidhjen Demokratike Shqiptare që mund të futet në zgjedhjet e ardhshme.

Gjithsesi 2-3 emra kjo opozita i ka si vetë Muslim Murrizi që është një njeri politik i terrenit, Rudina Hajdari, Ralf Gjoni, apo edhe Edmond Stojku.

Por a do të mundet ky grup miks që ka hyrë në Kuvend si pasues të Lulzim Bashës e Ilir Metës, të bashkohen në një sigël që të hapë një spacio në të djathtën shqiptare.

Logjikisht duket shumë e vështirë, politikisht e pamundur, nën një polarizim kaq ekstrem. Dihet fati jo i mirë i partisë së Astrit Patozit më 30 qershor. E vetmja mundësi, duket “rikthimi në shtëpi”, përndryshe aleanca me Ramën, edhe pse mund t’ju japë ofiqe, edhe mund t’i asgjësojë politikisht njëherë e mirë…

©?Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore