Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Ndryshimet Kushtetuese, Berlini po rikthen “Mc Allister plus” që u rrëzua në 2017

Ndryshimet Kushtetuese, Berlini po rikthen “Mc Allister plus”

Nuk kishte folur deri tani, por fjala e tij është shumë e rëndësishme. Bëhet fjalë për ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf.

Vendi i tij është shteti më i rëndësishëm i Bashkimit Europian dhe aktualisht mban presidencën e radhës së Europës, e siç ka thënë kancelarja Merkel në Strasburg, hapja e negociatave me Tiranën e Shkupit e dialogu Beograd-Prishtinë janë prioritet.

Ndaj qëndrimi i ambasadorit Zigraf sot është më shumë sesa një zhvillim politik.Është qëndrim tipik gjerman: Po e bërë je ok, po nuk e bëre nuk je fare OK.

E Zingraf tha troç e qartë se marrëveshja e 5 qershorit po merr tipare konfliktuale, ndaj do të duhet që të zgjidhet në një marrëveshje “plus” si për koalicionet ashtu dhe për listat e hapura.

Me një fjalë një lloj “Mc Allisteri Plus”, siç u bë gati në majin e vitit 2017, por që Lulzim Basha e refuzoi, për të pranuar më pas ofertën më të rëndë të bultozerit amerikan të State Department, Hoyt Brian Yee.

David Mc Allister i dërguari i Angela Merkelit në Tiranë, solli një formulë mjaft të mirë për Bashën që jepte një qeveri të përbashkët, por edhe një President konsensual. Por, kreu i PD nuk e pranoi, e atëherë erdhi njeriu i Uashingtonit që detyroi kreun e PD-së me një “ofertë që nuk e refuzonte dot”.

Gjermania, duket është kancelaria që po e “përkëdhel” më shumë Lulzim Bashën, por që në fakt nuk është ashtu.

Berlini zyrtar thjesht po i jep liderit të opozitës një shans të rëndësishëm, nëse ai do të tregojë se ka lidership jo vetëm tek PD e tij por e tërë opozita shqiptare.

Nga ana tjetër, duket qartë se me këtë akt Berlini tregon se edhe nuk i ka aq “grurë” sa thuhet marrëdhëniet me Edi Ramën.

Me një fjalë Gjermania është në një hap më tutje nga SHBA, ajo kërkon nga Edi Rama që të marrë një reformë edhe për listat e koalicionet, por në asnjë rast pa konsensusin e Lulzim Bashës.

“Ndaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve të bashkëpunojnë për implementimin ligjor të ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor si dhe të respektojnë marrëveshjen e 5 qershorit. Në këtë kontekst duhet të diskutohen në mënyrë të veçantë çështjet e listave të hapura dhe roli i koalicioneve parazgjedhore me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik në frymën e përfshirjes dhe të bashkëpunimit”, tha Peter Zingraf.

Në fakt në një linjë është edhe reagimi i zëdhënëses së Komisionit Europian, Ana Pisonero, vetëm se më ambige.

“Ndërsa pranojmë se miratimin nga Parlamenti i Shqipërisë të disa ndryshimeve në Kushtetutë në lidhje me sistemin zgjedhor, është për të ardhur keq që nuk iu dha më shumë kohë fazës përgatitore për të gjetur një kompromis me të gjitha partitë në Këshillin Politik….”, tha zëdhënësja e Borrell.

Megjithatë thelbi i kësaj beteje të fortë, që Basha deklaron se po vjen rotacioni dhe Rama është i sigurt se ka ndërkombëtarët me vete, e vërteta është diku në mes.

Europianët i kanë dhënë duket për herë të fundit, një mundësi Lulzim Bashës, të bëjë si Mickovski, të largojë Sali Berishën, mbase jo vetëm atë, por realisht të tregoj se ka lidership.

Për Edi Ramën, ai deri më sot ka marrë mjaft nga ndërkombëtarët, por edhe ka të gjithë pushtetin e mundshëm, mjafton të tregoj vullnet për një proces politik.

Si përfundim, ndryshimet kushtetuese nuk e shpëtuan as Edi Ramën e nuk e kanë fundosur as Lulzim Bashën. Ata do të duhet të miratojnë një “5 qershor plus”, kësaj radhe ndryshe nga 2017, kur BE ishte e para dhe SHBA në fund. Kësaj radhe duket se i takon Gjermanisë të bëjë lëvizjen finale.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore