Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Përse ambasadori britanik, flet për Kodin tonë Zgjedhor?!

Përse ambasadori britanik, flet për Kodin tonë Zgjedhor?!

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Duncan Norman, ka bërë një deklaratë për çështjen e ndryshimeve Kushtetuese dhe Kodin Zgjedhor, mjaft ditë me vonesë nga deklaratat që bënë atë ditë ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë.

Ambasadori Norman, ka mbajtur një qëndrim pak më ndryshe nga kolegët e tij të bashkësisë ndërkombëtare. Sipas tij, qeveria e tij është zhgënjyer që ndryshimet kushtetuese u bënë përtej marrëveshjes së 5 qershorit.

Ky qëndrim i Britanisë së Madhe, natyrisht që është konsideruar një favor nga ana e qarqeve të opozitës, por duket se ka komplikuar paksa opinionin publik në lidhje me qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar.

Kjo pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, janë dy bashkësitë që direkt janë marrë me negocimin për marrëveshjen e 5 qershorit dhe kanë ndikuar që palët të arrijnë atë konsensus. Dhe më pas SHBA dhe BE kanë deklaruar se ata përkrahin çdo qëndrim të përbashkët për çështjet zgjedhore, por është në dorën e autoriteteve shqiptare, Parlamentit në radhë të parë e partive politike që të zgjidhin këtë çështje.

Por një qëndrim i Britanisë së Madhe, është i pakuptueshëm, jo thjesht me një dalje nga kuadratet e koordinimit të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe për vetë rolin e Londrës zyrtare në proces.

Mbretëria e Bashkuar nuk është më një vend i Bashkimit Europian, i cili i cakton Shqipërisë standardet ngaqë vendi ynë kërkon të bëhet pjesë e BE-së dhe është në proces.

Ndërkaq, SHBA është aleati më i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë, që asiston dhe përkrah që vendi te ecë si aleat i NATO-s në rrugën e zbatimin e standardeve demokratike.

Britania është thjesht një vend i botës së lirë, që edhe nëse ka mendime për zhvillimet në Shqipëri, ata nuk janë më pjesë, e drejtë apo detyrë e Foreign Office-s, por angazhim i Brukselit.

Në këtë logjikë i bie që edhe Shqipëria të kishte qëndrimet e saj për daljen e Londrës nga BE me Brexit-in apo me dështimin e përballimit të pandemisë nga ana e qeverisë së Boris Johnson. Por kjo në gjuhën diplomatike quhet ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore